A e dini?
A e kishte gabim Jezui kur tha se kripa e humb kripësinë?
Në predikimin në mal, Jezui u tha dishepujve të tij: «Ju jeni kripa e tokës, mirëpo, nëse kripa e humb shijen, si do t’i kthehet kripësia? Nuk mund të përdoret më për asgjë, veçse për t’u hedhur jashtë, që të shkelet nga njerëzit.» (Mateu 5:13) Kripa ka veti ruajtëse. Kështu, në ilustrimin e tij, ka mundësi që Jezui donte të thoshte se dishepujt mund dhe duhej t’i mbronin të tjerët nga degjenerimi moral dhe frymor.
Gjithsesi, në lidhje me atë që tha Jezui për humbjen e kripësisë, një enciklopedi (The International Standard Bible Encyclopedia) thotë: «Kripa e rajonit të Detit të Vdekur ishte në përgjithësi e përzier me minerale të tjera; kështu, në këtë tretësirë kripa mund të shpërbëhej dhe ajo që mbetej ishte një substancë pa shije.» Prandaj, është e kuptueshme pse Jezui e përshkroi këtë mbetje si diçka që «nuk mund të përdoret më për asgjë, veçse për t’u hedhur jashtë». Enciklopedia shton: «Ndonëse papastërtia e bënte kripën e Detit të Vdekur më pak cilësore se kripërat e deteve të tjera, fakti që gjendej lehtësisht (mund të mblidhej përgjatë bregut) e bënte këtë kripë burimin kryesor për Palestinën.»
Ç’nënkuptonte për dëgjuesit kur Jezui përmendi në një shëmbëlltyrë humbjen e një drahme?
Jezui tregoi një shëmbëlltyrë për një grua që, pasi kishte humbur një nga dhjetë drahmat e saj, mori një llambë dhe e fshiu me kujdes shtëpinë derisa e gjeti sërish. (Luka 15:8-10) Në ditët e Jezuit një drahmë kishte vlerë thuajse sa paga e një dite pune, prandaj humbja monetare që ilustroi Jezui nuk ishte e vogël. Megjithatë, ngjarja që përshkroi, ishte e vërtetë për arsye të tjera.
Disa vepra referimi tregojnë se shpesh gratë i përdornin monedhat si stoli. Kështu Jezui mund të ketë pasur ndër mend një monedhë që ishte pjesë e një trashëgimie të çmuar ose e pajës së një gruaje. Sido që të ketë qenë, kuptohet që humbja e një prej dhjetë monedhave të saj do ta shqetësonte tej mase gruan gjersa ta gjente.
Për më tepër, shtëpitë e njerëzve të thjeshtë në ditët e Jezuit ishin projektuar që të hynte sa më pak dritë dhe nxehtësi që të ishte e mundur. Kishin pak dritare, për të mos thënë asnjë. Zakonisht dyshemeja ishte e mbuluar me kashtë ose kërcej të tharë bimësh të ndryshme. Nëse binte një monedhë, do të ishte e vështirë ta gjeje. Një komentues thotë: «Prandaj, kur diçka e vogël, si për shembull një monedhë, humbte në një vend të tillë, mënyrat më të zakonshme që përdoreshin për ta gjetur ishin drita e llambës dhe fshirja e shtëpisë.»