A e dini?
Ç’jetë bënin skllevërit në botën romake?
Në Perandorinë Romake, një mori njerëzish bëheshin skllevër nga pushtimet ushtarake ose rrëmbimet. Robërit shiteshin dhe në përgjithësi nuk ktheheshin më kurrë në shtëpi ose te familjet e tyre.
Shumë skllevër vdisnin nga puna në miniera, kurse ata që punonin në bujqësi ose shërbëtorët në shtëpi e kishin më të lehtë. Një skllav mund të detyrohej të mbante një qafore hekuri me një mbishkrim ose me një pllakëz të varur, ku premtohej një shpërblim nëse e kthenin te pronari pas arratisjes. Ata që orvateshin t’ia mbathnin herë pas here, mund të damkoseshin në ballë, shpesh me shkronjën F për fugitivus (i arratisur).
Në librin biblik të Filemonit flitet për apostullin Pavël që e dërgon skllavin e arratisur Onesim te pronari i vet, Filemoni. Megjithëse Filemoni kishte të drejtë ligjore për ta ndëshkuar rëndë Onesimin, Pavli i kërkoi Filemonit ‘ta priste me dashamirësi’, në bazë të dashurisë së krishterë dhe miqësisë që gëzonte me të.
Pse ishte e famshme Fenikia e lashtë për ngjyrën e purpurt?
Fenikia, e cila përkon përafërsisht me Libanin e sotëm, njihej për ngjyrën e purpurt tirase, që e kishte marrë emrin nga qyteti i Tirit. Mbreti Solomon i Izraelit të lashtë e furnizoi tempullin e tij me ‘lesh të purpurt’ që e kishte prodhuar një artizan nga Tiri.
E purpurta tirase ishte ngjyra më e çmuar në atë kohë, përgjithësisht për shkak të punës së madhe që bëhej për ta prodhuar. Në fillim, peshkatarët nxirrnin nga deti kërmij mureks * në sasi të mëdha. Vetëm për të ngjyrosur një rrobë, nevojiteshin rreth 12.000 copë. Më tej, këta kërmij të detit i nxirrnin nga guaska që t’u merrnin gjëndrat e ngjyrës. Përpunuesit e bojës i përzienin me kripë dhe këtë përzierje e linin jashtë në diell për tri ditë. Pastaj, e vinin në një enë me kapak dhe e zienin me ujë deti për disa ditë në temperaturë të ulët.
Për qindra vjet, me anë të tregtisë dhe kolonizimit, tregun e ngjyrës së purpurt tirase dhe mjeshtërinë e prodhimit e kishin fenikasit. Reliktet e tyre të prodhimit të kësaj boje janë gjetur përreth Detit Mesdhe e deri në perëndim, në Kadiks të Spanjës.
^ par. 8 Guaskat e tyre janë rreth 5-8 cm të gjata.