BIBLA TË NDRYSHON JETËN
«Fillova të mendoja seriozisht si do t’i vente filli jetës sime»
-
LINDUR: 1941
-
VENDI I LINDJES: AUSTRALIA
-
MË PARË: PINTE DUHAN DHE ABUZONTE ME ALKOOLIN
E KALUARA IME:
U rrita në Uorialda, një qytezë bujqësore në Uellsin e Ri Jugor, ku njerëzit merren me rritjen e deleve e të gjedhëve dhe kultivimin e grurit e të perimeve. Është qytet i pastër dhe s’ka shumë krime.
Ishim dhjetë fëmijë dhe ngaqë unë isha më i madhi, që 13 vjeç fillova punë për të ndihmuar familjen financiarisht. Ngaqë nuk kisha shumë shkollë, punoja në ferma. Kur isha 15 vjeç, merresha me zbutjen e kuajve.
Puna në ferma ishte thikë me dy presa. Nga njëra anë, më pëlqente puna dhe ambienti. Ulesha natën pranë zjarrit dhe shihja hënën e yjet ndërsa flladi i mbrëmjes shpërndante aromën e natyrës përreth. Mbaj mend që mendoja se Dikush duhej t’i kishte krijuar gjithë ato gjëra të mrekullueshme. Nga ana tjetër, në ferma isha i ekspozuar ndaj disa ndikimeve të dëmshme. Dëgjoja shpesh fjalë të pista dhe cigaret ishin kudo. Prandaj, edhe unë fillova të pija duhan e të përdorja fjalë të pista.
Kur mbusha 18, shkova të jetoja në Sidnei. U përpoqa të futesha në ushtri, por nuk më pranuan ngaqë nuk kisha shumë shkollë. Gjeta punë dhe qëndrova në Sidnei për një vit. Pikërisht në këtë kohë takova për herë të parë Dëshmitarët e Jehovait. Pranova ftesën e tyre dhe shkova në një mbledhje. Në mësimet e tyre e dallova menjëherë tingullin e së vërtetës.
Megjithatë, pak më vonë vendosa t’i kthehesha jetës së mëparshme. Përfundova në Gundiuindi, Kuinsland. Gjeta punë, u martova dhe mjerisht, fillova pijen.
Na lindën dy djem. Pas lindjes së tyre fillova të mendoja seriozisht si do t’i vente filli jetës sime. M’u kujtua ajo që kisha dëgjuar në mbledhjen e Dëshmitarëve në Sidnei dhe vendosa të bëja diçka.
Gjeta një revistë të vjetër Kulla e Rojës, ku ishte adresa e zyrës së degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Australi. U dërgova një letër ku u kërkoja ndihmë. Prandaj, më erdhi në shtëpi një Dëshmitar i sjellshëm dhe i dashur. S’kaloi shumë dhe fillova të studioja Biblën me të.
SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:
Ndërsa studioja Biblën, arrita të kuptoja se duhej të bëja ndryshime të mëdha. Një varg biblik që më bëri të mendoja, ishte 2 Korintasve 7:1, që na nxit «të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit».
Vendosa ta lija duhanin dhe pijen. Nuk ishte e lehtë, pasi këto vese i kisha prej kohësh. Por isha i vendosur të bëja një jetë që i pëlqente Perëndisë. Ajo që më ndihmoi më tepër, ishte parimi te Romakëve 12:2: «Mjaft u brumosët sipas kësaj bote, por shndërrohuni, duke përtërirë mendjen tuaj.» Kuptova se, që të hiqja veset, duhej të ndryshoja mënyrën e të menduarit dhe t’i shihja këto vese siç i shihte Perëndia, domethënë si të dëmshme. Falë tij, arrita ta lija duhanin dhe pijen.
«Kuptova se, që të hiqja veset, duhej të ndryshoja mënyrën e të menduarit»
Por gjëja më e vështirë ishte të mos përdorja më fjalë të pista. E dija këshillën biblike te Efesianëve 4:29 që thotë: «Nga goja juaj të mos dalë asnjë thënie e kalbur.» Prapëseprapë, nuk arrita ta bëja menjëherë këtë ndryshim. Më ndihmoi meditimi për Isainë 40:26 ku thuhet për yjet e qiejve: «Ngrini sytë lart dhe shikoni. Kush i krijoi këto gjëra? Ai që e nxjerr ushtrinë e yjeve të llogaritur me numër dhe e thërret secilin me emër. Falë energjisë së tij dinamike dhe fuqisë së tij të madhe, nuk mungon asnjë prej tyre.» Mendova: nëse Perëndia kishte fuqinë të krijonte gjithë këtë univers, që më pëlqente jashtë mase ta kundroja, patjetër që mund të më jepte edhe mua fuqinë të ndryshoja e t’i pëlqeja atij. Me shumë lutje e përpjekje, avash-avash mësova ta frenoja gjuhën.
DOBITË:
Kur punoja si blegtor, nuk kisha shumë mundësi të bisedoja me njerëz, pasi ishin të paktë ata që punonin në fermat ku isha. Por, falë stërvitjes që kam marrë në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, kam mësuar si të shprehem. Ndër të tjera, kjo stërvitje më ka mësuar si t’u flas të tjerëve për lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë.—Mateu 6:9, 10; 24:14.
Vitet e fundit, kam pasur kënaqësinë të shërbej si plak në kongregacion. E konsideroj privilegj të bëj gjithë sa mundem për të ndihmuar bashkëbesimtarët e mi.
Falënderoj Jehovain që më ka dhënë mundësinë të mësohem nga ai, megjithëse nuk kisha shumë shkollë. (Isaia 54:13) Jam më se dakord me fjalët te Proverbat 10:22: «Bekimi i Jehovait të bën të pasur.»