Fuqia e Fjalës së Perëndisë në një familje hinduiste
NUK do ta harroj kurrë mëngjesin e së hënës më 22 gusht 2005, kur u mblodha me familjarët e mi. Jeta ime ishte në fije të perit, pasi kisha një tumor të madh në tru. Burri, Krishni, bëri një lutje e më pas fola me familjen.
«Do të shkoj në spital për një operacion shumë të rrezikshëm,—u shpjegova—prandaj të gjithë duhet të jeni të përgatitur, cilatdo qofshin pasojat. Kam marrë masa për funeralin, nëse do të lindë nevoja. Ju që adhuroni Jehovain, ju lutem mos u dorëzoni. Ju të tjerëve, ju përgjërohem të pranoni një studim biblik dhe të ndiqni mbledhjet e krishtere. Kështu do të arrini të besoni njësoj si unë te bota e re që po vjen, ku adhuruesit e vërtetë të Perëndisë do të jetojnë përgjithmonë me shëndet të përsosur në një tokë parajsore.»
Para se t’ju shpjegoj si doli operacioni, më lini t’ju tregoj për të kaluarën time dhe si e njoha Perëndinë e vërtetë.
Rritem si hinduiste
Familja jetonte në një shtëpi të madhe prej druri e hekuri në një kodër, në qytetin bregdetar të Durbanit, në Afrikën e Jugut. Për të arritur te porta e shtëpisë, së pari na duhej të ngjitnim 125 shkallë nga rruga kryesore në luginën poshtë. Këto shkallë çonin në një shteg me shkurre që na nxirrte te një portë hekuri. Në njërën anë të portës gjendej tempulli i gjyshes sime, që ishte plot figura e shëmbëlltyra të perëndive hinduiste. Gjyshja më tha se isha «fëmijë tempulli» (në indisht mander ki beça) sepse perënditë që adhuronim ishin përgjegjëse për lindjen time. Përballë këtij tempulli kishte një sërë shkallësh të kuqe e të lëmuara që çonin në derën kryesore. Shtëpia ishte e madhe, me një korridor të gjatë, me kuzhinë të madhe që kishte një sobë qymyri, me shtatë dhoma gjumi dhe me një aneks fjetjeje. Në këto dhoma jetonin 27 nga ne, ku përfshiheshin gjyshërit, babai, tre vëllezërit e tij më të vegjël, motra e tij më e vogël, si dhe familjet e tyre.
S’ishte e lehtë të kujdeseshe për nevojat e një familjeje kaq të madhe. Por, jetesa së bashku e mbajti familjen të lidhur dhe na dha shumë kujtime të bukura. Të katër nuset, përfshirë nënën time, Gargi Devin, ndanin punët e shtëpisë. Ato e bënin me radhë gatimin dhe pastrimin. Gjyshi ishte kreu i shtëpisë dhe blinte ushqimin për gjithë familjen. Çdo të mërkurë, gjyshërit shkonin në pazar për të blerë mish, fruta dhe perime për javën. Ne uleshim nën hijen e një pishe buzë lumit, nga ku dukej lugina poshtë, dhe pritnim që të ktheheshin nga pazari. Sa i dallonim që zbritnin nga autobusi me shportat e mëdha, vraponim teposhtë 125 shkallëve që t’i ndihmonim për të çuar gjërat në shtëpi.
Në kopshtin tonë ndodhej një palmë e gjatë ku kishin bërë fole zogj që quhen shtura. I shihnim të fluturonin lart e poshtë dhe dëgjonim cicërimat e tyre. Gjyshja ulej te shkallët e derës së përparme dhe na tregonte histori. Dukej sikur shpjegonte tingujt e shturave. Sa kujtime të bukura kam nga jeta në atë shtëpi! Qeshnim, qanim, luanim, buzëqeshnim, ndanim gjërat me njëri-tjetrin—na pëlqente të jetonim së bashku si familje e madhe. Ç’është më e rëndësishmja, në këtë vend filluam të mësonim për Krijuesin tonë, Jehovain, dhe për Birin e tij, Jezu Krishtin.
Para se të mësonim për Jehovain, adhurimi si hinduistë përfshinte përditë shumë rituale. Gjithashtu bënim festime të mëdha në intervale të rregullta, ku ftonim mysafirë për të përnderuar perëndesha e perëndi të ndryshëm. Në disa prej këtyre ritualeve, gjyshja binte në përhumbje e komunikonte me frymërat dhe, tamam në mesnatë, ofroheshin flijime kafshësh që këto frymëra të qetësoheshin. Edhe gjyshi ishte i njohur në komunitet për kontributet bamirëse që jepte për ndërtimin dhe funksionimin e shkollave publike e të tempujve hinduistë.
Gjejmë të vërtetën për Jehovain
Në vitin 1972, gjyshi u sëmur dhe vdiq. Ca muaj më vonë, gruaja e njërit prej xhaxhallarëve, e cila quhej Indervati, e njohur edhe si Xhena, pranoi revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! nga dy Dëshmitare të Jehovait. Ajo ndihej fajtore që nuk i kishte ftuar në shtëpinë tonë për një bisedë. Gjithmonë i kishim kthyer mbrapsht Dëshmitarët. Por, kur erdhën prapë, nusja e xhaxhait i ftoi brenda dhe u foli për një problem martesor, për burrin e saj që abuzonte me alkoolin. Fqinjët dhe të afërmit e kishin nxitur nusen e xhaxhait të divorcohej. Dëshmitaret i shpjeguan pikëpamjen e Perëndisë për martesën. (Mateu 19:6) Asaj i bënë shumë përshtypje këshillat biblike dhe premtimi se do të kemi një jetë më të mirë në tokë. * Ndryshoi mendje dhe vendosi të mos ndahej nga xhaxhai. Ajo nisi të studionte rregullisht Biblën me Dëshmitarët. Ndërsa studionte në dhomën e ndenjjes në shtëpinë tonë, edhe nuset e tjera dëgjonin nga dhomat e tyre.
Me kalimin e kohës, të gjitha nuset u bashkuan në studimin e Biblës. Teta Xhena u fliste të tjerëve për atë që mësonte dhe shpesh na lexonte e na shpjegonte tregime nga libri Dëgjoni Mësuesin e Madh. * Kur xhaxhallarët morën vesh se nuset e tyre po studionin Biblën, nisën të na kundërshtonin. Njëri prej tyre na mori të gjithë literaturën, ku përfshihej edhe Bibla, dhe e dogji. Ata na trajtonin keq si gojarisht, edhe fizikisht, ngaqë shkonim në mbledhje. Babai im ishte i vetmi që nuk shfaqi këtë qëndrim; kurrë nuk na kundërshtoi që po mësonim për Jehovain. Që të katërta nuset vazhduan të ndiqnin mbledhjet e ta donin më shumë Perëndinë Jehova.
Në vitin 1974, teta Xhena u pagëzua si Dëshmitare e Jehovait dhe shpejt pas saj edhe nëna ime me kunatat e tjera. Me kalimin e kohës, gjyshja hoqi dorë nga praktikat fetare hinduiste. Për vite me radhë shkoja me to në të gjitha mbledhjet e krishtere. Pastaj, në një kongres të madh të Dëshmitarëve të Jehovait, një Dëshmitare që quhej Shemila Rempersadi më pyeti: «Kur do të pagëzohesh?» Iu përgjigja: «Nuk pagëzohem dot, sepse asnjë nuk ka studiuar ndonjëherë Biblën me mua.» Ajo u tregua e gatshme të studionte me mua. U pagëzova në kongresin tjetër, më 16 dhjetor 1977. Gradualisht, nga 27 pjesëtarët e familjes sime që jetonin së bashku, u pagëzuan 18 veta. Por, në kohën kur do të operohesha, babai, Soni Devi, ishte ende hinduist.
«Mos jini në ankth për asgjë»
Fjalët e dokumentuara te Filipianëve 4:6, 7 më kanë ndihmuar tej mase, sidomos pasi u diagnostikova me një tumor të madh në tru. Këto vargje thonë: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime. Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.» Është e vështirë të mos jesh «në ankth për asgjë», veçanërisht kur të thonë se mund të vdesësh nga çasti në çast. Në fillim, vetëm qaja, më pas i lutesha Jehovait. Që nga ajo kohë, kam përjetuar «paqen e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim».
Perëndia Jehova më kapi nga dora e djathtë, si të thuash, dhe e ndjeva vërtet se më udhëhoqi gjatë gjithë kohës. (Isaia 41:13) Ai më ndihmoi t’i shpjegoja me guxim personelit mjekësor se isha e vendosur t’i bindesha urdhrit biblik për t’u përmbajtur nga gjaku. (Veprat 15:28, 29) Si rrjedhojë, kirurgu dhe anestezisti pranuan të më operonin pa transfuzion gjaku. Më pas, kirurgu shpjegoi se operacioni doli me sukses dhe se ma kishin hequr të gjithë tumorin. Gjithashtu tha se nuk kishte parë ndonjëherë një pacient që ta merrte veten kaq shpejt pas një ndërhyrjeje të tillë në tru.
Tri javë më vonë drejtova një studim biblik nga shtrati. Në fund të javës së shtatë nisa sërish t’i jepja makinës, të dilja në predikim dhe të shkoja në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. E çmoja mbështetjen e vëllezërve e të motrave të krishtere, të cilët punonin përkrah meje në veprën e ungjillëzimit. Ata siguroheshin që të mos isha asnjëherë vetëm e që të kthehesha e sigurt në shtëpi. Mendoj se dëgjimi i incizimit të Biblës dhe përqendrimi te aspektet që lidhen me besimin tim, më ndihmuan që të shërohesha aq shpejt.
Gjithashtu u gëzova kur mora vesh se, pas operacionit, edhe babai pranoi të studionte Biblën me Dëshmitarët. U pagëzua në moshën 73-vjeçare dhe tani i shërben me zell Jehovait. Tani, mbi 40 veta nga familja ime e zgjeruar janë bashkuar me ne në adhurimin e Jehovait. Ndonëse më është dëmtuar shikimi i anës së majtë dhe kafkën ma mbajnë të bashkuar disa kapëse metalike, mezi pres kohën kur Jehovai do të bëjë «çdo gjë të re» në Parajsën tokësore që po vjen.—Zbulesa 21:3-5.
Jam bekuar me një bashkëshort të dashur që shërben si mbikëqyrës i krishterë dhe me një vajzë të bukur me emrin Klirista, e cila më mbështet teksa vazhdoj të shërbej si predikuese në kohë të plotë. Perëndia Jehova e ka bekuar jashtëzakonisht shërbimin tim. Deri tani, kam arritur të ndihmoj mjaft nga studentët biblikë të përjetojnë në jetën e tyre fuqinë e Fjalës së Perëndisë. Më shumë se 30 prej tyre i janë kushtuar Perëndisë dhe janë pagëzuar.
Me zemrën plot shpresë, mezi pres kohën kur Perëndia Jehova do të na çlirojë nga ky sistem plot dhimbje dhe do të na çojë në një parajsë tokësore.
^ par. 12 Për më shumë informacion rreth qëllimit të Perëndisë për tokën, shih kapitullin 3 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
^ par. 13 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.