Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 SI TË KEMI NJË FAMILJE TË LUMTUR?

Si ta bësh të suksesshme martesën e dytë?

Si ta bësh të suksesshme martesën e dytë?

HERMANI: * «Gruaja e parë më vdiq nga kanceri pas 34 vjetësh martesë. Kur u martova për së dyti, Linda, gruaja ime, mendonte se e krahasoja gjithmonë me gruan e parë. Sikur të mos mjaftonte kjo, miqtë e mi të vjetër flitnin shpesh për cilësitë e mrekullueshme të gruas së parë dhe kjo e mërziste Lindën.»

LINDA: «Pasi u martova me Hermanin, më dukej sikur jetoja nën hijen e gruas së tij të parë. Atë e donin kaq shumë, ishte gojëmbël dhe e sjellshme. Ndonjëherë dyshoj nëse do të lidhem aq shumë me Hermanin sa ajo.»

Hermani dhe Linda janë të lumtur që kanë gjetur njëri-tjetrin. Madje, Linda, e divorcuar nga burri i parë, e quan Hermanin «princi im i kaltër». Por, siç e pranojnë edhe ata, martesa e dytë mund të sjellë vështirësi që në të parën nuk ekzistonin. *

Nëse je martuar për së dyti, si ndihesh? Një grua me emrin Tamara, që u martua sërish tre vjet pas divorcit, thotë: «Kur martohesh për herë të parë, ke ndjesinë e veçantë se do të zgjasë përgjithmonë. Por, me martesën e dytë nuk e ke këtë ndjesi, sepse jeton gjithmonë me vetëdijen se martesa e parë mori fund.»

Megjithatë, edhe në martesën e dytë shumë çifte kanë gjetur lumturi të vërtetë e të qëndrueshme. Ata i kanë kapërcyer vështirësitë, kështu  që edhe ti mund t’i kapërcesh. Si? Le të shohim tri vështirësi të zakonshme dhe si të ndihmojnë parimet e Biblës t’i kapërcesh ato. *

VËSHTIRËSIA 1: LUFTON QË MARTESA E PARË TË MOS EKLIPSOJË MARTESËN E TANISHME.

«Është e vështirë t’i fshij kujtimet e martesës së parë, sidomos kur shkojmë me pushime në të njëjtat vende ku shkoja me burrin e parë,—thotë Elena, që jeton në Afrikën e Jugut.—Ndonjëherë, pa e kuptuar, e krahasoj burrin e dytë me të parin.» Nga ana tjetër, nëse bashkëshorti ka qenë i martuar, nuk të vjen mirë nëse e përmend shpesh martesën e parë.

Krijoni kujtime të reja që ju bashkojnë si çift

SUGJERIM: Pranoje që është joreale të presësh që ti ose bashkëshorti ta fshini nga kujtesa martesën e parë, sidomos nëse ka zgjatur vite të tëra. Në fakt, disa e pranojnë se pa dashje e kanë thirrur bashkëshortin e tanishëm me emrin e të parit. Si t’ia bësh në një situatë të tillë ose të ngjashme? Bibla këshillon: «Përpiquni ta kuptoni njëri-tjetrin.»—1 Pjetrit 3:8, New Century Version.

I shtyrë nga xhelozia, mos e ndalo në mënyrë kategorike të përmendë martesën e parë. Nëse ka nevojë të flasë për atë periudhë, dëgjoje dhe ji i kuptueshëm e i dhembshur. Gjithashtu, mos u nxito të nxjerrësh përfundimin se po të krahason. «Gruaja ime, Ketlina, nuk i shihte kurrë si tabu bisedat për gruan e parë,—thotë Jani, që u rimartua dhjetë vjet më parë.—Në fakt, ajo e shihte si mënyrë për të kuptuar pse jam ky që jam sot.» Madje mund të zbulosh se biseda të tilla mund t’ju afrojnë më tepër me njëri-tjetrin.

Përqendrohu te cilësitë e mira dhe unike të bashkëshortit të tanishëm. Është e vërtetë se ndoshta nuk i ka disa cilësi ose aftësi që i kishte bashkëshorti i mëparshëm. Por ka të ngjarë që shkëlqen në fusha të tjera. Prandaj, forco themelin e martesës së tanishme, ‘pa e krahasuar me tjetrin’, por duke analizuar dhe duke vlerësuar atë që të pëlqen shumë te bashkëshorti. (Galatasve 6:4) Edmondi që është martuar dy herë, shprehet: «Nuk gjen dy miqësi njësoj, po kështu, nuk gjen dy martesa njësoj.»

Si mund t’i ekuilibrosh kujtimet e bukura të martesës së parë me jetën që ke nisur me bashkëshortin e ri? «Njëherë i shpjegova gruas se martesa ime e parë ishte si një libër i bukur i shkruar nga unë dhe gruaja e parë,—thotë Xharedi.—Herë pas here, mund ta hap e ta lexoj atë libër dhe të mendoj për momentet e bukura. Por nuk jetoj në atë libër. Kurse tani, gruaja dhe unë po shkruajmë bashkë librin tonë dhe aty po jetoj i lumtur.»

PROVO KËTË: Pyete gruan ose burrin nëse ndihet në siklet kur flitet për martesën e parë. Kupto në çfarë momentesh do të ishte më mirë të mos flisni për të.

VËSHTIRËSIA 2: LUFTON QË TË MBASH LIDHJE ME MIQTË E VJETËR QË NUK E NJOHIN MIRË BASHKËSHORTIN TËND TË RI.

«Ca kohë pasi u martuam, gruaja ndihej sikur disa nga miqtë e mi e analizonin dhe e zhbironin»,—thotë Havjeri, që u rimartua gjashtë vjet pas divorcit. Një burrë me emrin Leo ndodhej në një situatë tjetër. Ai tregon: «Disa i thoshin gruas sa e kishin dashur burrin e saj të mëparshëm dhe sa i kishte marrë malli për të, pikërisht në praninë time!»

SUGJERIM: Vëre veten në vendin e miqve. «Mendoj se për miqtë e vjetër ndonjëherë është shumë e dhembshme dhe e sikletshme të shoqërohen me njërin nga çifti që njihnin më parë»,—thotë Jani që përmendëm më lart. Prandaj ‘ji i arsyeshëm e trego tërë butësinë me të gjithë njerëzit’. (Titit 3:2) Lëru kohë miqve dhe familjes që të përshtaten. Kur ndryshon martesa, mund të ndryshojnë edhe miqtë. Havieri, që përmendëm më parë, thotë se ndërsa koha kalonte, ai dhe e shoqja i përtërinë miqësitë e vjetra. «Por përpiqemi edhe të krijojmë miqësi të reja si çift,—shton ai,—dhe kjo në vetvete është një ndihmë më shumë.»

 Mendo për ndjenjat e bashkëshortit kur jeni me miqtë e vjetër. Për shembull, nëse përmendet martesa jote e parë, trego takt dhe gjykim të mirë që bashkëshorti i tanishëm të mos ndihet i lënë mënjanë. «Nëse dikush flet pa u menduar,—thotë një proverb biblik,—atëherë fjalët e tij lëndojnë si një shpatë. Por i mençuri bën kujdes me ato që thotë. Fjalët e tij shërojnë të lënduarit.»—Proverbat 12:18, Holy Bible—Easy-to-Read Version.

PROVO KËTË: Mendo që më përpara çfarë aktivitetesh do të ishin të sikletshme për ty ose bashkëshortin. Diskutoni që më përpara cila është mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur pyetjeve të miqve dhe komenteve për martesën e parë.

VËSHTIRËSIA 3: LUFTON PËR TË PASUR BESIM TE BASHKËSHORTI I TANISHËM NGAQË I PARI ISHTE JOBESNIK.

«Më tmerronte ideja e një tradhtie tjetër,—thotë Endrju, që e la gruaja dhe që më vonë u martua me Rajlin, gruan e tanishme.—Shpesh pyesja veten nëse isha në lartësinë e burrit të saj të parë. Madje kisha merak se mos mendonte që nuk isha aq i mirë dhe pastaj më linte për ndonjë tjetër.»

SUGJERIM: Tregoji hapur bashkëshortit se çfarë të shqetëson. «Planet prishen aty ku nuk flitet në mirëbesim»,—thotë Bibla. (Proverbat 15:22) Në fakt, bisedat në mirëbesim e ndihmuan Endrjun dhe Rajlin të kishin besim te njëri-tjetri. «I thashë Rajlit që nuk do të divorcohesha kurrë për të shpëtuar nga problemet,—thotë Endrju,—dhe ajo më siguroi për të njëjtën gjë. Pak nga pak kam mësuar t’i besoj plotësisht.»

Nëse bashkëshorti yt i tanishëm është tradhtuar në martesën e parë, bëj gjithçka ke në dorë për t’i fituar besimin. Për shembull, Misheli dhe Sabina, të divorcuar nga martesat e para, ranë dakord t’i tregonin njëri-tjetrit po të takonin burrin ose gruan e mëparshme. «Pas këtij premtimi ndiheshim të sigurt»,—thotë Sabina.—Efesianëve 4:25.

PROVO KËTË: Vërini kufij komunikimit vetëm për vetëm me personat e seksit tjetër, qoftë ballë për ballë, me telefon ose me Internet.

Shumë martesa të dyta kanë dalë të suksesshme; edhe e jotja mund të ketë sukses. Në fund të fundit, në krahasim me martesën e parë, ka të ngjarë që e njeh më mirë veten tënde. «Kam gjetur lehtësim të pamasë në martesën time me Rajlin,—thotë Endrju që cituam më sipër.—Pas 13 vjetësh martesë, kemi një lidhje shumë të ngushtë, një lidhje që s’do të donim kurrë ta humbitnim.»

^ par. 3 Emrat janë ndryshuar.

^ par. 5 Sigurisht, ndryshe janë problemet kur bashkëshorti i parë të ka vdekur, dhe ndryshe kur je divorcuar. Sido që të jetë, qëllimi i këtij artikulli është të të ndihmojë ta bësh të suksesshme martesën e dytë.

^ par. 7 Për informacion në lidhje me sfidat e rritjes së fëmijëve në familjet me njerk, shih serinë e artikujve me titull «Sekretet e suksesit në familjet me njerk» në revistën Zgjohuni! të prillit 2012, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

PYET VETEN . . .

  • Cilat janë disa cilësi unike që vlerësoj më tepër te bashkëshorti?

  • Nëse përmendet martesa ime e parë, si mund ta çoj bisedën në një drejtim që i jep siguri e dinjitet bashkëshortit të tanishëm?