Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është e mundur të jesh i ndershëm në një botë të korruptuar?

A është e mundur të jesh i ndershëm në një botë të korruptuar?

«Duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.»​—HEBRENJVE 13:18.

PAVARËSISHT nga natyra mëkatare, nga bota ku jetojmë dhe nga presioni i madh që na ushtron Djalli, ne mund t’u rezistojmë ndikimeve të tyre. Si? Duke iu afruar Perëndisë dhe duke zbatuar parimet e Fjalës së tij, Biblës, të cilat kanë dalë të dobishme përgjatë shekujve. Shqyrto dy shembuj.

PARIMI BIBLIK: «Mjaft u brumosët sipas kësaj bote.»​—Romakëve 12:2.

«Bibla më ka ndihmuar të kuptoj sa dobi sjell ndershmëria.»​—GILJERMI

Përvojë reale: Giljermi është një biznesmen i suksesshëm nga Brazili. Ai e pranon se nuk është e lehtë të jesh i ndershëm. «Një biznesmen fare kollaj mund të nisë të tregohet i pandershëm, mbase nga presioni për të arritur synimet e firmës ose për të mbijetuar në një botë konkurruese,—thotë ai.—Për shumë veta është normale të japësh e të marrësh ryshfet. Kur je sipërmarrës dhe ke përgjegjësi të  mëdha financiare, është sfidë të tregohesh i ndershëm.»

Gjithsesi, Giljermi i ka bërë ballë me sukses presionit për të qenë i pandershëm. Ai thotë: «Edhe në një ambient biznesi ku tolerohet shkelja e disa rregullave, është e mundur të jesh i ndershëm. Duhet të kesh vlera të forta morale. Bibla më ka ndihmuar të kuptoj sa dobi sjell ndershmëria. Një person i ndershëm ka ndërgjegje të pastër, qetësi të brendshme dhe respekt për veten. Ka ndikim pozitiv te të tjerët përreth.»

PARIMI BIBLIK: «Por ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë pasione të paarsyeshme dhe të dëmshme, që i plandosin njerëzit në rrënim dhe shkatërrim. Sepse lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave.»​—1 Timoteut 6:9, 10, Diodati i Ri.

«Jam i lumtur që kam fituar reputacion të mirë, ngaqë kam zbatuar parimet e larta morale të Biblës.»​—ANDREI

Përvojë reale: Andrei është pronari i një firme që instalon sisteme sigurie. Një nga klientët e tij është një klub i madh futbolli. Në një rast, pas një ndeshjeje të rëndësishme, Andrei shkoi te zyrat e administratës dhe i paraqiti faturën për shërbimet e kryera. Sektori i financës kishte ende shumë punë duke numëruar paratë që sapo i kishin dhënë zyrat e biletave. Meqë tashmë ishte bërë vonë, përgjegjësi i pagoi me nxitim furnizuesit, ku përfshihej edhe Andrei.

«Rrugës për në shtëpi, vura re se përgjegjësi më kishte dhënë më tepër pará,—tregon Andrei.—E dija se mbase s’do ta merrte vesh kurrë se kujt i kishte dhënë pará tepër. Por, gjithashtu e dija se ky i shkretë do t’i paguante nga xhepi i vet paratë që mungonin. Vendosa të kthehesha. Arrita të çaja rrugën përmes një turme me tifozë dhe ia ktheva paratë e tepërta. Përgjegjësi u habit tej mase. Askush nuk i kishte kthyer ndonjëherë pará.»

«Nga ky veprim i ndershëm fitova respektin e përgjegjësit,—vazhdon Andrei.—Kanë kaluar disa vjet dhe, nga të gjithë furnizuesit e parë, unë jam i vetmi që kam ende kontratë me klubin. Jam i lumtur që kam fituar reputacion të mirë, ngaqë kam zbatuar parimet e larta morale të Biblës.»

Marrim zemër duke ditur se, me ndihmën e Perëndisë, mund t’u rezistojmë ndikimeve korruptuese. Megjithatë, përpjekjet individuale nuk do ta çrrënjosin kurrë korrupsionin. Shkaqet shkojnë thellë, tepër thellë për t’i zgjidhur njerëzit e papërsosur. Por, a do të thotë kjo se korrupsioni s’do të marrë fund kurrë? Artikulli i fundit i kësaj serie nxjerr në pah përgjigjen inkurajuese nga Bibla.