A duhet t’u lutemi shenjtorëve?
E KUSH nuk ka provuar ankth dhe nuk ka pasur nevojë t’i drejtohet dikujt për ndihmë? Në varësi të problemit, ndoshta do të zgjidhnim një mik që na kupton dhe që e ka kaluar vetë atë problem. Një mik i dhembshur dhe me shumë përvojë do të ishte një mik ideal.
Disa kanë të njëjtin mendim për lutjen. Ngaqë u duket tepër i lartë dhe madhështia e tij u ngjall frikë, nuk i luten Perëndisë, por e kanë më kollaj t’u luten shenjtorëve. Arsyetojnë se, meqë shenjtorët kanë kaluar të njëjtat sprova e vështirësi si njerëzit, do të ishin më të kuptueshëm. Për shembull, ata që kërkojnë mbarësi ose që duan të shërohen nga një sëmundje, preferojnë t’i luten «Shën» Antonit të Padovës ose ndryshe «Shën» Ndout. Ata që kanë një kafshë të sëmurë, i luten «Shën» Françeskut të Asizit ose ata që janë të dëshpëruar e të pashpresë, i luten «Shën» Judë Tadeut.
Atëherë, si të sigurohemi nëse është e përshtatshme sipas Shkrimeve t’u lutemi shenjtorëve? Përderisa lutjet tona janë shprehje nga zemra për Perëndinë, sigurisht që duhet të dimë: a i dëgjon ai lutjet tona? Gjithashtu: si ndihet Perëndia kur u lutemi shenjtorëve?
LUTJET DREJTUAR SHENJTORËVE—PIKËPAMJA E BIBLËS
Praktika për t’iu lutur shenjtorëve bazohet në doktrinën e Kishës Katolike për ndërmjetësimin e shenjtorëve. Sipas një enciklopedie (New Catholic Encyclopedia), thelbi i ndërmjetësimit është «përgjërimi i dikujt që Perëndia i ka dhënë të drejtën t’i kërkojë mëshirë për një njeri në nevojë». Kështu, ai që u lutet shenjtorëve, ka shpresë se, nëpërmjet tyre do të marrë një pëlqim të veçantë për shkak të pozitës së tyre të bekuar para Perëndisë.
A e mëson Bibla një doktrinë të tillë? Disa thonë se bazën për t’iu lutur shenjtorëve e dha apostulli Pavël në shkrimet e tij. Për shembull, ai u shkroi të krishterëve në Romë: «Tani, o vëllezër, ju nxit nëpërmjet Zotërisë tonë Jezu Krisht dhe nëpërmjet dashurisë që vjen nga fryma, që të përpiqeni bashkë me mua në lutjet që i drejtohen Perëndisë për mua.» (Romakëve 15:30) A po u kërkonte Pavli të bashkëkrishterëve të ndërmjetësonin për të para Perëndisë? Aspak! Po të ishte kështu, ata do t’i kërkonin Pavlit, që ishte një apostull i Krishtit, të ndërmjetësonte për ta. Pavli po tregonte se është e përshtatshme t’i kërkojmë një të bashkëkrishteri t’i lutet Perëndisë për ne. Por është krejt ndryshe t’i lutesh dikujt që mendohet se është në qiell, që t’ia bëjë të njohur Perëndisë kërkesën tonë. Pse?
Në ungjillin e apostullit Gjon, Jezui thotë: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» (Gjoni 14:6) Gjithashtu, ai thotë: «Atë për të cilën i luteni Perëndisë në emrin tim, Perëndia do t’jua japë.» (Gjoni 15:16, Bibla ECM) Jezui nuk tha se duhej t’ia drejtonim atij lutjet dhe se më pas ai do t’i fliste Perëndisë për ne. Përkundrazi, që të na dëgjohen lutjet, duhet t’ia drejtojmë Perëndisë nëpërmjet Jezuit dhe askujt tjetër.
Kur dishepujt i kërkuan Jezuit që t’i mësonte si të luteshin, ai u përgjigj: «Sa herë të luteni, thoni: ‘Atë, u shenjtëroftë emri yt.’» (Luka 11:2) Po, «sa herë» të lutemi, nuk duhet t’i drejtohemi Jezuit apo dikujt tjetër, por vetë Perëndisë. Duke ditur këto mësime të Jezuit që s’lënë vend për dyshime, a nuk është logjike të nxjerrim përfundimin se lutjet duhet t’ia drejtojmë Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit, dhe jo ndërmjetësve ose «shenjtorëve»?
Lutja është pjesë mjaft e rëndësishme e adhurimit tonë dhe të adhurojmë dikë tjetër përveç Perëndisë, duket qartë se nuk përputhet me mësimet e Biblës. (Gjoni 4:23, 24; Zbulesa 19:9, 10) Ja pse lutjet duhet t’ia drejtojmë vetëm Perëndisë.
A DUHET TË KESH FRIKË T’I LUTESH PERËNDISË?
Në Predikimin në Mal, Jezui bëri shembullin e një fëmije që i kërkon të atit diçka për të ngrënë. A do t’i jepte ai gur në vend të bukës? Ose gjarpër helmues në vend të një peshku? (Mateu 7:9, 10) Është e pamendueshme që një prind i dashur të veprojë kështu!
Mendo për një ilustrim të ngjashëm nga pikëpamja e prindit. Imagjino sikur fëmija yt dëshiron të të kërkojë diçka që e ka shumë për zemër. Je përpjekur shumë të mbash lidhje të ngushtë me të dhe gjithmonë je treguar i afrueshëm. Por, ndonëse s’ka arsye të ketë frikë nga reagimi yt, fëmija i kërkon dikujt tjetër të ta përcjellë kërkesën e tij. Si do të ndiheshe? Po nëse e bën zakon të komunikojë me ty vetëm nëpërmjet këtij personi dhe duket qartë se ai s’ka ndër mend të ndryshojë? A do të ishe i kënaqur? Sigurisht që jo! Një prind i dashur do që fëmija t’i drejtohet drejtpërdrejt dhe të ndihet i lirë t’i kërkojë çdo gjë që i nevojitet.
Duke shpjeguar ilustrimin për fëmijën që kërkon ushqim, Jezui i tha turmës: «Prandaj, nëse ju, edhe pse të ligj, dini t’u jepni fëmijëve tuaj dhurata të mira, aq më shumë Ati juaj që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë!» (Mateu 7:11) Pa dyshim, prindi ka shumë dëshirë t’i japë gjëra të mira fëmijës së tij. Dëshira e Atit tonë qiellor për t’i dëgjuar dhe për t’iu përgjigjur lutjeve tona, është edhe më e madhe.
Perëndia do që t’i drejtohemi drejtpërdrejt në lutje, edhe nëse na rëndon barra e mangësive tona. Ai nuk cakton të tjerë për të na i dëgjuar lutjet. Bibla na nxit: «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë.» (Psalmi 55:22) Në vend që t’i varim shpresat te ndërmjetësimi i shenjtorëve ose i dikujt tjetër, bëjmë mirë ta njohim më shumë Perëndinë Jehova.
Ati ynë qiellor interesohet për secilin prej nesh. Ai dëshiron të na ndihmojë me problemet tona dhe na fton t’i afrohemi. (Jakovi 4:8) Sa të lumtur jemi që kemi mundësi t’i drejtohemi Perëndisë dhe Atit tonë, ‘Dëgjuesit të lutjes’!—Psalmi 65:2.