A e dini?
Pse Ninevia e lashtë quhej «qyteti gjakatar»?
Ninevia ishte kryeqyteti i Perandorisë Asiriane. Ishte qytet madhështor me pallate dhe tempuj mbresëlënës, rrugë të gjera e mure masive. Sipas profetit hebre Naum, Ninevia quhej «qyteti gjakatar».—Naumi 3:1.
Ky ishte përshkrim me vend, pasi në pallatin e Senakeribit në Ninevi ndodhen relieve që dëshmojnë për mizorinë e asirianëve. Njëri përshkruan një torturues që ia shkul gjuhën një të burgosuri të mbërthyer përdhe. Mbishkrimet paraqitin gjithë krenari pamje robërish që i tërheqin nga hunda ose buzët me litarë me grremça. Zyrtarët e zënë rob i detyronin të vinin rreth qafës kokat e prera të mbretërve të tyre, si varëse të llahtarshme.
Asiriologu Arçibald Henri Seisi përshkruan barbarizmat pas pushtimit të një qyteti: «Pushtuesi linte mbrapa piramida me koka njerëzish; djemtë dhe vajzat digjeshin të gjallë ose i priste diçka më e keqe; burrat i vinin në shtyllë, i rripnin të gjallë, i verbonin, ose u këputnin duart dhe këmbët, veshët e hundën.»
Pse judenjtë vinin një parmak rreth tarracës së shtëpive?
Judenjtë morën këtë urdhërim nga Perëndia: «Nëse ndërton një shtëpi të re, bëj edhe një parmak për tarracën, që të mos e bësh shtëpinë tënde me faj gjaku, nëse dikush bie prej saj.» (Ligji i përtërirë 22:8) Parmaku ishte një masë sigurie e nevojshme, pasi familjet judeje në kohët biblike i përdornin goxha tarracat.
Shumica e shtëpive izraelite ishin me tarraca. Ajo ishte vend ideal për t’u ngrohur në diell, për të marrë pak ajër ose për të bërë punët e shtëpisë. Në verë, tarraca ishte vend i rehatshëm për të fjetur. (1 Samuelit 9:26) Një bujk mund ta përdorte tarracën për të tharë lirin dhe drithin para se t’i bluante ose për të tharë fiq dhe rrush.—Josiu 2:6.
Tarraca përdorej edhe për adhurim, si për adhurimin e vërtetë, edhe atë idhujtar. (Nehemia 8:16-18; Jeremia 19:13) Apostulli Pjetër u ngjit në tarracë në mesditë që të lutej. (Veprat 10:9-16) Nëse kishte hardhi ose gjethe palmash që bënin hije në tarracë, ajo duhet të ketë qenë një vend i këndshëm për të ndenjur.
Një vepër (The Land and the Book) thotë se shtëpitë e izraelitëve kishin shkallë që çonin në tarracë, «jashtë shtëpisë, por brenda oborrit të jashtëm». Prandaj i zoti i shtëpisë mund të zbriste nga tarraca pa hyrë në shtëpi. Kjo mund ta shpjegojë paralajmërimin e Jezuit kur tregoi sa urgjente është ikja nga një qytet që do të shkatërrohej: «Ai që është në tarracë, të mos zbresë në shtëpi për të marrë të mirat.»—Mateu 24:17.