Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

AFROJUNI PERËNDISË

«Shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm»

«Shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm»

A e vlerëson Jehovai atë që bëjnë adhuruesit e tij për t’i pëlqyer? Disa mendojnë se jo, duke thënë se Perëndia nuk do t’ia dijë për ne. Por ky mendim e shtrembëron keqas të vërtetën për Perëndinë. Pikëpamja e duhur për këtë çështje gjendet në Fjalën e Tij, në Bibël. Ajo na siguron se Jehovai i çmon përpjekjet e adhuruesve të tij plot besim. Le të shohim ç’thotë apostulli Pavël te Hebrenjve 11:6.

Çfarë duhet të kemi që t’i pëlqejmë Jehovait? Pavli shkruan: «Pa besim është e pamundur t’i pëlqesh [Perëndisë].» Vër re se Pavli nuk thotë se është e vështirë t’i pëlqejmë Perëndisë pa besim, por se kjo është e pamundur. Me fjalë të tjera, besimi është element thelbësor për t’i pëlqyer Perëndisë.

Çfarë lloj besimi i pëlqen Jehovait? Besimi te Perëndia duhet të përfshijë dy aspekte. Së pari, ‘duhet të besojmë se ai është’. Në përkthime të tjera të Biblës ky varg thotë «të besojmë se ai është real» dhe «të besojmë se ai ekziston». E si mund t’i pëlqejmë Perëndisë nëse do të dyshonim në ekzistencën e tij? Por nuk mjafton vetëm kaq, pasi edhe demonët e besojnë se Jehovai ekziston. (Jakovi 2:19) Besimi se Perëndia është real duhet të na motivojë të veprojmë, pra të japim prova se besojmë duke jetuar siç i pëlqen atij.—Jakovi 2:20, 26.

Së dyti, ‘duhet të besojmë se’ Perëndia është «shpërblyesi». Një njeri me besim të sinqertë është plotësisht i bindur se përpjekjet e tij për të jetuar siç i pëlqen Perëndisë, nuk do të shkojnë kot. (1 Korintasve 15:58) E si mund t’i pëlqejmë Jehovait nëse dyshojmë se ka aftësinë e dëshirën që të na shpërblejë? (Jakovi 1:17; 1 Pjetrit 5:7) Ata që nxjerrin përfundimin se Perëndia është indiferent, mosvlerësues e zemërngushtë, s’e njohin Perëndinë e Biblës.

Cilët shpërblen Jehovai? ‘Ata që e kërkojnë me ngulm’,—thotë Pavli. Sipas një vepre referimi për përkthyes biblikë, fjala greke e përkthyer «kërkojnë me ngulm» nuk do të thotë «të shkosh e të kërkosh», por nënkupton të bësh përpjekje për «ta adhuruar» Perëndinë. Një tjetër vepër referimi shpjegon se kjo folje greke është në një formë që nënkupton intensitet dhe përpjekje të përqendruara. Po, Jehovai i shpërblen ata besimi i të cilëve i nxit ta adhurojnë me zell e dashuri nga zemra.—Mateu 22:37.

E si mund t’i pëlqejmë Jehovait nëse dyshojmë se ka aftësinë e dëshirën që të na shpërblejë?

Si i shpërblen Jehovai adhuruesit e tij besimplotë? Ai u ka premtuar jetën e përhershme në Parajsën tokësore, një shpërblim i vyer për të ardhmen që tregon sa zemërgjerë dhe i dashur është. (Zbulesa 21:3, 4) Që sot, ata që e kërkojnë me ngulm Jehovain, marrin bekime të pasura. Me ndihmën e frymës së tij të shenjtë dhe mençurisë së Fjalës së tij, bëjnë jetë shpërblyese e të kënaqshme.—Psalmi 144:15; Mateu 5:3.

Vërtet, Perëndia Jehova e çmon dhe e vlerëson shërbimin me besim të adhuruesve të tij të përkushtuar. A nuk të nxit kjo t’i afrohesh më tepër atij? Nëse po, pse të mos mësosh më shumë si të zhvillosh e të tregosh atë lloj besimi që Jehovai e shpërblen me bujari?

Sugjerim për leximin e Biblës në nëntor

Titit 1-3; Filemonit 1-25; Hebrenjve 1-13Jakovit 1-5