Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fjala e Perëndisë përhapet në Spanjën mesjetare

Fjala e Perëndisë përhapet në Spanjën mesjetare

«Kur të shkoj në Spanjë, do të vij ndër ju; sepse shpresoj, pra, t’ju shoh dhe të më përcillni deri atje.»—Romakëve 15:24, Diodati i Ri.

APOSTULLI Pavël ua shkroi këto fjalë të bashkëkrishterëve në Romë aty rreth vitit 56 të e.s. Bibla nuk e thotë nëse Pavli arriti ta bënte këtë udhëtim në Spanjë. Sidoqoftë, falë përpjekjeve të tij ose të misionarëve të tjerë të krishterë, në shekullin e dytë të e.s., lajmi i mirë nga Fjala e Perëndisë, Bibla, kishte arritur në Spanjë.

Pa kaluar shumë, në Spanjë nisën të shfaqen e të lulëzojnë komunitete të krishtere. Kështu lindi nevoja që njerëzit atje ta kishin Biblën të përkthyer në latinisht. Kjo sepse në shekullin e dytë, Spanja prej kohësh ishte nën sundimin romak dhe latinishtja ishte bërë gjuha e përbashkët në Perandorinë e paanë Romake.

BIBLAT NË LATINISHT PLOTËSOJNË NEVOJËN

Të krishterët e hershëm spanjollë prodhuan disa përkthime në latinisht, që të gjitha së bashku njihen si Vetus Latina Hispana. Këto Bibla latine u përdorën për shumë vjet në Spanjë derisa Jeronimi përfundoi Vulgatën e mirënjohur latine në fillim të shekullit të pestë të e.s.

Përkthimi i Jeronimit, të cilin ai e përfundoi në Betlehem, Palestinë, arriti në Spanjë në kohë rekord. Kur Lucinius, një student i kamur i Biblës, dëgjoi se Jeronimi po përgatiste një përkthim në latinisht, deshi të kishte një kopje të këtij përkthimi sa më shpejt. Pa vonuar dërgoi gjashtë kopistë në Betlehem që të kopjonin tekstin e ta sillnin në Spanjë. Në shekujt që vijuan, Vulgata dalëngadalë i zuri vendin botimit Vetus Latina Hispana. Këto përkthime u dhanë mundësi spanjollëve të lexonin Biblën e të kuptonin mesazhin e saj. Por, teksa Perandoria Romake po perëndonte, lindën nevoja të reja gjuhësore.

BIBLA NË PLLAKA GURI

Në shekullin e pestë, kur visigotët e fise të tjera gjermanike pushtuan Spanjën, një gjuhë e re mbërriti në gadishull, gjuha gotike. Pushtuesit praktikonin arianizmin, një formë krishterimi që hidhte poshtë doktrinën e Trinitetit. Ata sollën me vete përkthimin e tyre të Shkrimeve, Biblën gotike të Ulfilës. Kjo Bibël u lexua në Spanjë deri në fund të shekullit të gjashtë, kur mbreti i visigotëve, Rekaredi, u bë katolik dhe mohoi arianizmin. Ai dha urdhër që të mblidheshin gjithë librat arianë e të shkatërroheshin, përfshirë këtu edhe Biblën e Ulfilës. Si pasojë, në Spanjë nuk mbeti asnjë material në gjuhën gotike.

Pllakë guri me një tekst biblik në një dialekt latin, shekulli i gjashtë i e.s.

Gjithsesi, Fjala e Perëndisë vazhdoi të përhapej në Spanjë gjatë asaj kohe. Përveç gjuhës gotike, atje ende flitej gjerësisht një dialekt latin nga i cili rrodhën gjuhët romane të përdorura në Gadishullin Iberik. * Dokumentet më të hershme në këtë dialekt latin njihen si pllakat visigote, meqë u shkruan në rrasa ose pllaka guri. Datojnë nga shekulli i gjashtë dhe i shtatë. Disa përmbajnë fragmente nga Psalmet dhe Ungjijtë. Një prej tyre ka të gjithë Psalmin 16.

Ekzistenca e teksteve biblike në pllaka të thjeshta guri tregon se në atë kohë edhe njerëz të zakonshëm e lexonin dhe e kopjonin Fjalën e Perëndisë. Me sa duket, mësuesit përdornin këto tekste biblike si ushtrime për nxënësit që mësonin shkrim e lexim. Ndryshe nga pergamenat e shtrenjta që përdoreshin në manastiret mesjetare për të prodhuar Bibla të ilustruara, pllakat ishin materiale të lira.

Pjesë e Biblës së Leonit me shumë ilustrime. Edhe pse aq të çmuara, ato Bibla nuk bënë shumë punë për të përhapur mesazhin e Fjalës së Perëndisë mes njerëzve

Një nga Biblat e ilustruara me vlerë të madhe gjendet në kishën San Isidoro në Leon, Spanjë. Daton nga viti 960 i e.s., ka 1028 faqe me përmasa 47 me 34 centimetra dhe peshon rreth 18 kilogramë. Një tjetër që tani ndodhet në Bibliotekën e Vatikanit është Bibla e Ripoll, e cila daton rreth vitit 1020 të e.s. Është një nga Biblat mesjetare më të zbukuruara me ilustrime. Për të krijuar një vepër të tillë arti, një murg mund të ketë kaluar një ditë të tërë për të pikturuar shkronjën e parë të një fragmenti ose një javë të tërë për titullin e faqes. Megjithatë, ato Bibla edhe pse aq të çmuara, nuk bënë shumë punë për të përhapur mesazhin e Fjalës së Perëndisë mes njerëzve.

BIBLA NË ARABISHT

Në shekullin e tetë, në Spanjë kish filluar të zinte rrënjë një gjuhë tjetër si pasojë e pushtimit islamik në gadishull. Në zonat që kolonizuan myslimanët, arabishtja fitoi epërsi mbi latinishten, ndaj lindi nevoja për një Bibël në këtë gjuhë të re.

Nga shekulli i pestë deri në shekullin e tetë të e.s., Bibla në latinisht dhe arabisht u dha mundësi spanjollëve të lexonin Fjalën e Perëndisë

Pa dyshim në Spanjën e mesjetës kishte shumë përkthime të Biblës në gjuhën arabe, sidomos të Ungjijve. Me sa duket, në shekullin e tetë, Juan, një peshkop në Sevilje, përktheu të gjithë Biblën në arabisht. Mjerisht, shumica e atyre përkthimeve në arabisht kanë humbur. Në katedralen e Leonit, Spanjë, ruhet një përkthim në arabisht i Ungjijve që daton nga mesi i shekullit të dhjetë.

Përkthim në arabisht i Ungjijve, shekulli i dhjetë i e.s.

DALIN VERSIONE NË SPANJISHT

Në fund të mesjetës, në Gadishullin Iberik nisi të merrte formë gjuha kastiliane, ose spanjolle. Kjo gjuhë e re do të bëhej mjet i rëndësishëm për të përhapur Fjalën e Perëndisë. * Përkthimi më i hershëm i vargjeve biblike del në veprën La Fazienda de Ultra Mar (Vepra nga përtej deteve) e fillim shekullit të 13-të. Kjo vepër përmban një tregim për një udhëtim në Izrael dhe përfshin fragmente nga Pentateuku, libra të tjerë të Shkrimeve Hebraike, Ungjijtë dhe Letrat.

Mbreti Alfonso X përkrahu përkthimin e Biblës në spanjisht

Autoriteteve të kishës nuk u pëlqeu ky përkthim. Në vitin 1234, Këshilli i Tarragonës, dekretoi që të gjithë librat biblikë në gjuhët amtare t’i dorëzoheshin klerit vendës e të digjeshin. Sa mirë që ky dekret nuk i dha fund përkthimit të mëtejshëm të Biblës! Mbreti Alfonso X (1252-1284), i cili konsiderohet themeluesi i gjuhës së shkruar spanjolle, deshi që Shkrimet të përktheheshin në gjuhën e re dhe mbështeti projektin. Në përkthimet në spanjisht të kësaj periudhe bën pjesë e ashtuquajtura Bibla Para-Alfonsiane dhe Bibla Alfonsiane që doli pak pas saj, përkthimi më i madh i asaj kohe në spanjisht.

Faqe të Biblës Para-Alfonsiane (në të majtë) dhe të Biblës Alfonsiane (në të djathtë) të shekullit të 13-të

Këto dy vepra ndihmuan në themelimin dhe pasurimin e gjuhës së re spanjolle. Studiuesi Tomas Mongomeri shprehet kështu për Biblën Para-Alfonsiane: «Përkthyesi i kësaj Bible bëri një punë të admirueshme për sa i përket saktësisë dhe hijeshisë së gjuhës. . . . Gjuha është e thjeshtë dhe e qartë, ashtu siç duhej për një Bibël të përgatitur për njerëz që nuk e njihnin latinishten.»

Gjithsesi, ato Bibla të hershme në spanjisht u përkthyen nga Vulgata latine, jo nga gjuhët origjinale. Duke filluar nga shekulli i 14-të, studiuesit hebrenj përkthyen disa versione në spanjisht të Shkrimeve Hebraike direkt nga hebraishtja. Në atë kohë, Spanja kishte komunitetin më të madh hebre në Evropë dhe përkthyesit hebrenj mund t’i referoheshin dorëshkrimeve cilësore hebraike për përkthimet e tyre. *

Një shembull i jashtëzakonshëm ishte Bibla e Albës, e cila përfundoi në shekullin e 15-të. Një fisnik i njohur spanjoll, Luis de Guzmán, caktoi rabinin Moisés Arragel të përkthente Biblën në gjuhën kastiliane. Kishte dy arsye pse kërkoi këtë përkthim të ri. Së pari, ai tha: «Biblat që kemi sot në gjuhën romane kanë një gjuhë shumë të shtrembëruar», dhe së dyti «njerëzit si ne kanë shumë nevojë për shënime anash faqeve për fragmentet e pakuptueshme». Kjo kërkesë tregon se njerëzit e kohës së tij dëshironin shumë të lexonin e të kuptonin Biblën. Gjithashtu, na tregon se Shkrimet në gjuhën vendëse tashmë ishin shumë të përhapura në Spanjë.

Falë përkthyesve dhe kopistëve të mesjetës, të arsimuarit në Spanjë mund ta lexonin Biblën në gjuhën e tyre pa shumë pengesa. Ja përse, historiani Juan Orts González vëren se «spanjollët e njihnin Biblën shumë më mirë se gjermanët dhe anglezët para kohës së Luterit».

«Spanjollët e njihnin Biblën shumë më mirë se gjermanët dhe anglezët para kohës së Luterit.»—Historiani Juan Orts González

Por, aty nga fundi i shekullit të 15-të Inkuizicioni spanjoll ndaloi përkthimin dhe mbajtjen e Shkrimeve në gjuhët vendëse. Në Spanjë, nisi një periudhë e errët për Biblën. Kaluan tri shekuj derisa më në fund ndalimi u hoq. Gjatë asaj kohe të vështirë, disa përkthyes sypatrembur botuan jashtë shtetit versione të reja në spanjisht dhe i futën fshehurazi në Spanjë. *

Siç tregon edhe historia e Biblës në Spanjën e mesjetës, kundërshtarët janë përpjekur në shumë mënyra të eliminojnë Fjalën e Perëndisë. Sidoqoftë, nuk arritën të shuanin thëniet e të Plotfuqishmit.—Psalmi 83:1; 94:20.

Puna e palodhur e shumë studiuesve bëri të mundur që Bibla të zinte rrënjë e të lulëzonte në Spanjën mesjetare. Përkthyes të sotëm kanë ecur në gjurmët e atyre pionierëve që përkthyen Shkrimet në gjuhët latine, gotike, arabe dhe spanjolle. Si rezultat, miliona spanjishtfolës sot mund ta lexojnë Fjalën e Perëndisë në gjuhën që u prek zemrën.

^ par. 10 Ndër to janë gjuha kastiliane, katalane, galiciane dhe portugeze.

^ par. 17 Sot, spanjishtja është gjuha e parë e rreth 540 milionë njerëzve.

^ par. 20 Shih artikullin «Emri hyjnor dhe përpjekjet e Alfonso de Zamorës për një tekst të saktë», në numrin e 1 dhjetorit 2011 të kësaj reviste.

^ par. 23 Shih artikullin «Lufta që bëri Kasiodoro de Reina për një Bibël në spanjisht», në numrin e 1 qershorit 1996 të kësaj reviste.