Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse Dëgjuesi i lutjes i lejon vuajtjet?

Pse Dëgjuesi i lutjes i lejon vuajtjet?

Pse Dëgjuesi i lutjes i lejon vuajtjet?

NDONËSE mund të luten, disa dyshojnë se Perëndia ekziston. Pse dyshojnë? Mbase ngaqë shohin që vuajtjet kanë mbushur botën. E ke pyetur ndonjëherë veten pse Perëndia i lejon vuajtjet?

A i krijoi vërtet Perëndia njerëzit siç janë tani, të papërsosur dhe që të vuajnë? Zor se do të kishim respekt për një Perëndi që do t’i kishte krijuar njerëzit për të vuajtur. Por mendo për këtë: po të vëzhgoje tërë admirim një makinë të re dhe vëren se pjesa anësore është dëmtuar, a do të nxirrje përfundimin se prodhuesi e ka bërë ashtu? Sigurisht që jo! Do të nxirrje përfundimin se prodhuesi e ka bërë «të përsosur», por dikush ose diçka tjetër e ka dëmtuar.

Në mënyrë të ngjashme, kur admirojmë rregullin dhe projektin mbresëlënës në natyrë e pastaj vëmë re kaosin dhe degjenerimin që dëmtojnë familjen njerëzore, ç’përfundim duhet të nxjerrim? Bibla mëson se Perëndia e bëri të përsosur çiftin e parë njerëzor, por që më vonë dëmtuan veten me veprimet e tyre. (Ligji i përtërirë 32:4, 5) Lajmi i mirë është se Perëndia ka premtuar ta ndreqë dëmin​—t’i bëjë sërish të përsosur njerëzit e bindur. Megjithatë, pse ka pritur kaq gjatë?

Pse kaq gjatë?

Arsyeja lidhet me pyetjen se kush duhet ta sundojë njerëzimin. Jehovai s’e ka pasur kurrë synim që njerëzit të vetëqeveriseshin. Sundimtari i tyre duhej të ishte Perëndia. Vetë Bibla thotë: «Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.» (Jeremia 10:23) Mjerisht, njerëzit e parë zgjodhën të rebeloheshin ndaj sundimit të Perëndisë. Veprimi i tyre i paligjshëm i bëri mëkatarë. (1 Gjonit 3:4) Si rrjedhojë, humbën përsosmërinë dhe i sollën dëme vetes e pasardhësve të tyre.

Për mijëra vjet, Jehovai i ka lejuar njerëzit të vetëqeverisen dhe historia ka treguar se ata nuk janë të aftë për këtë. Ajo tregon se të gjitha qeveritë njerëzore shkaktojnë vuajtje. Asnjëra nuk i ka zhdukur ndonjëherë luftërat, krimet, padrejtësitë ose sëmundjet.

Si do ta ndreqë dëmin Perëndia?

Bibla premton se Perëndia do të sjellë së shpejti një botë të re e të drejtë. (2 Pjetrit 3:13) Në të do të lejohen të jetojnë vetëm ata që zgjedhin me vullnet të lirë të shfaqin dashuri për njëri-tjetrin dhe për Perëndinë.​—Ligji i përtërirë 30:15, 16, 19, 20.

Gjithashtu, Bibla thotë se në «ditën e gjykimit» që po afrohet me të shpejtë, Perëndia do t’i zhdukë vuajtjet bashkë me ata që i shkaktojnë. (2 Pjetrit 3:7) Më pas, Jezu Krishti, Sundimtari që ka caktuar Perëndia, do t’i qeverisë njerëzit e bindur. (Danieli 7:13, 14) Çfarë do të arrijë sundimi i Jezuit? Bibla thotë: «Zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.»​—Psalmi 37:11.

Si Mbret qiellor, Jezui do ta ndreqë dëmin​—përfshirë sëmundjet, plakjen dhe vdekjen—​që solli rebelimi i njerëzve ndaj Jehovait, ‘burimit të jetës’. (Psalmi 36:9) Jezui do t’i shërojë të gjithë ata që e pranojnë sundimin e tij të dashur. Nën sundimin e tij, do të realizohen këto premtime të Biblës:

▪ «Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’ Njerëzve që banojnë në vend, do t’u falet faji.»​—Isaia 33:24.

▪ «[Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»​—Zbulesa 21:4.

A nuk na jep zemër dijenia se së shpejti Perëndia do ta realizojë premtimin për t’u dhënë fund të gjitha vuajtjeve? Ndërkohë, të jemi të sigurt se na i dëgjon lutjet, edhe nëse përkohësisht i lejon vuajtjet.

Perëndia ekziston. Ai të dëgjon, edhe kur shpreh dhembje e brenga. Ai mezi pret atë kohë kur ta gëzosh jetën pa dyshime e dhembje.