Tomas Emlini —Blasfemues apo mbrojtës i së vërtetës?
KUSH ishte Tomas Emlini dhe çfarë e shtyu të dilte në krah të së vërtetës? Ç’mund të mësojmë nga ai që mund të na vlejë edhe neve sot?
Që t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, duhet të kthehemi mbrapa në histori, në fund të shekullit të 17-të dhe në fillim të shekullit të 18-të në Angli e në Irlandë. Kisha e Anglisë në atë kohë kishte shumë autoritet. Grupe dhe individë të ndryshëm protestantë ishin në konflikt me kishën.
KUSH ISHTE AI?
Pikërisht në këtë ambient lindi Tomas Emlini, më 27 maj 1663, në Stamford, Linkolnshir, Angli. Në moshën 19-vjeçare, ai bëri fjalimin e parë fetar. Më vonë, ai u bë kapelan për një konteshë që jetonte në Londër, dhe pas ca kohësh, u transferua në Belfast të Irlandës.
Atje nisi të shërbente në një kishë famullie. Më vonë, Emlini shërbeu në vende të ndryshme, përfshirë në Dublin.
PSE E AKUZUAN PËR BLASFEMI?
Gjatë atyre kohëve, Emlini e studionte me kujdes Biblën. Studimet i mbollën dyshime për Trinitetin, megjithëse në fillim e kishte besuar. Teksa thellohej në Ungjij, ai u bind se kuptueshmëria e tij e përmirësuar harmonizohej me ta.
Emlini nuk e bëri publike menjëherë atë që kishte zbuluar. Gjithsesi, disa në kishën e tij në Dublin vërejtën se ai nuk fliste më për Trinitetin në fjalimet që bënte. Duke e ditur se këto zbulime nuk do të mirëpriteshin nga të tjerët, ai shkroi: «Nuk mund të shpresoj të vazhdoj në këtë post po t’i bëj të ditura pikëpamjet e mia.» Në qershor të vitit 1702, dy klerikë të tjerë iu kundërvunë për heqjen e Trinitetit nga fjalimet e tij. Emlini tha se nuk e besonte më dhe u ofrua të jepte dorëheqjen.
Brenda pak ditësh, ai u largua nga Dublini, Irlandë, dhe u nis për në Angli. Gjithsesi, pas dhjetë javësh u kthye në Dublin që të sqaronte ca çështje dhe, më pas, të transferohej përfundimisht në Londër. Gjatë kohës që ishte në Dublin, ai shpresonte t’i argumentonte pikëpamjet e tij, prandaj nxori botimin An Humble Inquiry Into the Scripture-Account of Jesus Christ. Në këtë botim, ai dha prova të qarta se Jezui nuk mund të ishte Perëndia më i Lartë. Kjo i tërboi anëtarët e kishës në Dublin ku bënte pjesë dikur Emlini. Ndaj tij u ngrit një padi.
Emlinin e arrestuan dhe e nxorën para gjykatës më të lartë (Queen’s Bench Court) në Dublin më 14 qershor 1703. Në botimin e tij (True Narrative of the Proceedings) Emlini tregon arsyen e akuzës së tyre, ku thotë: «Ngaqë kam shkruar dhe botuar një libër i cili përmban pohime blasfemuese, dashakeqe etj se Jezu Krishti nuk është i barabartë me Perëndinë, Atin.» Gjyqi ishte i gjithi një farsë. Shtatë peshkopë të Kishës së Irlandës u ulën në bankë bashkë me gjykatësit. Emlini nuk u lejua ta mbronte veten në gjyq. Riçard Levinsi, një avokat i njohur, i tha Emlinit se do ta ndiqnin «si të ishte ujk, pa ligje ose rregulla». Në përfundim të seancës, Lord kryegjykatës Riçard Pajni i tha jurisë se po të mos merrnin vendimin që pritej, atëherë «lordët dhe peshkopët [e tij] ishin aty», mbase duke nënkuptuar se juria do të merrte ndëshkimin e duhur.
«Vuaj për atë që për mua është e vërteta dhe lavdia e tij [e Perëndisë].»
Kur Emlinin e shpallën fajtor, zëvendësprokurori i përgjithshëm i propozoi që të tërhiqej. Emlini refuzoi. Ai u gjobit dhe u dënua me një vit burg. Ngaqë nuk mund ta paguante gjobën, ai qëndroi dy vjet në burg, derisa një shok i bindi autoritetet t’ia zvogëlonin shumën. Ai u lirua më 21 korrik 1705. Poshtërimet që duroi, e shtynë të bënte këtë shpallje, siç u citua më sipër: «Vuaj për atë që për mua është e vërteta dhe lavdia e tij [e Perëndisë].»
Emlini u transferua në Londër, ku me kalimin e kohës nisi të shoqërohej me Uilliam Uistonin, një tjetër studiues të Biblës që e kishin dëbuar nga shoqëria ngaqë kishte botuar atë që mendonte se ishte e vërteta e Biblës. Uistoni e respektonte Emlinin; e quante «‘besimtari guximtar i parë dhe kryesor’ i ‘krishterimit të vjetër’».
PSE E HODHI POSHTË TRINITETIN?
Ashtu si Uilliam Uistoni dhe Isak Njutoni, një tjetër studiues i respektuar, Emlini zbuloi se Bibla nuk e mbështet doktrinën e Trinitetit, siç pasqyrohet në Kredon Atanasiane. Ai shpjegoi: «Pasi e mendova mirë e mirë, dhe studiova Shkrimet e Shenjta, . . . gjeta arsye madhore . . . për ta ndryshuar mendimin tim në lidhje me konceptin e mëparshëm të Trinitetit.» Ai përfundoi duke thënë se «vetëm Perëndia dhe Ati i Jezu Krishtit është Qenia më e Lartë».
Pse arriti në këtë përfundim Emlini? Ai gjeti shumë shkrime që tregonin dallimin mes Jezuit dhe Atit të tij. Ja vetëm disa shembuj (komentet e Emlinit për shkrimet janë me kursive):
Gjoni 17:3: «Nuk thuhet askund se Krishti është Perëndi ose Perëndia, domethënë Perëndia i vetëm.» Vetëm Ati quhet ‘i vetmi Perëndi i vërtetë’.
Gjoni 5:30: «Biri nuk bën vullnetin e tij, por vullnetin e Atit.»
Gjoni 5:26: «Jetën ia ka dhënë Ati i tij.»
Efesianëve 1:3: «Zakonisht, për Jezu Krishtin thuhet se është Biri i Perëndisë, por për Atin nuk thuhet fare se është Ati i Perëndisë, ndonëse shpesh quhet Ati i Zotërisë tonë Jezu.»
Pasi Emlini i shqyrtoi të gjitha provat, tha me bindje: «Nuk ka asnjë varg në Shkrimet e Shenjta ku, Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë të thuhet qartë se janë një dhe e njëjta qenie. Ato nuk lënë shkas as ta pretendojmë diçka të tillë.»
ÇFARË MUND TË MËSOJMË?
Shumë veta sot sprapsen dhe nuk i mbrojnë ato që mësojnë Shkrimet. Por Emlini ishte i gatshëm ta mbronte të vërtetën e Biblës. Ai ngriti pyetjen: «Nëse dikush nuk shpall të vërtetat më të rëndësishme, të cilat i dallon qartë dhe në mënyrë të dukshme në Shkrimet e Shenjta, atëherë pse duhet të lexojë dhe të bëjë kërkime për to?» Emlini nuk do të bënte kompromis me të vërtetën.
Shembulli që na kanë lënë Emlini me të tjerët na shtyn të mendojmë nëse jemi të gatshëm ta mbrojmë të vërtetën edhe kur na përbuzin. Edhe ne mund të pyesim veten: «Çfarë është më e rëndësishme—të kem nderimin dhe miratimin e të tjerëve, apo t’i përmbahem së vërtetës në Fjalën e Perëndisë?»