Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse ka ende korrupsion?

Pse ka ende korrupsion?

«Njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij.»​—EKLISIASTIU 8:9.

KY POHIM e përshkruan më së miri historinë e sundimit njerëzor, përgjegjës për vuajtjet dhe mizoritë e papërshkrueshme. Përgjatë tërë epokave, edhe njerëz me qëllime të mira që janë përpjekur të vendosin një shoqëri më të drejtë, janë mposhtur vazhdimisht nga lakmia dhe korrupsioni. Pse ndodh kjo? Pse ka ende korrupsion? Sepse në themel të tij qëndrojnë tri ndikime të këqija.

1. Ndikimi i mëkatit.

Bibla e thotë qartë se jemi «të gjithë nën mëkat». (Romakëve 3:9) Ashtu si një sëmundje e pashërueshme që trashëgohet, mëkati «banon» brenda nesh. Për mijëra vjet, mëkati ‘ka mbretëruar’ mbi njerëzit. ‘Ligji’ i tij vepron pa ndërprerje te ne. Prirjet mëkatare i nxitin shumë njerëz të vënë në radhë të parë interesat e tyre a të jetojnë vetëm për të fituar zotërime materiale ose autoritet në kurriz të të tjerëve.​—Romakëve 5:21; 7:17, 20, 23, 25.

 2. Ndikimi i botës së ligë ku jetojmë.

Bota ku jetojmë karakterizohet nga lakmia dhe egoizmi. Në këtë ambient disa e kanë të vështirë të jenë ndryshe. Të nxitur nga ambicia egoiste, ata bëhen të etur për pushtet. Gjithashtu kanë dëshirë të zjarrtë për më tepër para dhe zotërime, më tepër nga sa u duhen vërtet. Mjerisht, janë gati të sillen me pandershmëri që të arrijnë këto synime. Në vend që t’u rezistojnë ndikimeve të këqija, këta njerëz ‘shkojnë pas shumicës për qëllime të liga’.​—Dalja 23:2.

3. Ndikimi i Satana Djallit.

Satanai, një krijesë e padukshme rebele, po «mashtron gjithë tokën e banuar». (Zbulesa 12:9) Ai e ka për kënaqësi t’i manipulojë njerëzit. Mund ta shfrytëzojë me dinakëri dëshirën e natyrshme që ka dikush për rehati materiale ose për mirëqenie financiare, deri në atë pikë sa individi të veprojë me mashtrim.

A do të thotë kjo se jemi thjesht kukulla teatri në duart e Satanait, të detyruar t’i bindemi kur ai tërheq fijet? Arsyen do ta kuptojmë në artikullin pasardhës.