Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 IMITONI BESIMIN E TYRE

Ai «eci me Perëndinë e vërtetë»

Ai «eci me Perëndinë e vërtetë»

NOEJA drejtoi shpinën dhe shtriqi muskujt që i dhimbnin. Imagjinoje të ulur në një tra të madh, duke pushuar pak nga puna e duke parë nga struktura tejet e madhe e arkës. Përfytyro erën e fortë të ziftit të nxehtë dhe zhurmat e veglave të punës. Nga vendi ku është ulur, Noeja sheh bijtë e tij tek punojnë fort me pjesë të ndryshme të skeletit të madh prej druri. Tashmë u bënë dekada që bijtë e tij bashkë me gratë, si dhe gruaja e shtrenjtë, punojnë me Noenë për këtë projekt. Kishin bërë goxha punë, por përpara i pret akoma më tepër.

Njerëzit përreth mendonin se të gjithë ata ishin të marrë. Sa më e plotë bëhej arka, aq më shumë talleshin njerëzit me idenë e një përmbytjeje që do të mbulonte gjithë tokën. Sa e pabesueshme dhe absurde u dukej katastrofa për të cilën i paralajmëronte vazhdimisht Noeja! Nuk arrinin ta besonin si një njeri e çonte dëm jetën e tij—dhe të familjarëve—në këtë orvatje të marrë. Sidoqoftë, Perëndia i Noesë, Jehovai, e shihte krejt ndryshe këtë njeri.

Fjala e Perëndisë thotë: «Noeja eci me Perëndinë e vërtetë.» (Zanafilla 6:9) Ç’do të thoshte kjo? Jo se Perëndia eci në tokë, as që Noeja shkoi në ndonjë mënyrë në qiell. Përkundrazi, bindja ndaj Perëndisë ishte kaq e plotë dhe dashuria për të kaq e thellë, sa ishte sikur ai dhe Jehovai të ecnin së bashku si miq. Mijëra vjet më vonë, Bibla tha për Noenë: ‘Nëpërmjet besimit të tij, ai dënoi botën.’ (Hebrenjve 11:7) Si e bëri këtë? Ç’mësojmë sot nga besimi i tij?

NJË NJERI I PATËMETË NË NJË BOTË TË LIGË

Noeja u rrit në një botë që sa vinte e bëhej më e keqe. Kishte qenë e keqe edhe në kohën e stërgjyshit të tij, Enokut, një tjetër njeri i drejtë që eci me Perëndinë. Enoku kishte parathënë se do të vinte një ditë gjykimi mbi njerëzit e paperëndishëm të asaj bote. Tani, në kohën e Noesë, gjendja morale ishte bërë ku e ku më e keqe. Në fakt, nga pikëpamja e Jehovait, toka ishte prishur ngaqë ishte plot dhunë. (Zanafilla 5:22; 6:11; Juda 14, 15) Çfarë kishte ndodhur që gjërat kishin shkuar kaq keq?

Mes engjëjve, bijve qiellorë të Perëndisë, po ndodhte një tragjedi e tmerrshme. Njëri prej tyre tashmë ishte rebeluar kundër Jehovait dhe u bë Satana Djalli, duke shpifur ndaj Perëndisë e duke joshur drejt mëkatit Adamin dhe Evën. Në ditët e Noesë, edhe engjëj të tjerë nisën të rebeloheshin kundër sundimit të drejtë të Jehovait. Ata braktisën vendin që u kishte dhënë Perëndia në qiell dhe erdhën në tokë, morën formë njerëzore dhe u martuan me gra të bukura. Këta engjëj krenarë, egoistë dhe rebelë patën ndikim helmues te njerëzit.—Zanafilla 3:1-5; 6:1, 2; Juda 6, 7.

Për më tepër, bashkimet e panatyrshme mes engjëjve të materializuar dhe grave njerëzore sollën bij hibridë me përmasa dhe forcë të jashtëzakonshme. Bibla i quan nefilimë, që fjalë për fjalë do të thotë «rrëzues», pra ata që i rrëzojnë të tjerët. Ngaqë ishin prepotentë mizorë, nefilimët e bënë botën shumë më brutale dhe të paperëndishme. S’habitemi që në sytë e Krijuesit «e keqja e  njeriut ishte e madhe në tokë, dhe çdo prirje e mendimeve të zemrës së tij ishte e keqe gjithë kohën». Jehovai vendosi ta zhdukte shoqërinë e ligë brenda 120 vjetëve.—Zanafilla 6:3-5.

Noeja dhe gruaja e tij duhej t’i mbronin fëmijët nga ndikimet e këqija

Përfytyro sa e vështirë duhet të ketë qenë të ndërtoje familje në kushtet e asaj bote. Prapëseprapë, Noeja e krijoi një të tillë. Ai gjeti një grua të mirë. Pasi Noeja mbushi 500 vjeç, i lindën tre djem—Semi, Kami dhe Jafeti. * Së bashku, prindërit duhej t’i mbronin djemtë nga ndikimet e liga përreth. Djemtë e vegjël priren t’i admirojnë e t’i nderojnë «të fuqishmit» dhe ‘burrat me famë’—e nefilimët ishin pikërisht të tillë. Zor se Noeja me gruan mund t’i kenë mbrojtur fëmijët nga çdo gjë që thuhej për bëmat e atyre gjigantëve, por ama mund t’u mësonin të vërtetën tërheqëse për Perëndinë Jehova, i cili urren çdo ligësi. U duhej t’i ndihmonin djemtë që të kuptonin se Jehovain e lëndonte dhuna dhe rebelimi i botës.—Zanafilla 6:6.

Prindërit sot mund ta kuptojnë mirë si ndiheshin Noeja dhe gruaja e tij. Në mënyrë të ngjashme, bota jonë është e helmuar nga dhuna e rebelimi. Edhe zbavitja që u ofrohet fëmijëve mund të jetë e mbushur me këto gjëra. Prindërit e mençur bëjnë çmos t’i luftojnë këto ndikime duke u mësuar fëmijëve për Perëndinë e paqes, Jehovain, i cili një ditë do t’i japë fund dhunës. (Psalmi 11:5; 37:10, 11) Ata mund ta arrijnë këtë! Noeja dhe gruaja e tij ia dolën mbanë. Djemtë e tyre u bënë njerëz të mirë dhe u martuan me gra që, po ashtu, ishin të gatshme ta vinin në vend të parë në jetë Perëndinë e vërtetë, Jehovain.

«BËJ NJË ARKË»

Një ditë, jeta e Noesë ndryshoi përgjithmonë. Jehovai foli me këtë shërbëtor të dashur dhe i tha qëllimin e Tij për t’i dhënë fund botës së asaj kohe. Perëndia e urdhëroi Noenë: «Bëj një arkë druri me pemë rrëshinore.»—Zanafilla 6:14.

Kjo arkë s’ishte anije, siç mendojnë disa. Nuk kishte as bash, as kiç, as kallumë, as timon, as pjesë të harkuara ose të lakuara. Ishte thjesht një arkë ose kuti e madhe. Jehovai i dha Noesë përmasat e sakta të arkës, disa hollësi për modelin e saj dhe udhëzime si ta vishte me zift brenda e jashtë. Ai i tha Noesë pse ta bënte arkën: «Do të derdh në tokë ujërat e përmbytjes . . . Çdo gjë që është në tokë, do të japë frymë.» Megjithatë, Jehovai i dha Noesë këtë drejtim: «Futu në arkë ti bashkë me bijtë e tu, gruaja jote dhe gratë e bijve të tu.» Noeja duhej të sillte në arkë edhe kafshë të çdo lloji. Vetëm ata brenda në arkë mund t’i mbijetonin Përmbytjes që do të vinte.—Zanafilla 6:17-20.

Para Noesë shtrihej një punë gjigante. Kjo arkë do të ishte e stërmadhe—rreth 133 metra e gjatë, 22 metra e gjerë dhe 13 metra e lartë. Madje, as anijet më të mëdha prej druri të kohëve tona s’krahasohen me të për nga madhësia. A u spraps Noeja nga ky caktim, a u ankua për vështirësitë ose a i ndryshoi hollësitë që ta kishte më kollaj? Bibla përgjigjet: «Noeja veproi në përputhje me të  gjitha ato që i urdhëroi Perëndia. Ai bëri pikërisht ashtu.»—Zanafilla 6:22.

Puna zgjati dekada të tëra, ndoshta 40 deri në 50 vjet. Duheshin prerë pemë, tërhequr trungje si dhe duheshin latuar, gdhendur e bashkuar trarë. Arka duhej bërë me tri kate ose kuverta, disa ndarje dhe një derë anash. Me sa duket, në pjesën e sipërme kishte dritare, si dhe një çati ndoshta pak të ngritur në mes që të kullonte uji.—Zanafilla 6:14-16.

Teksa vitet kalonin dhe arka merrte formë, Noeja duhet të ketë qenë shumë i lumtur që kishte mbështetjen e familjes së tij. Kishte edhe një aspekt tjetër të punës që mund të ketë qenë edhe më sfidues se ndërtimi i arkës. Bibla e përshkruan Noenë si «një predikues të drejtësisë». (2 Pjetrit 2:5) Kështu, me guxim ai mori drejtimin duke u përpjekur t’i lajmëronte njerëzit e asaj shoqërie të ligë e të paperëndishme për shkatërrimin që i priste. Si reaguan ata? Më vonë, Jezu Krishti e kujtoi atë kohë duke thënë se ata njerëz «nuk kushtuan vëmendje». Ai tha se ishin kaq të zhytur në punët e përditshme—hanin, pinin dhe martoheshin—sa nuk ia vunë veshin Noesë. (Mateu 24:37-39) Pa dyshim që mjaft veta e tallnin atë dhe familjen e tij; disa mund ta kenë kërcënuar e kundërshtuar me forcë.

Pavarësisht nga provat se Perëndia po e bekonte Noenë, njerëzit e tallnin dhe e shpërfillnin mesazhin e tij

Megjithatë, Noeja dhe familja e tij nuk hoqën dorë asnjëherë. Ata vazhduan ta ndërtonin arkën, ndonëse njerëzit përreth e shihnin si diçka të parëndësishme, të gabuar ose marrëzi. Prandaj, familjet e krishtere sot mund të mësojnë shumë nga besimi i Noesë dhe i familjes së tij. Në fund të fundit, jetojmë në atë periudhë që Bibla e quan «ditët e fundit» të këtij sistemi botëror. (2 Timoteut 3:1) Jezui tha se koha jonë do të ishte tamam si koha kur Noeja ndërtoi arkën. Nëse bota reagon me apati, tallje, madje dhe me përndjekje ndaj mesazhit për Mbretërinë e Perëndisë, të krishterët bëjnë mirë të kujtojnë Noenë. Nuk janë të parët që i hasin këto sfida.

«HYR NË ARKË»

Kaluan dekada dhe gradualisht arka mori formën përfundimtare. Teksa Noeja i afrohej moshës 600-vjeçare, i vdiqën disa njerëz të dashur. I vdiq i ati, Lameku. * Pesë vjet më vonë, babai i Lamekut, Metuselahu që ishte gjyshi i Noesë, vdiq në moshën 969-vjeçare—jeta më e gjatë njerëzore që dokumenton Bibla. (Zanafilla 5:27) Si Metuselahu, edhe Lameku kishin qenë bashkëkohës të njeriut të parë, Adamit.

Po atë vit, patriarku Noe mori një mesazh tjetër nga Perëndia Jehova: «Hyr në arkë ti dhe gjithë ata të shtëpisë sate.» Në të njëjtën kohë, Perëndia i tha Noesë të fuste në arkë të gjitha llojet e kafshëve—shtatë nga çdo lloj i pastër, të përshtatshme për flijime, kurse nga të tjerat, të merrte nga dy.—Zanafilla 7:1-3.

Duhet të ketë qenë një pamje e paharrueshme. Në horizont dukeshin qindra kafshë—ecnin, fluturonin, zvarriteshin, tundeshin, lëviznin rëndë-rëndë—të gjitha në një shumëllojshmëri marramendëse përmasash, formash dhe natyrash. S’ka dyshim se Noeja i shkretë përpiqej t’i mblidhte, t’i bindte ose deri diku t’i merrte me të mira gjithë ato kafshë të egra teksa hynin në ambientin e mbyllur të arkës. Tregimi thotë se ato «hynë në arkë te Noeja».—Zanafilla 7:9.

Disa skeptikë ndoshta pyesin: ‘Si mund të ndodhte diçka e tillë? Dhe si mund të rrinin së bashku  paqësisht ato kafshë në një vend të mbyllur?’ Mendo pak: a është vërtet përtej fuqisë së Krijuesit të universit që të kontrollojë kafshët që i ka krijuar vetë, madje t’i zbutë e t’i nënshtrojë po të jetë nevoja? Mos harro se Jehovai është Perëndia që ndau Detin e Kuq dhe që e bëri diellin të ndalojë. A s’mund të realizonte ai çdo ngjarje që përshkruhet në tregimin e Noesë? Patjetër që po, dhe ashtu bëri!

Vërtet, Perëndia mund t’i kishte shpëtuar ndryshe kafshët që kishte krijuar. Por, me mençuri zgjodhi një mënyrë që na kujton besimin që kishte te njeriu kur i tha në fillim të kujdesej për çdo krijesë të gjallë në tokë. (Zanafilla 1:28) Kështu, mjaft prindër sot e përdorin tregimin e Noesë për t’u mësuar fëmijëve se Jehovai i çmon njerëzit dhe kafshët që ka krijuar.

Jehovai i tha Noesë se Përmbytja do të vinte për një javë. Duhet të ketë qenë kohë e vrullshme për familjen. Përfytyro ç’punë kërkonte të futje të gjitha kafshët në arkë, të sistemoje ushqimet e tyre dhe të transportoje plaçkat e familjes brenda arkës. Gruaja e Noesë dhe gratë e Semit, Kamit e Jafetit mund të jenë marrë kryesisht me ambientin brenda arkës, që ta bënin atë një vend të përshtatshëm për të jetuar.

Ç’të themi për njerëzit përreth? Ata ende «nuk kushtuan vëmendje»—edhe përballë gjithë asaj prove se Jehovai po e bekonte Noenë dhe përpjekjet e tij. S’kishin si të mos i shihnin kafshët që vërshonin në arkë. Por s’duhet të habitemi me apatinë e tyre. Edhe sot njerëzit nuk i kushtojnë vëmendje provave të bollshme se po jetojmë në ditët e fundit të këtij sistemi botëror. Dhe, siç paratha apostulli Pjetër, kanë ardhur tallës, të cilët tallen me ata që ia vënë veshin paralajmërimit të Perëndisë. (2 Pjetrit 3:3-6) Në mënyrë të ngjashme, edhe Noenë e familjen e tij duhet t’i kenë tallur.

Kur mbaroi tallja? Tregimi na thotë se, pasi Noeja e futi familjen e kafshët në arkë, «Jehovai e mbylli derën prapa Noesë». Nëse aty pranë ndodhej ndonjë tallës, patjetër që ai veprim hyjnor ia mbylli gojën. Nëse jo, me siguri ata pushuan kur filloi shiu. Dhe ai binte e binte pa fund, derisa e përmbyti botën, tamam siç kishte thënë Jehovai.—Zanafilla 7:16-21.

A u kënaq Jehovai me vdekjen e atyre të ligjve? Aspak! (Ezekieli 33:11) Përkundrazi, u kishte dhënë çdo mundësi që të ndryshonin udhë e të bënin të drejtën. A mund ta kishin bërë këtë? Kësaj pyetjeje iu përgjigj jeta që bëri Noeja. Duke ecur me Jehovain dhe duke iu bindur Perëndisë së tij në çdo gjë, Noeja tregoi se mbijetesa ishte e mundur. Në këtë kuptim, besimi i tij e dënoi botën e asaj kohe; e nxori në shesh ligësinë e brezit të tij. Besimi e mbajti atë dhe familjen të sigurt. Nëse imiton besimin e Noesë, edhe ti mund të shpëtosh veten dhe njerëzit e tu të dashur. Ashtu si Noeja, mund të ecësh me Perëndinë Jehova si me mikun tënd. Miqësi që mund të zgjasë përgjithmonë!

^ par. 10 Njerëzit e asaj kohe të hershme jetonin shumë më gjatë se ne. Me sa duket, kjo ndodhte ngaqë ishin më afër gjallërisë dhe përsosmërisë që kishin dikur Adami dhe Eva, por që e humbën.

^ par. 20 Lameku e kishte quajtur të birin Noe—që ka mundësi të ketë kuptimin «Pushim; Ngushëllim»—dhe kishte profetizuar se Noeja do të përmbushte domethënien e emrit të tij duke i sjellë njerëzimit pushim nga mundi në tokë të mallkuar. (Zanafilla 5:28, 29) Lameku nuk jetoi aq sa ta shihte përmbushjen e kësaj profecie.