Lexuesit pyesin . . .
A është besimi te Perëndia një formë vetëmashtrimi?
Kur përballen me probleme, disa njerëz përpiqen ta shpërfillin realitetin dhe nuk arsyetojnë në mënyrë logjike. Ata mashtrojnë veten duke iu kthyer gjërave që u japin lehtësim emocional të përkohshëm. Për shembull, disa pinë alkool që të harrojnë problemet. Në fillim alkooli mund t’ua shtojë besimin te vetja e t’i bëjë të ndihen më të aftë për të përballuar sfidat e jetës. Por, me kalimin e kohës, ata që i varin shpresat te alkooli dëmtojnë veten. A mund të thuhet e njëjta gjë edhe për besimin te Perëndia?
Disa e barazojnë besimin me naivitetin. Ata thonë se njerëzit që zgjedhin të besojnë te Perëndia s’duan të logjikojnë vetë ose të lejojnë që dëshmitë e qarta të ndikojnë te bindjet e tyre. Këta skeptikë lënë të kuptohet se njerëzit me besim të fortë shpërfillin realitetin.
Bibla flet shumë për besimin. E prapëseprapë askund nuk na nxit të jemi mendjelehtë ose naivë. As i justifikon ata që nuk duan të vënë mendjen në punë. Përkundrazi, i quan të papërvojë, madje të marrë, ata që i besojnë çdo fjale. (Proverbat 14:15, 18) Vërtet, sa e marrë do të ishte të pranonim një ide si të mirëqenë pa verifikuar faktet! Do të ishte si të mbyllnim sytë e të përpiqeshim të kalonim një rrugë që ka trafik thjesht sepse dikush na thotë ta bëjmë.
Në vend që të nxitë besimin e verbër, Bibla na nxit t’i mbajmë hapur sytë e figurshëm që të mos mashtrohemi. (Mateu 16:6) I mbajmë sytë hapur duke përdorur ‘fuqinë tonë për të arsyetuar’. (Romakëve 12:1) Bibla na stërvit të arsyetojmë rreth dëshmive dhe të arrijmë në përfundime logjike të bazuara në fakte. Ja disa shembuj nga ajo që ka shkruar apostulli Pavël.
Kur Pavli u shkroi pjesëtarëve të kongregacionit të Romës, nuk donte që ata të besonin te Perëndia thjesht se ua thoshte ai. Përkundrazi, i nxiti të shqyrtonin dëshmitë që tregojnë se Perëndia është real. Ai shkroi: «Cilësitë e tij [të Perëndisë] të padukshme, madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij, shihen qartë që nga krijimi i botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra, prandaj ata [që mohojnë autoritetin e Perëndisë] nuk kanë asnjë justifikim.» (Romakëve 1:20) Pavli përdori një linjë të ngjashme arsyetimi edhe kur u shkroi hebrenjve. «Sigurisht, çdo shtëpi ndërtohet nga dikush,—tha Pavli,—por ai që ka ndërtuar gjithçka, është Perëndia.» (Hebrenjve 3:4) Në një letër drejtuar të krishterëve në qytetin e Selanikut, ai i nxiti të zgjidhnin me kujdes atë që do të besonin. Donte që ‘të siguroheshin për të gjitha gjërat’.—1 Selanikasve 5:21.
Besimi te Perëndia që nuk është i bazuar në dëshmi logjike mund të bëhet një formë vetëmashtrimi, e atillë që e bën dikë të gënjehet e të dëmtohet. Për disa njerëz fetarë të kohës së tij, Pavli shkroi: «Unë dëshmoj për ta se kanë zell për Perëndinë, por jo sipas njohurisë së saktë.» (Romakëve 10:2) Sa jetësore është, pra, të zbatojmë këshillën që i dha Pavli kongregacionit të Romës! Ai shkroi: «Shndërrohuni, duke përtërirë mendjen tuaj, që të vërtetoni se cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë.» (Romakëve 12:2) Nëse besimi ynë bazohet në njohurinë e saktë për Perëndinë, nuk do të jetë vetëmashtrim, por një ‘mburojë e madhe’ që na mbron nga dëmet emocionale dhe frymore.—Efesianëve 6:16.