A e dini?
Si i izolonin mjetet e lundrimit në lashtësi?
Lajonel Kasoni, një specialist për anijet e lashta, shpjegon çfarë bënin ndërtuesit e anijeve në kohën romake pasi kallafatonin ose mbyllnin të çarat midis dërrasave të mjeteve të lundrimit. Ishte e zakonshme që ata «t’i mbushnin të çarat ose madje ta lyenin gjithë anën e jashtme të anijes me katran [bitum] ose me katran e dyll, dhe anën e brendshme ta lyenin me një shtresë katrani». Shumë kohë para romakëve, edhe akadianët dhe babilonasit e lashtë e përdornin bitumin për të izoluar mjetet e tyre të lundrimit.
Shkrimet hebraike përmendin një teknikë të ngjashme te Zanafilla 6:14. Fjala hebraike që këtu është përkthyer «zift», me sa duket i referohet bitumit, një substancë me përbërje nafte që gjendet në natyrë.
Bitumi natyror gjendet në dy forma—i lëngët dhe i ngurtë. Ndërtuesit e anijeve në lashtësi përdornin bitumin e lëngët; e përdornin direkt në mjetet e tyre të lundrimit. Pasi i lyenin, bitumi thahej dhe ngurtësohej, duke krijuar kështu një veshje kundra ujit.
Në kohët biblike kishte plot bitum. Lugina e Sidimit, në zonën e Detit të Vdekur, «ishte plot e përplot me puse bitumi».—Zanafilla 14:10.
Çfarë metodash përdoreshin për të ruajtur peshqit në antikitet?
Peshku ka qenë prej kohësh një ushqim i rëndësishëm. Para se të fillonin të udhëtonin me Jezuin, disa apostuj të tij ishin peshkatarë në detin e Galilesë. (Mateu 4:18-22) Të paktën një pjesë të peshqve që zinin atje, i përpunonin në «fabrikat» aty afër.
Teknika e ruajtjes së peshkut që ka të ngjarë të përdorej në Galilenë e lashtë, përdoret ende sot në disa vende. Si fillim, peshkut i heqin të përbrendshmet dhe e lajnë me ujë. Një libër (Studies in Ancient Technology) përshkruan hapat vijues: «Më pas, velëzat, gojën dhe luspat ia lyejnë me kripë të ashpër. Shtresat e kripës dhe të peshqve i mbulojnë me një shtrojë të thatë. Pas 3-5 ditësh i kthejnë në anën tjetër dhe i lënë po aq ditë. Gjatë kësaj kohe, lëngjet e trupit thahen dhe kripa depërton te peshku. Pasi thahen, peshqit janë të ngurtë dhe të fortë.»
Nuk dihet sa gjatë rronin peshqit e ruajtur në këtë mënyrë. Gjithsesi, fakti që egjiptianët e lashtë eksportonin në Siri peshq të tharë, tregon se metodat që përdornin, funksiononin mjaft mirë.