A e dini?
A ka dëshmi se të krishterët ikën nga Judea para se Jerusalemi të shkatërrohej në vitin 70 të e.s.?
«Kur ta shikoni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë e fushuara, atëherë dijeni se shkretimi i tij është afruar. Atëherë ata në Jude le të fillojnë të ikin në male, ata që janë brenda qytetit, të largohen.» (Luka 21:20, 21) Jezui u dha këto udhëzime dishepujve të tij në lidhje me shkatërrimin që do t’i ndodhte Jerusalemit. A ka ndonjë dëshmi që dishepujt t’ia kenë vënë veshin paralajmërimit të Jezuit?
Disa dekada pas vdekjes së Jezuit, një ushtri romake e udhëhequr nga Cest Gali hyri në Palestinë për të shtypur një kryengritje. Kjo mësymje është vërtetuar nga historiani jude Jozef Flavi, që jetoi në atë kohë. Ushtarët e legjioneve romake e rrethuan Jerusalemin dhe dukeshin të sigurt se do ta shtinin në dorë. Papritur, Gali urdhëroi të tërhiqeshin. Sipas një historiani të kishës, Eusebit, të krishterët judenj përfituan nga kjo mundësi për të ikur në Pelé, një qytet në një rajon malor të Dekapolit.
Disa vjet më vonë, në vitin 70 të e.s., një tjetër ushtri romake e drejtuar nga gjeneral Titi u kthye dhe rrethoi kryeqytetin judaik. Këtë herë, ushtarët e përfunduan atë që kishte lënë përgjysmë Gali dhe e shkretuan qytetin. Qindra mijë veta u zunë në kurth në Jerusalem dhe vdiqën.
Kush ishin «bijtë e profetëve»?
Tregimet biblike që flasin për profetët Samuel, Eli dhe Elise, përmendin burra që quheshin ‘bij të profetëve’. Për shembull, kur Eliseu caktoi Jehun mbret të Izraelit, ai dërgoi «një nga bijtë e profetëve» për ta mirosur.—2 Mbretërve 9:1-4.
Studiuesit mendojnë se termi i referohet një shkolle ose një grupi njerëzish që jetonin dhe punonin së bashku, dhe jo pasardhësve të mirëfilltë të profetëve. Sipas një botimi (Journal of Biblical Literature), anëtarët e këtyre grupeve ka mundësi të kenë qenë individë që «i ishin përkushtuar shërbimit të Jahveut [Jehovait] nën drejtimin e një profeti që ishte . . . babai i tyre frymor.» (2 Mbretërve 2:12) Në fakt, tregimi për mirosjen e Jehut e quan të dërguarin e Eliseut ‘shërbëtor të profeti’.—2 Mbretërve 9:4.
Me sa duket, «bijtë e profetëve» bënin jetë të thjeshtë. Për një grup të tillë në kohën e Eliseut thuhet se ndërtuan banesën e tyre dhe se përdorën një sëpatë të marrë hua. (2 Mbretërve 6:1-5) Disa prej tyre ishin të martuar dhe kjo vihet re kur përmendet vejusha e njërit prej «bijve të profetëve». (2 Mbretërve 4:1) Me sa duket izraelitët i çmonin bijtë e profetëve dhe, siç dokumentohet në një rast, u dhuruan ushqime.—2 Mbretërve 4:38, 42.