Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse duhet të na interesojnë mrekullitë?

Pse duhet të na interesojnë mrekullitë?

Pse duhet të na interesojnë mrekullitë?

«Mrekullitë, nga vetë fjala, dhunojnë parimet e shkencës.»​—RIÇARD DOKINSI, ISH-PROFESOR PËR KUPTUESHMËRINË PUBLIKE TË SHKENCËS.

«Është krejtësisht e arsyeshme të besosh te mrekullitë. Ato nuk bien në kundërshtim me besimin fetar, por tregojnë se Perëndia e do krijimin dhe përfshihet vazhdimisht në të.»​—ROBERT A. LARMERI, PROFESOR FILOZOFIE.

«A BESON te mrekullitë?» Siç duket nga citimet e mësipërme, për këtë ka mendime nga më të ndryshmet. Por, si do t’i përgjigjeshe ti pyetjes?

Ndoshta ngurron të thuash: «Po, besoj.» Mbase mendon se po ta bësh këtë, mund të dukesh si i dhënë pas besëtytnive ose i paarsimuar. Mjaft veta mendojnë njësoj.

Nga ana tjetër, ndoshta je i bindur se mrekullitë ndodhin vërtet. Ka mundësi të besosh te mrekullitë e dokumentuara në Bibël, si ajo për Moisiun që ndau Detin e Kuq. Mund të besosh edhe se mrekullitë ndodhin në kohën tonë. Në fakt, një raport i kohëve të fundit tregon se «një numër domethënës i popullsisë së botës perëndimore​—për shembull rreth tre të katërtat e atyre që jetojnë në Shtetet e Bashkuara dhe 38 për qind e atyre që jetojnë në Britani—​vazhdojnë të besojnë te mrekullitë». (The Cambridge Companion to Miracles, botuar nga Graham H. Tuelftri) Për më tepër, mrekullitë nuk i besojnë vetëm të krishterët. Sipas një enciklopedie (Britannica Encyclopedia of World Religions), besimi te ngjarjet e mrekullueshme «është tipar thuajse i të gjitha feve».

Ndoshta i përket një grupi të tretë, që do të përgjigjej: «Nuk e di dhe as më intereson fare! Në jetën time nuk ndodhin mrekulli!» Vërtet, pse duhet të të interesojnë mrekullitë?

Mendo për këtë situatë: ta zëmë se ke një sëmundje të pashërueshme. Po të lexoje një lajm në një revistë mjekësore me emër për një ilaç të ri që mund të të shërojë, a nuk do t’ia vlente të harxhoje të paktën ca kohë dhe energji për të shqyrtuar faktet? Në mënyrë të ngjashme, Bibla premton se së shpejti do të ndodhin disa mrekulli mbresëlënëse. Ato do të ndikojnë në jetën e çdo krijese në planet. A nuk do t’ia vlente të harxhoje ca kohë dhe energji për të parë nëse ky premtim është i besueshëm?

Por, para se të shqyrtojmë se cilat janë këto mrekulli, le t’u përgjigjemi tri kundërshtimeve të përhapura për mrekullitë.

[Kutia në faqen 3]

ÇFARË ËSHTË NJË MREKULLI?

Është një ngjarje përtej çdo fuqie të njohur njerëzore a natyrore dhe zakonisht i atribuohet një lloj fuqie të mbinatyrshme.