TEMA KRYESORE: A ËSHTË MIZOR PERËNDIA?
Pse thonë njerëzit se Perëndia është mizor?
A TË duket tronditëse pyetja: «A është mizor Perëndia?» Disave u duket, por shumë njerëz janë në mëdyshje ose mendojnë se Perëndia është mizor. Pse?
Disa që u mbijetojnë katastrofave natyrore, pyesin: «Pse i lejon Perëndia këto gjëra? A është indiferent ai? Apo është mizor?»
Të tjerë turbullohen kur lexojnë në Bibël tregime si ai për Noenë dhe Përmbytjen. Prandaj pyesin: «Pse do t’i vriste gjithë ata njerëz një Perëndi i dashur? A është mizor ai?»
A të lindin edhe ty pyetje të tilla? A e ke të pamundur t’u japësh përgjigje atyre që pyesin nëse Perëndia është mizor? Megjithatë, shqyrto një pyetje tjetër që mund të të ndihmojë.
PSE E URREJMË MIZORINË?
E thënë thjesht, e urrejmë mizorinë sepse kemi ndjenjën e së drejtës dhe të së gabuarës. Në këtë aspekt, ne ndryshojmë kryekëput nga kafshët. Krijuesi na ka bërë «sipas shëmbëlltyrës së vet». (Zanafilla 1:27) Çfarë do të thotë kjo? Ai na ka dhënë mundësinë për të pasqyruar cilësitë dhe normat e tij morale, ndjenjën që ka për të drejtën dhe të gabuarën. Mendo për këtë: nëse Perëndia na ka dhënë ndjenjën e së drejtës dhe të së gabuarës dhe priremi ta urrejmë mizorinë, a nuk tregon kjo se edhe Perëndia e urren atë?
Bibla e konfirmon një logjikë të tillë, pasi Perëndia na siguron: «Udhët e mia janë më lart se udhët tuaja, dhe mendimet e mia më lart se mendimet tuaja.» (Isaia 55:9) Nëse e gjykojmë Perëndinë si mizor, a nuk po themi të kundërtën—domethënë që udhët tona janë më lart se të tijat? Sigurisht, do të ishte e mençur të mblidhnim më tepër fakte para se të mbanim një qëndrim të tillë. Mbase duhet të pyesim jo nëse Perëndia është mizor, por pse disa veprime të tij mund të duken mizore. Për të na ndihmuar, le të shqyrtojmë çfarë do të thotë në të vërtetë të jesh «mizor».
Kur e quajmë dikë mizor, po gjykojmë motivet e tij. Një person mizor kënaqet tek i sheh të tjerët që vuajnë ose është indiferent ndaj vuajtjeve të tyre. Për shembull, një baba që e disiplinon të birin sepse kënaqet kur ia lëndon ndjenjat, është mizor. Por një baba që e disiplinon të birin për ta mësuar ose për ta mbrojtur, është i mirë. Meqë nuk e dimë gjithmonë pse të tjerët veprojnë në njëfarë mënyre, mund t’i keqkuptojmë kollaj motivet e tyre.
Le të shqyrtojmë dy arsye pse disa e konsiderojnë mizor Perëndinë—katastrofat natyrore që shohim sot dhe gjykimet hyjnore për të cilat lexojmë në Bibël. A tregojnë vërtet faktet se Perëndia është mizor?