Korrupsioni do të marrë fund!
«Shpreso te Jehovai dhe ndiq udhët e tij . . . Ti do të shohësh kur të shfarosen të ligjtë.»—PSALMI 37:34.
SHUMË veta mendojnë se korrupsioni është i pashmangshëm dhe se nuk do të eliminohet kurrë plotësisht. A mendon edhe ti kështu? Nëse po, ky merak është i kuptueshëm. Përgjatë gjithë historisë, njerëzit kanë provuar çdo lloj qeverisjeje të imagjinueshme. Prapëseprapë, asnjëherë nuk ia kanë dalë mbanë ta zhdukin një herë e mirë korrupsionin. A ka shpresë që një ditë të gjithë njerëzit të sillen ndershmërisht me njëri-tjetrin?
Jemi të lumtur që Bibla përgjigjet po! Ajo na thotë se Perëndia do të ndërhyjë që ta spastrojë tokën nga korrupsioni. Si do ta bëjë këtë? Me anë të Mbretërisë së tij, një qeveri qiellore që do ta shndërrojë tërësisht tokën. Kjo është e njëjta Mbretëri për të cilën Jezui i mësoi dishepujt të luteshin. Në lutjen që nganjëherë quhet Lutja e Zotërisë ose Ati Ynë, Jezui tha: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë.»—Mateu 6:10, Diodati i Ri.
Në lidhje me Jezu Krishtin, sundimtarin e kësaj Mbretërie, Bibla parathotë: «Ai do ta çlirojë të varfrin që thërret për ndihmë, si dhe të munduarin e këdo që nuk ka kush e ndihmon. Atij do t’i dhimbset i përvuajturi dhe i varfri, dhe do ta shpëtojë shpirtin e të varfërve. Nga shtypja dhe dhuna, do t’ua shpengojë shpirtin.» (Psalmi 72:12-14) Shkrimi tregon se Jezui i kupton ata që janë viktima të korrupsionit dhe do të veprojë ndaj kësaj shtypjeje! A nuk të jep zemër kjo?
Në duart e këtij Sundimtari të fuqishëm e të dhembshur, Mbretëria e Perëndisë do ta spastrojë tokën nga korrupsioni. Si? Duke zhdukur tri shkaqet e korrupsionit.
Ndikimi i mëkatit
Sot për sot, të gjithë kemi një betejë me prirjet mëkatare që na nxitin të veprojmë me egoizëm. (Romakëve 7:21-23) Megjithatë, ka njerëz të mirë që duan të bëjnë atë që është e drejtë. Me anë të vdekjes së Jezu Krishtit, Perëndia ka siguruar një masë për faljen e mëkateve. * (1 Gjonit 1:7, 9) Ata që tregojnë besim te kjo masë do të mund të nxjerrin dobi nga vepra më e madhe e dashurisë, siç e lexojmë te Gjoni 3:16: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»
Për njerëzit besnikë, Perëndia do të bëjë diçka vërtet të mrekullueshme. Në botën e re që do të vijë, ai do t’i heqë tërë gjurmët e mëkatit. Falë tij, dalëngadalë njerëzit do të bëhen të përsosur dhe do të kenë një qëndrim të drejtë. (Isaia 26:9; 2 Pjetrit 3:13) Ndikimi i mëkatit s’do t’i korruptojë më kurrë njerëzit. Nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë, njerëzit besnikë do të lirohen nga skllavëria e korrupsionit.
Ndikimi i botës së ligë ku jetojmë
Mjerisht, shumë veta sot i bëjnë të tjerët qëllimisht viktima. Ata përfitojnë nga njerëzit e përvuajtur e të varfër, si edhe ndikojnë te të tjerë që të korruptohen edhe ata. Bibla i këshillon këta individë: «I ligu le ta lërë rrugën e tij dhe shpirtkeqi le t’i largojë mendimet e tij.» Nëse këta persona të korruptuar pendohen, Bibla premton se Perëndia ‘do t’i falë në masë të madhe’.—Isaia 55:7.
Gjithsesi, Perëndisë s’do t’i mbetet rrugë tjetër veçse t’i shfarosë ata që me kokëfortësi s’duan të ndryshojnë udhë. Nëpërmjet Mbretërisë së Perëndisë do të bëhet realitet ky premtim i Biblës: «Shpreso te Jehovai dhe ndiq udhët e tij. . . . Ti do të shohësh kur të shfarosen të ligjtë.» * (Psalmi 37:34) Kur të ligjtë e pandreqshëm të kenë marrë fund, adhuruesit besnikë të Perëndisë nuk do të bien më viktima të korrupsionit.
Ndikimi i Satana Djallit
Kryesori ndër mëkatarët e papenduar është Satana Djalli. Sa mirënjohës jemi që Jehovai do ta kufizojë së shpejti Satanain, i cili s’do të ketë mundësi të ndikojë te njerëzit! Në fund, Perëndia do ta shkatërrojë plotësisht Satanain. Ky përbindësh i lig nuk do të ndikojë më kurrë te njerëzit që të veprojnë në mënyrë të korruptuar.
Vërtet, ideja se Perëndia do t’i zhdukë tërë shkaqet e korrupsionit mund të duket thjesht një ëndërr. Mbase pyet veten: «A i ka vërtet mundësitë Perëndia për t’i sjellë këto ndryshime? Nëse po, pse nuk e ka bërë tashmë?» Këto janë pyetje me vend dhe Bibla jep përgjigje të kënaqshme. * Të ftojmë ta shqyrtosh vetë çfarë mëson Bibla për të ardhmen e afërt, kur i gjithë korrupsioni të jetë zhdukur përgjithmonë.
^ par. 8 Për më shumë informacion se si vdekja e Jezuit mund të falë mëkatet, shih kapitullin 5 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
^ par. 12 Jehova është emri i Perëndisë siç tregohet në Bibël.
^ par. 15 Për më shumë informacion, shih kapitujt 3, 8 dhe 11 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?