Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kush është Dëgjuesi i lutjes?

Kush është Dëgjuesi i lutjes?

Kush është Dëgjuesi i lutjes?

NËSE do të kishte një Dëgjues të lutjes, logjikisht ai duhet të jetë Krijuesi. Kush tjetër përveç atij që projektoi trurin e njeriut mund të t’i lexojë mendimet? Kush tjetër mund t’u përgjigjet lutjeve të njerëzve dhe t’i ndihmojë në gjërat që kanë nevojë? Megjithatë, mbase pyet veten: «A është e arsyeshme të besoj te një Krijues?»

Shumë veta janë të mendimit se, që të besosh te një Krijues, duhet të mohosh dëshmitë e shkencës së sotme. Por, supozimi se besimi te Perëndia nuk pajtohet me shkencën, thjesht nuk është i vërtetë. Ja çfarë thuhet më poshtë.

▪ Një studim i kohëve të fundit me 1.646 profesorë të shkencës në 21 universitete me emër në Shtetet e Bashkuara, zbuloi se vetëm një e treta zgjodhën fjalinë «Nuk besoj te Perëndia» për të përshkruar pikëpamjen e tyre.

Faktikisht disa shkencëtarë besojnë se Perëndia ekziston.

Dëshmi të një Krijuesi

A duhet të pranojmë pa asnjë provë se Dëgjuesi i lutjes ekziston? Aspak! Është e gabuar ideja se besimi s’ka nevojë për asnjë dëshmi. Bibla e përkufizon besimin si «dëshmia e dukshme e realiteteve ndonëse të papara». (Hebrenjve 11:1) Një përkthim tjetër thotë se besimi është «siguria për atë që është ende e padukshme». (Bibla ECM) Për shembull, ti nuk i sheh valët e radios, por radioja dëshmon qartë realitetin e valëve të padukshme që transmetojnë zëra; prandaj e pranon se këto valë ekzistojnë. Në mënyrë të ngjashme, ndonëse nuk e shohim Dëgjuesin e lutjes, mund të shqyrtojmë dëshmitë që kemi, të cilat na bindin se ai duhet të ekzistojë.

Ku t’i gjejmë dëshmitë se Perëndia ekziston? Mjafton t’i hedhim sytë përreth. Bibla arsyeton kështu: «Sigurisht, çdo shtëpi ndërtohet prej dikujt, por ai që ka ndërtuar gjithçka është Perëndia.» (Hebrenjve 3:4) A je dakord me këtë arsyetim? Kur mendon thellë për rregullin në univers, origjinën e jetës ose projektin e trurit të njeriut, strukturën më të ndërlikuar në tokë, ndoshta arsyeton se duhet të ekzistojë diçka më e lartë se njeriu. *

Por natyra nuk mund të na mësojë gjithçka për Perëndinë. Kur shohim dëshmitë e Perëndisë në krijim, është si të dëgjojmë hapat e dikujt që po afrohet pas një dere të mbyllur. Ti e di se atje ndodhet dikush, por, kush është? Për ta zbuluar, duhet ta hapësh derën. Duhet të bëjmë diçka të ngjashme që të identifikojmë Atë që qëndron pas krijimit.

Bibla është një derë drejt njohurisë për Perëndinë. Kur ti e hap këtë derë dhe shqyrton disa nga profecitë e saj të hollësishme bashkë me përmbushjen e tyre, do të gjesh dëshmi se Perëndia ekziston. * Për më tepër, tregimet që flasin për mënyrën si ka vepruar Perëndia me njerëzit, zbulojnë personalitetin e Dëgjuesit të lutjes.

A është Dëgjuesi i lutjes forcë abstrakte?

Bibla na thotë se Dëgjuesi i lutjes nuk është një forcë abstrakte, por dikush të cilin mund ta njohësh. Sigurisht një forcë abstrakte nuk mund të dëgjojë e të kuptojë. Marrim zemër kur lexojmë: «O Dëgjues i lutjes, te ti do të vijë çdo njeri.» (Psalmi 65:2) Ai i dëgjon ata që i luten me besim. Gjithashtu ka edhe emër. Bibla thotë: «Jehovai është larg të ligjve, por dëgjon lutjen e të drejtëve.»​—Proverbat 15:29.

Jehovai ka ndjenja. Ai është «Perëndia i dashurisë» dhe quhet ‘Perëndia i lumtur’. (2 Korintasve 13:11; 1 Timoteut 1:​11) Në një kohë kur ligësia kishte marrë dhenë, Bibla thotë për mënyrën si reagoi ai: «U hidhërua në zemër.» (Zanafilla 6:5, 6) Nuk është e vërtetë se Perëndia i shkakton vuajtjet për të vënë në provë njerëzit, siç mendohet. Bibla thotë: «Larg qoftë që Perëndia i vërtetë të veprojë me ligësi.» (Jobi 34:10) Sidoqoftë, mbase pyet veten: «Nëse Perëndia është Krijuesi i plotfuqishëm, pse i lejon vuajtjet e nuk u jep fund?»

Jehovai i ka pajisur njerëzit me vullnet të lirë, dhe kjo na tregon diçka për cilësitë e Perëndisë. A nuk e çmojmë këtë liri për të zgjedhur mënyrën e jetesës? Por mjerisht, shumë njerëz e keqpërdorin këtë liri dhe i shkaktojnë vuajtje vetes e të tjerëve. Tani le të bëjmë një pyetje që ia vlen ta mendojmë seriozisht: si mund t’u japë fund vuajtjeve Perëndia, pa ia hequr lirinë njeriut? Këtë pyetje do ta shqyrtojmë në artikullin vijues.

[Shënimet]

^ par. 8 Për një trajtim më të hollësishëm të dëshmive për ekzistencën e Perëndisë, shih broshurën Origjina e jetës: Pesë pyetje që ia vlen t’i bësh dhe librin A ka një krijues që interesohet për ju?, të botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 10 Broshura Një libër për të gjithë njerëzit dhe libri Bibla​—Fjala e Perëndisë apo e njerëzve? janë botuar nga Dëshmitarët e Jehovait si ndihmë që të shqyrtosh dëshmitë se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia.

[Kutia në faqen 5]

A të bën të dyshosh feja?

Mjerisht, vetë feja i bën shumë njerëz të dyshojnë se ekziston një Perëndi i dhembshur që i dëgjon lutjet. Ngaqë feja është përfshirë në luftë, terrorizëm dhe ka toleruar abuzimin me fëmijët, kjo i ka shtyrë edhe njerëzit e devotshëm të thonë: «Nuk besoj te Perëndia.»

Pse feja ndikon shpesh për keq? E thënë thjesht: njerëz të këqij kanë bërë gjëra të këqija në emër të fesë. Bibla paratha se forca të tjera do ta merrnin nën kontroll krishterimin dhe do ta përdornin në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë. Apostulli Pavël u tha mbikëqyrësve të krishterë: «Nga gjiri juaj do të ngrihen njerëz e do të thonë gjëra të shtrembëruara, për të tërhequr pas vetes dishepujt.»​—Veprat 20:29, 30.

Perëndisë i ngjall neveri feja e rreme. Në fakt, Fjala e Perëndisë, Bibla, ia hedh përgjegjësinë fesë së rreme për ‘gjakun e tërë atyre që u vranë pa mëshirë mbi tokë’. (Zbulesa 18:24) Feja e rreme është fajtore gjaku në sytë e Perëndisë, pasi nuk ka arritur t’i mësojë njerëzit për Perëndinë e vërtetë, që është personifikimi i dashurisë.​—1 Gjonit 4:8.

Dëgjuesi i lutjes ndien dhembshuri për viktimat e fesë shtypëse. Ngaqë e do njerëzimin, me anë të Jezuit, Perëndia do t’i gjykojë së shpejti të gjithë hipokritët fetarë. Jezui tha: «Shumë do të më thonë atë ditë: ‘Zotëri, Zotëri, a nuk profetizuam në emrin tënd?’ . . . E megjithatë do t’u them atyre: ‘Kurrë nuk ju kam njohur. Largohuni nga unë, ju që bëni paligjshmëri!’»​—Mateu 7:22, 23.