Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

AFROJUNI PERËNDISË

«Ua ke zbuluar fëmijëve»

«Ua ke zbuluar fëmijëve»

A do të dish të vërtetën për Perëndinë—kush është, çfarë dëshiron e çfarë urren, si dhe cili është vullneti i tij? Në Fjalën e tij, në Bibël, Perëndia Jehova na zbulon gjithë të vërtetën për veten. Por jo çdokush mund ta lexojë Biblën e ta kuptojë plotësisht këtë të vërtetë. Pse? Sepse të kuptosh këtë të vërtetë për Perëndinë është çështje privilegji; jo kushdo mund ta ketë këtë privilegj. Le të shqyrtojmë çfarë tha Jezui për këtë.—Lexo Mateun 11:25.

Ky varg fillon me këto fjalë: «Atëherë Jezui tha.» Prandaj, ajo që do të thotë Jezui tani, ndoshta është përgjigjja e asaj që sapo kishte ndodhur. Sapo i kishte qortuar njerëzit e pandjeshëm të tri qyteteve galilease ku kishte kryer vepra të fuqishme. (Mateu 11:20-24) Mbase pyet veten: «Si ka mundësi që dikush t’i shohë veprat e mrekullueshme të Jezuit e të mos reagojë pozitivisht ndaj të vërtetave që mësoi?» Pandjeshmëria e njerëzve kishte të bënte me qëndrimin e ngurtë të zemrës së tyre.—Mateu 13:10-15.

Jezui e dinte se, për të kuptuar të vërtetën për Perëndinë, që gjendet në Bibël, na nevojiten dy gjëra: ndihma e Perëndisë dhe qëndrimi i duhur i zemrës. Jezui shpjegon: «Unë të lëvdoj publikisht, o Atë, Zotëri i qiellit dhe i tokës, sepse ua ke fshehur këto gjëra të mençurve e të zgjuarve dhe ua ke zbuluar fëmijëve.» E shikon pse mund të jetë çështje privilegji të kuptosh të vërtetën për Perëndinë, që gjendet në Bibël? Jehovai, ‘Zotëria i qiellit dhe i tokës’, mund ta fshehë ose ta zbulojë të vërtetën sipas vullnetit të tij sovran. Por Perëndia nuk tregohet i anshëm kur bëhet fjalë për të zbuluar të vërtetën. Mbi ç’baza ua zbulon të vërtetën disave dhe disa të tjerëve jo?

Jehovai favorizon të përulurit, jo fodullët. (Jakovi 4:6) Ai ua fsheh të vërtetën «të mençurve e të zgjuarve»—të mençurve të kësaj bote dhe të shkolluarve, të cilët tërë krenari dhe besim te vetja mendojnë se s’kanë nevojë për ndihmën e tij. (1 Korintasve 1:19-21) Por, të vërtetën ua zbulon «fëmijëve»—atyre që i afrohen me zemër të sinqertë, që tregohen të përulur si një fëmijë. (Mateu 18:1-4; 1 Korintasve 1:26-28) Biri i Perëndisë, Jezui, i njihte këta dy lloj njerëzish. Shumë krerë fetarë krenarë e tepër të arsimuar nuk e kapën kuptimin e mesazhit të Jezuit, kurse peshkatarët e përulur po. (Mateu 4:18-22; 23:1-5; Veprat 4:13) Në të njëjtën kohë, disa të pasur e të arsimuar që treguan përulësi të vërtetë u bënë dishepuj të Jezuit.—Luka 19:1, 2, 8; Veprat 22:1-3.

T’i kthehemi pyetjes që ngritëm në fillim: a do të dish të vërtetën për Perëndinë? Nëse po, mund të marrësh zemër kur di se Perëndia nuk i miraton ata që e mbajnë veten si të mençurit e kësaj bote. Përkundrazi, ai miraton ata që mund të përbuzen nga këta të mençur. Nëse e studion Fjalën e Perëndisë me qëndrimin e duhur të mendjes e të zemrës, edhe ti mund të jesh mes atyre që Jehovai u jep një dhuratë të çmuar: kuptueshmërinë për të vërtetën rreth tij. Kur kupton këtë të vërtetë, jeta jote do të jetë më domethënëse tani dhe do të mund të rrokësh «jetën e vërtetë»—jetën e pafund në botën e re e të drejtë që ka premtuar Perëndia, botë e cila do të vijë së shpejti. *1 Timoteut 6:12, 19; 2 Pjetrit 3:13.

Sugjerim për leximin e Biblës në janar

Mateu 1-21

^ par. 5 Dëshmitarët e Jehovait do të të ndihmojnë me kënaqësi të mësosh të vërtetën për Perëndinë dhe për qëllimet e tij. Ata ofrojnë studime biblike falas në shtëpi, me librin Çfarë mëson vërtet Bibla?