Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 Bisedë me një të interesuar

A i ndëshkon Perëndia njerëzit në ferrin e zjarrtë?

A i ndëshkon Perëndia njerëzit në ferrin e zjarrtë?

DËSHMITARËT E JEHOVAIT kënaqen kur flasin për Biblën me të tjerët. A keni pyetje për ndonjë temë biblike? A jeni kureshtar për ndonjë bindje ose praktikë fetare të Dëshmitarëve të Jehovait? Nëse po, mos ngurroni të flitni për këto herën tjetër që do të takoni një Dëshmitar. Ai ose ajo do të bisedojë me kënaqësi për këto çështje.

Më poshtë tregohet një bisedë tipike që një Dëshmitar i Jehovait bën me dikë. Le të përfytyrojmë sikur një Dëshmitar që quhet Marin ka shkuar të predikojë në shtëpinë e një burri me emrin Aleks.

A do t’i ndëshkojë Perëndia njerëzit e ligj?

Marini: Gëzohem që të takoj sërish, Aleks.

Aleksi: Edhe unë gëzohem.

Marini: Kam menduar për diçka që përmende herën e kaluar kur të takova.

Aleksi: Për çfarë?

Marini: Më the se u habite kur dëgjove se Dëshmitarët e Jehovait nuk besojnë te ferri i zjarrtë.

Aleksi: Po, kjo më habiti. Dhe që të jem i sinqertë, vështirë ta pranoj se nuk e besoni.

Marini: E vlerësoj që ma the këtë. Më ka interesuar gjithmonë të dëgjoj pikëpamjen e të tjerëve. Meqë njerëzit kanë shumë ide për ferrin e zjarrtë, a mund të më shpjegosh çfarë mendon ti për të?

Aleksi: Në fakt, gjithmonë kam besuar se njerëzit që janë vërtet të këqij shkojnë në ferr kur vdesin, dhe atje mundohen përgjithmonë.

Marini: Shumë njerëz mendojnë kështu. Aleks, mund të të pyes nëse të kanë ndodhur gjëra të këqija në jetë?

Aleksi: Po. Pesë vjet më parë më kanë vrarë motrën.

Marini: Më vjen vërtet keq. Besoj se të merr malli shumë për të.

Aleksi: Po. E mendoj çdo ditë.

Marini: Kam vërejtur se disa janë të bindur që ekziston ferri i zjarrtë, ngaqë kanë vuajtur nga veprimet e njerëzve të ligj. Në fund të fundit, viktimat e pafajshme duan që njerëzit e këqij të paguajnë për veprimet e tyre.

Aleksi: Pikërisht! Dua që vrasësi i motrës të paguajë për atë që i bëri familjes sime.

Marini: Natyrisht, këto ndjenja janë normale. Bibla mëson se edhe Perëndisë i ndizet zemërimi kur njerëzit e pafajshëm bien viktima, dhe premton se do t’i ndëshkojë të ligjtë.  Shiko çfarë thuhet këtu tek Isaia 3:11: «Mjerë i ligu! Atij do t’i bjerë gjëma, sepse ajo që u bëri të tjerëve me duart e tij, do t’i bëhet atij!» Prandaj, mund të jemi të sigurt se Perëndia do t’i ndëshkojë njerëzit e ligj.

Aleksi: Por si do ta bëjë këtë nëse ferri i zjarrtë nuk ekziston, siç thua ti?

Marini: Kjo është pyetje interesante. Me pak fjalë, përgjigjja është se Perëndia i ndëshkon të ligjtë me shkatërrim të përhershëm. Mendo se çfarë thotë Bibla këtu te 2 Selanikasve 1:9. Të lutem, a mund ta lexosh këtë varg?

Aleksi: Sigurisht. Thotë: «Ata do të ndëshkohen me shkatërrim të përhershëm, do të flaken larg syve të Zotërisë.»

Marini: Pra Aleks, siç tregohet këtu, për njerëzit e ligj nuk ka asnjë shpresë, sepse Perëndia i ndëshkon me vdekje të përjetshme. Ata s’kanë asnjë shpresë për jetë në të ardhmen.

Aleksi: E shoh çfarë thotë vargu, por nuk më duket e drejtë. Të gjithë vdesin. A nuk meritojnë ndëshkim më të rëndë njerëzit e këqij?

Çfarë kërkon drejtësia?

Marini: Shoh që drejtësia të intereson.

Aleksi: Po, më intereson. Shumë madje.

Marini: Sa mirë! Ç’është e vërteta, njerëzit e kanë ndjenjën e së drejtës dhe të së gabuarës, sepse Perëndia na krijoi kështu. Edhe atij i intereson shumë drejtësia. Por, kur udhëheqësit fetarë mësojnë se Perëndia i ndëshkon njerëzit në ferrin e zjarrtë, faktikisht po e portretizojnë Perëndinë si shumë të padrejtë.

Aleksi: Çfarë do të thuash me këtë?

Marini: Po ja, të bëjmë një shembull. E ke parasysh tregimin për Adamin dhe Evën?

Aleksi: Po. Perëndia u tha të mos hanin frytin e një peme, por ata nuk iu bindën.

Marini: Tamam. Le t’i hedhim një sy tregimit të Biblës te Zanafilla 2:16, 17. Vargjet thonë: «Perëndia Jehova i dha këtë urdhër njeriut: ‘Mund të hash sa të ngopesh nga çdo pemë e kopshtit. Por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur.’» Pra, çfarë tha Perëndia se do t’i ndodhte Adamit po të hante frytin e ndaluar?

Aleksi: Ai tha se Adami do të vdiste.

Marini: Pikërisht. Vetëm mendo pak: për shkak të mëkatit që kreu Adami, i gjithë njerëzimi lindi në mëkat. * Prapëseprapë, a tha Perëndia ndonjë gjë për ndëshkimin në ferrin e zjarrtë?

Aleksi: Jo.

Marini: Por, nëse ekzistonte rreziku që Adami dhe Eva të mundoheshin përjetë, a nuk do t’i kishte paralajmëruar Perëndia? A nuk do të ishte kjo diçka e drejtë dhe e dashur?

Aleksi: Do të thosha po.

Marini: Mendo edhe për fjalët që Perëndia i tha Adamit dhe Evës pasi mëkatuan. A mund ta lexosh të lutem Zanafillën 3:19?

Aleksi: Dakord. Aty thuhet: «Do të hash bukë me djersën e ballit, derisa të kthehesh në dhé, sepse prej tij u more. Sepse ti je pluhur, dhe në pluhur do të kthehesh.»

Marini: Faleminderit! Sipas Fjalës së Perëndisë, ku do të shkonte Adami kur të vdiste?

Aleksi: Ai tha se Adami do të kthehej në pluhur.

Marini: Po, ashtu është. Tani, a nuk je dakord se për t’u kthyer në një vend, duhet të kesh qenë atje përpara?

Aleksi: Sigurisht.

Marini: Dhe, ku ishte Adami para se ta krijonte Perëndia?

Aleksi: Nuk ekzistonte.

Marini: Mirë e the. Do të shohim edhe se ferri i zjarrtë nuk përmendet fare në gjykimin që dha Perëndia. A do të ishte e drejtë që  Perëndia t’i thoshte Adamit se do të kthehej në dhé, nga u krijua, kur në të vërtetë do të shkonte në një ferr të zjarrtë?

Aleksi: Jo, s’do të ishte e drejtë. Por, nëse njerëzit s’kanë frikë nga ferri i zjarrtë, a nuk do të bëjnë më tepër krime?

A përputhet ferri i zjarrtë me dashurinë e Perëndisë?

Marini: Po ja, s’mund të themi se shkalla e krimit në vende ku njerëzit besojnë te ferri i zjarrtë është më e ulët se në vende të tjera. Në fakt, mund të jetë krejt e kundërta. Si mendon, a i duket e tmerrshme tortura atij që beson se vetë Perëndia i torturon njerëzit?

Aleksi: Mendoj se jo.

Marini: Le të shohim nga Bibla ç’pikëpamje ka Perëndia për torturën. Të lutem, a mund të lexosh Jereminë 7:31?

Aleksi: Patjetër. Këtu thuhet: «Ata kanë ngritur vendet e larta të Tofetit, i cili ndodhet në luginën e birit të Hinomit, për të djegur bijtë dhe bijat e tyre në zjarr, gjë që nuk e urdhërova dhe nuk më ka shkuar kurrë ndër mend.»

Marini: Nëse Perëndisë nuk i ka shkuar kurrë ndër mend, pa dyshim që nuk do ta bënte këtë në një shkallë shumë më të madhe.

Aleksi: Hmm. Ke të drejtë.

Marini: Ta ilustrojmë pak. Ti je baba, apo jo?

Aleksi: Po, kam një djalë. Sapo ka mbushur 15 vjeç.

Marini: Mendo sikur djali rebelohet shumë. Bën mjaft gjëra të këqija që të trishtojnë. Çfarë do të bëje?

Aleksi: Do të përpiqesha ta ndreqja.

Marini: Jam i sigurt se do të bëje përpjekje të vazhdueshme për ta ndihmuar të ndryshonte.

Aleksi: Patjetër që po.

Marini: Ta zëmë se ai i hedh poshtë gjërat që i thua, sado që të përpiqesh. Me kalimin e kohës, ti mendon se s’ke rrugë tjetër veçse ta ndëshkosh në njëfarë mënyre.

Aleksi: Po.

Marini: A do t’ia vije dorën në zjarr djalit?

Aleksi: Jo, kurrë!

Marini: A do të bënte Krijuesi ynë i dashur atë që asnjë prind i drejtë nuk do ta bënte?

Aleksi: Jo, s’e besoj.

Jehovai do t’i japë fund gjithë ligësisë

Marini: Megjithatë, ji i sigurt se Perëndia do të veprojë kundër njerëzve të ligj që s’duan të ndryshojnë. Mbase mund të lexojmë një shkrim të fundit që e sqaron këtë pikë. Shkrimi është Psalmi 37:9. A mund ta lexosh të lutem?

Aleksi: Në rregull. Shkrimi thotë: «Keqbërësit do të shfarosen, kurse ata që shpresojnë te Jehovai, do të trashëgojnë tokën.»

Marini: Faleminderit. A e vure re ç’do të bëjë Perëndia Jehova me keqbërësit?

Aleksi: Vargu thotë se Perëndia do t’i shfarosë.

Marini: E drejtë. Me fjalë të tjera, do t’i shkatërrojë përgjithmonë. Por njerëzit e mirë, «ata që shpresojnë te Jehovai», do ta gëzojnë përgjithmonë jetën këtu në tokë. Sigurisht, kjo mund të ngrejë pyetje të tjera. Për shembull, pse nuk i ndalon Perëndia njerëzit që të mos kryejnë ligësi? Dhe, nëse vërtet ka ndër mend t’i ndëshkojë të ligjtë, pse nuk e ka bërë tashmë?

Aleksi: Pyetje interesante.

Marini: Mbase t’i tregoj përgjigjet nga Bibla kur të takohemi herën tjetër. *

Aleksi: Do të më pëlqente, pse jo?

^ par. 75 Për më shumë informacion, shih kapitullin 11 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.