Të kalojmë kohë me familjen
«Ja, sa mirë dhe sa bukur është që vëllezërit të banojnë së bashku në unitet!»—PSALMI 133:1.
Një arsye pse disa i festojnë Krishtlindjet.
Meqenëse tërë izraelitët ishin pasardhës të një njeriu të vetëm, Jakobit ose ndryshe Izraelit, ata ishin ‘vëllezër’, pjesëtarë të një familjeje. Ishte «mirë» dhe «bukur» kur mblidheshin për festat në Jerusalem. Si ata, shumë familje sot mezi presin të mblidhen së bashku e të shijojnë një kohë ‘të mirë’ dhe ‘të bukur’ gjatë Krishtlindjeve.
Pse është e vështirë të arrihet kjo?
Enciklopedia e festimit të Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri (anglisht) pranon: «Tensionet familjare që vlojnë nën sipërfaqe gjatë vitit, shumë shpesh derdhen kur familja mblidhet gjatë festave.»
Cilat parime biblike mund të na ndihmojnë?
‘Vazhdoni t’u jepni prindërve e gjyshërve shpërblimin e duhur.’ (1 Timoteut 5:4) Për aq sa është e mundur, programoni të takoni rregullisht familjen. Nëse të afërmit jetojnë shumë larg, prapëseprapë mund të komunikoni shpesh me ta. Pse të mos u shkruani një letër, t’u telefononi, t’u dërgoni një email ose të bisedoni me anë të Internetit? Komunikimi i rregullt i mban në minimum keqkuptimet.
«Jeni ngushtë në përzemërsinë tuaj të butë. . . . Zgjerohuni.» (2 Korintasve 6:12, 13) Të afërmit që i takoni një herë në vit, mund të bëhen shumë shpejt të huaj, veçanërisht për fëmijët. Disa fëmijë ndihen sikur s’kanë asgjë të përbashkët me gjyshërit ose të afërmit e largët. Prandaj, nxitini fëmijët ‘të zgjerohen’ në përzemërsinë e tyre duke përfshirë edhe të afërmit e moshuar. * Fëmijët që kalojnë kohë rregullisht me të moshuarit priren të zhvillojnë më tepër empati dhe çmueshmëri për më të rriturit.
«Sa bukur është të thuash fjalën e duhur në kohën e duhur!» (Proverbat 15:23, New Century Version) Si mund t’i parandalosh keqkuptimet ose problemet që lidhjet familjare të mos tensionohen? Një mënyrë është të zgjedhësh «kohën e duhur» për të zgjidhur ndonjë problem me vend. Nëse komunikoni rregullisht, do ta keni më të lehtë të flitni privatisht me familjarët që të zgjidhni problemet dhe të kaloni kohë ‘të mira’ e ‘të bukura’ kur mblidheni së bashku.
^ par. 9 Shih artikujt «Përse duhet t’i njoh gjyshërit?» te revista Zgjohuni! e 22 prillit 2001 (anglisht), dhe «Si mund të afrohem më shumë me gjyshërit?» te Zgjohuni! i qershorit 2001, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.