Afrojuni Perëndisë
Jehovai i urren padrejtësitë
«NJERIU ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij.» (Eklisiastiu 8:9) Këto fjalë të dokumentuara rreth 3.000 vjet më parë, e përshkruajnë me saktësi botën ku jetojmë. Njerëzit priren të abuzojnë me pushtetin, pavarësisht se cilët janë ose ku jetojnë. Shpesh, viktima të tyre bien njerëzit e pambrojtur dhe ata në pozita të pafavorshme. Si ndihet Jehovai për padrejtësi të tilla? Përgjigjen e gjejmë tek Ezekieli 22:6, 7, 31.—Lexoje.
Në Ligjin që i dha Izraelit, Jehovai e bëri të qartë se njerëzit me autoritet kurrë nuk duhej ta keqpërdornin pushtetin. Ai do ta bekonte kombin vetëm nëse udhëheqësit i trajtonin me mirëdashje e konsideratë njerëzit e thjeshtë dhe të varfër. (Ligji i përtërirë 27:19; 28:15, 45) Gjithsesi, në kohën e Ezekielit, prijësit në Jerusalem dhe në Judë po abuzonin mizorisht me autoritetin. Çfarë po ndodhte?
Prijësit po e përdornin «forcën e krahut vetëm për të derdhur gjak». (Vargu 6) Termi «krah» përfaqëson pushtet ose autoritet. Një përkthim tjetër thotë kështu: «Ja princat e Izraelit: secili ka përdorur pushtetin e tij për të derdhur gjak.» Si mund të ketë drejtësi kur udhëheqësit që duhet të ruajnë ligjin dhe të nxitin zbatimin e tij, abuzojnë me pushtetin dhe marrin jetë të pafajshme?
Pasi thotë këtë, me sa duket Ezekieli fajëson jo vetëm udhëheqësit, por edhe ata që po njësoj nuk i binden Ligjit të Jehovait. Ezekieli thotë: «Te ti përçmohet ati dhe nëna.» (Vargu 7) Duke mos u dhënë prindërve vendin që u takonte, populli prishi institucionin themelor të kombit: familjen.—Dalja 20:12.
Populli i korruptuar i shfrytëzonte njerëzit pa përkrahje. Me çdo veprim të paligjshëm, ata shpërfillnin frymën e dashur që qëndronte pas Ligjit që Perëndia i kishte dhënë Izraelit. Për shembull, Ligji i Perëndisë i urdhëronte izraelitët të tregonin konsideratë të veçantë për joizraelitët që banonin mes tyre. (Dalja 22:21; 23:9; Levitiku 19:33, 34) Por populli ‘ia hante hakun’ të ardhurit.—Vargu 7.
Gjithashtu, «jetimi dhe vejusha», që s’kishin njeri t’i mbronte, keqtrajtoheshin nga populli. (Vargu 7) Jehovai është veçanërisht i ndjeshëm ndaj nevojave të atyre që u vdes prindi ose bashkëshorti. Perëndia kishte premtuar se ai vetë do t’i gjykonte ata që mundonin një fëmijë të pambrojtur ose vejushë.—Dalja 22:22-24.
Në këto dhe në mënyra të tjera, izraelitët e kohës së Ezekielit e shkelnin Ligjin e Perëndisë dhe e shpërfillnin frymën e dashur që nxiste ai. Çfarë do të bënte Jehovai? «Do ta derdh dënimin tim mbi ta»,—premtoi ai. (Vargu 31) Në përputhje me fjalën e tij, ai i lejoi babilonasit ta shkatërronin Jerusalemin dhe ta merrnin rob popullin në vitin 607 p.e.s.
Fjalët e Ezekielit na mësojnë këto dy gjëra për Jehovain dhe për padrejtësitë: së pari, ai i urren ato. Së dyti, ndien dhembshuri për viktimat e pafajshme. Perëndia nuk ka ndryshuar. (Malakia 3:6) Ai premton se së shpejti do t’i heqë padrejtësitë, bashkë me ata që i nxitin. (Proverbat 2:21, 22) Pse të mos mësosh më tepër për Perëndinë që «e do drejtësinë» dhe si t’i afrohesh më shumë atij?—Psalmi 37:28.
Sugjerim për leximin e Biblës gjatë gushtit:
[Diçitura në faqen 27]
Jehovai e bëri të qartë se njerëzit me autoritet kurrë nuk duhej ta keqpërdornin pushtetin