Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE: A DUHET TË KESH FRIKË NGA FUNDI I BOTËS?

Fundi i botës—Frikë, interes i madh dhe zhgënjim

Fundi i botës—Frikë, interes i madh dhe zhgënjim

Si ndihesh kur mendon për 21 dhjetorin 2012, datën e kalendarit maja, për të cilën shumë veta kanë thënë se do të sillte ndryshime mbarëbotërore? Në varësi të asaj që prisje, mund të ndihesh i lehtësuar, i zhgënjyer ose indiferent. A është thjesht një tjetër parashikim i pasaktë për fundin e botës?

Ç’të themi për ‘mbarimin e botës’ që përshkruhet në Bibël? (Mateu 24:3 Diodati i Ri) Disa kanë frikë se toka do të shkrumbohet. Të tjerë mezi presin të shohin se çfarë do të ndodhë në fundin e botës. Shumë veta thjesht janë lodhur duke dëgjuar se fundi është afër. Por, a mund të jenë këto veçse reagime ndaj një trillimi e jo ndaj një fakti?

Mbase do të habitesh nga ajo që mëson vërtet Bibla për fundin e botës. Bibla jo vetëm që jep arsye pse ta presim me padurim fundin, por edhe e pranon se disa mund të zhgënjehen ngaqë u duket sikur fundi po vonon. Të ftojmë t’i shqyrtosh përgjigjet e Biblës për disa pyetje të zakonshme rreth fundit të botës.

A do të digjet e do të shkatërrohet planeti Tokë?

PËRGJIGJJA E BIBLËS: ‘Perëndia e ka vendosur tokën mbi themele të forta; ajo nuk do të lëkundet asnjëherë, po, kurrën e kurrës.’PSALMI 104:5.

Toka nuk do të shkatërrohet, as nga zjarri, as nga ndonjë gjë tjetër. Përkundrazi, Bibla mëson se ky planet është shtëpia e përjetshme e njerëzimit. Psalmi 37:29 thotë: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»—Psalmi 115:16; Isaia 45:18.

Pasi e krijoi, Perëndia tha se toka «ishte shumë mirë», dhe s’ka ndryshuar mendim për këtë. (Zanafilla 1:31) Ai kurrë s’ka planifikuar ta shkatërrojë atë, por premton se ‘do të rrënojë ata që rrënojnë tokën’ dhe do ta mbrojë nga dëmet e përhershme.—Zbulesa 11:18.

Megjithatë, ndoshta të lindin pyetje për shkrimin e 2 Pjetrit 3:7. Ky varg i Biblës thotë: «Qiejt dhe toka që janë tani, janë ruajtur për zjarrin.» A nuk tregon kjo se toka do të shkatërrohet nga zjarri? Faktikisht, ndonjëherë Bibla i përdor termat «qiej», «tokë» dhe «zjarr» në kuptimin figurativ, si simbole. Për shembull, kur Zanafilla 11:1 thotë se «gjithë toka kishte vetëm një gjuhë», ajo e përdor fjalën «tokë» për t’iu referuar shoqërisë njerëzore.

Konteksti i 2 Pjetrit 3:7 tregon se qiejt, toka dhe zjarri që përmenden aty, janë po ashtu simbole. Vargjet 5 dhe 6 bëjnë një paralele me Përmbytjen e ditëve të Noesë. Në atë rast, u shkatërrua bota e lashtë, por planeti ynë nuk u zhduk. Përkundrazi, Përmbytja shfarosi një shoqëri me njerëz të dhunshëm ose ndryshe «tokën». (Zanafilla 6:11) Gjithashtu shkatërroi edhe «qiejt», që simbolizonin sundimtarët e atyre njerëzve. Po njësoj, 2 Pjetrit 3:7 parathotë se shoqëria e ligë dhe qeveritë e saj të korruptuara do të shkatërrohen përgjithmonë, sikur t’i përpinte zjarri.

Çfarë do të ndodhë kur të vijë fundi i botës?

PËRGJIGJJA E BIBLËS: «Bota po kalon, e po kështu edhe dëshirat e saj, kurse ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë.»1 GJONIT 2:17.

«Bota» që do të kalojë, nuk është planeti Tokë, por njerëzit që jetojnë në tokë, jeta e të cilëve nuk përputhet me vullnetin e Perëndisë. Ashtu si një kirurg mund të heqë një tumor kanceroz që të shpëtojë jetën e pacientit, Perëndia ‘do të shfarosë’ të ligjtë, që njerëzit e mirë ta gëzojnë vërtet jetën në tokë. (Psalmi 37:9) Në këtë kuptim, «fundi i botës» është diçka e mirë.

Kjo pikëpamje pozitive për ‘fundin e botës’ nënkuptohet nga disa përkthime të Biblës, të cilat e përkthejnë këtë shprehje ‘përfundimi i sistemit’ ose ‘mbarimi i epokës’. (Mateu 24:3; Bibla ECM) Meqë edhe njerëzimi, edhe toka do t’i mbijetojë fundit, a nuk duket e arsyeshme që më pas të vijë një epokë e re, një sistem i ri? Bibla përgjigjet po, sepse ajo e përmend «sistemin që po vjen».—Luka 18:30.

Jezui e quajti këtë periudhë të ardhshme «ripërtëritje të botës». Në atë kohë, ai do ta rikthejë njerëzimin në gjendjen që kishte ndër mend Perëndia në fillim. (Mateu 19:28 Bibla Simon Filipaj) Atëherë do të gëzojmë

Nëse bëjmë «vullnetin e Perëndisë», atë që na kërkon ai, s’kemi pse t’i frikësohemi fundit të botës. Përkundrazi, e presim me padurim.

A është vërtet afër fundi i botës?

PËRGJIGJJA E BIBLËS: «Kur t’i shihni të ndodhin këto gjëra, dijeni se mbretëria e Perëndisë është afër.»LUKA 21:31.

Në librin Jemi sërish në ditët e fundit (anglisht), profesori Riçard Kajli shkruan se «ndryshimi i beftë dhe kaosi shoqëror krijojnë një atmosferë që të shtyn të bësh parashikime për fundin e botës». Kjo ndodh veçanërisht kur ndryshimi dhe kaosi duken të vështirë për t’u shpjeguar.

Gjithsesi, profetët e Biblës që folën për fundin, nuk po përpiqeshin të shpjegonin ngjarje pështjelluese të kohëve të tyre. Në vend të kësaj, ata u frymëzuan nga Perëndia për të përshkruar kushte që do të tregonin fundin e afërt të botës. Shqyrto disa nga këto profeci dhe vendos vetë nëse po përmbushen në kohën tonë.

  • Luftëra, zi buke, tërmete dhe epidemi sëmundjesh vdekjeprurëse.—Mateu 24:7; Luka 21:11.

  • Rritje e ndjeshme e krimit.—Mateu 24:12.

  • Rrënimi i tokës nga njerëzimi.—Zbulesa 11:18.

  • Njerëzit do të ishin të dashuruar me veten, paratë dhe kënaqësitë, por s’do të kishin dashuri për Perëndinë.—2 Timoteut 3:2, 4.

  • Prishja e familjes.—2 Timoteut 3:2, 3.

  • Apati e përgjithshme ndaj dëshmive se fundi po afron.—Mateu 24:37-39.

  • Predikimi i lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë në mbarë botën.—Mateu 24:14.

Siç tha Jezui, «të gjitha këto gjëra» që po shohim, na tregojnë se fundi i botës është afër. (Mateu 24:33) Dëshmitarët e Jehovait besojnë se dëshmitë janë bindëse dhe u flasin të tjerëve për besimin duke predikuar në 236 vende.

A do të thotë se fundi nuk do të vijë kurrë ngaqë pritej në kohën e gabuar?

PËRGJIGJJA E BIBLËS: «Kur të thonë: ‘Paqe dhe siguri!’, atëherë një shkatërrim i beftë do të bjerë në çast mbi ta, ashtu si dhembjet e lindjes zënë një grua shtatzënë, dhe kurrsesi nuk do të shpëtojnë.»1 SELANIKASVE 5:3.

Bibla e krahason shkatërrimin e botës me fillimin e lindjes—dhembjet e nënës janë të pashmangshme dhe vijnë papritur. Edhe periudha kohore që çon drejt fundit është si shtatzënia, sepse një nënë që pret një fëmijë është e vetëdijshme për shenjat gjithnjë e në rritje të afrimit të lindjes. Mjeku i saj mund ta llogaritë datën e lindjes, por, edhe nëse lindja vonon, ajo është ende e sigurt se do ta lindë foshnjën së shpejti. Në mënyrë të ngjashme, megjithëse fundi nuk ka ardhur në kohën kur e pritnin njerëzit, kjo nuk e ndryshon faktin që këto janë «ditët e fundit».—2 Timoteut 3:1.

Gjithsesi, ndoshta pyet veten: «Nëse është kaq e dukshme shenja se jemi afër fundit, pse kaq shumë veta nuk arrijnë ta dallojnë atë?» Bibla thotë se, kur afrohet fundi, mjaft veta do t’i shpërfillin dëshmitë. Në vend që të pranonin ndryshimet rrënjësore gjatë ditëve të fundit, ata do të talleshin me fjalët: «Që nga dita që paraardhësit tanë ranë në gjumin e vdekjes, të gjitha gjërat po vazhdojnë tamam si nga fillimi i krijimit.» (2 Pjetrit 3:3, 4) Me fjalë të tjera, shenja e ditëve të fundit është e qartë, por shumë veta do ta shpërfillin.—Mateu 24:38, 39.

Ky artikull ka shqyrtuar vetëm disa nga dëshmitë biblike se fundi është afër. * A dëshiron të mësosh më shumë? Nëse po, pse të mos kontaktosh Dëshmitarët e Jehovait e të pranosh të studiosh falas Biblën me ta? Studimin mund ta bësh në shtëpinë tënde, në ndonjë vend tjetër të volitshëm për ty ose edhe me anë të telefonit. I vetmi shpenzim është koha jote, por dobitë që mund të kesh s’kanë të çmuar.

^ par. 39 Për më shumë informacion, shih kapitullin 9, «A po jetojmë në ‘ditët e fundit’?», në librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.