Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të ndihmojmë nevojtarët

Të ndihmojmë nevojtarët

«Kush ka sy dashamirës, do të bekohet, sepse nga ushqimi i tij i ka dhënë të varfrit.»—PROVERBAT 22:9.

Një arsye pse disa i festojnë Krishtlindjet.

Jezui i ndihmonte të varfrit, të sëmurët dhe të munduarit, prandaj disa duan ta ndjekin shembullin e tij. Ata mendojnë se Krishtlindjet janë koha më e mirë për këtë, sepse shpesh shoqatat bamirëse bëjnë përpjekje të veçanta për të mbledhur fonde.

Pse është e vështirë të arrihet kjo?

Gjatë festave, shumë veta e kanë mendjen të bëjnë pazar, të argëtohen dhe të vizitojnë miqtë e familjen. Të gjitha këto u lënë fare pak kohë, energji ose para që t’u kushtojnë vëmendje të varfërve e nevojtarëve dhe mbase s’u mbetet gjë tjetër veçse të japin një kontribut për bamirësi.

Cilat parime biblike mund të na ndihmojnë?

«Mos ua mbaj të mirën atyre që u takon, kur e ke në dorë ta bësh.» (Proverbat 3:27) Të varfrit, të uriturit dhe të munduarit nuk vuajnë vetëm gjatë Krishtlindjeve. Nëse merr vesh se dikush gjendet në nevojë dhe «e ke në dorë» ta ndihmosh, pse të presësh festat për të bërë diçka? Këto veprime që tregojnë mirëdashje dhe dhembshuri do të bekohen.

«Ditën e parë të çdo jave, secili nga ju të vërë diçka mënjanë në shtëpinë e vet, sipas mbarësisë që ka.» (1 Korintasve 16:2) Apostulli Pavël ua dha këtë këshillë të krishterëve të hershëm që donin të ndihmonin të varfrit. A mund ‘të vësh mënjanë’ ose të planifikosh një sasi parash që t’ua japësh rregullisht individëve ose një organizate që i përdor fondet me mençuri? Kështu, sigurohesh që po kujdesesh për nevojtarët, ndërkohë që jep brenda mundësive.

«Mos harroni të bëni të mira dhe të ndani gjërat me të tjerët, sepse Perëndia kënaqet me flijime të tilla.» (Hebrenjve 13:16) Vër re se, përveçse ‘të ndajmë gjërat me të tjerët’, duhet edhe të mos harrojmë ‘të bëjmë të mira’ ose t’u vijmë në ndihmë të tjerëve me vepra. Për shembull, prindërit e mençur i stërvitin fëmijët që t’i ndihmojnë të moshuarit me punët e përditshme; t’u japin zemër të sëmurëve nëpërmjet një kartoline, një vizite, një telefonate, si edhe të tregojnë interes personal për fëmijët e tjerë që janë të varfër a që kanë ndonjë paaftësi. Si rezultat, fëmijët mësojnë të tregohen mirëdashës e bujarë gjatë gjithë vitit.

Prindërit e mençur i stërvitin fëmijët që të ndihmojnë të moshuarit, të sëmurët dhe fëmijët që kanë ndonjë paaftësi. Si rezultat, fëmijët mësojnë të tregohen mirëdashës e bujarë gjatë gjithë vitit.