TEMA KRYESORE | A INTERESOHET ZOTI PËR TY?
Zoti i mban sytë mbi ty
«[Zoti] i mban sytë tek udhët e njeriut, dhe sheh tërë hapat e tij.»—JOBI 34:21.
PSE DYSHOJNË DISA? Sipas një studimi të kohëve të fundit, vetëm galaktika jonë mund të ketë të paktën 100 miliardë planetë. Duke menduar për universin e pafund, shumë veta pyesin: «Pse Krijuesi i plotfuqishëm duhet t’i vërejë veprimet që bëjnë njerëzit e papërfillshëm në këtë planet të vockël?»
ÇFARË MËSON FJALA E PERËNDISË? Perëndia nuk është se thjesht na dha Biblën dhe më pas nuk u interesua më për ne. Përkundrazi, Jehovai na siguron: «Do të të këshilloj duke i mbajtur sytë mbi ty.»—Psalmi 32:8.
Shqyrto rastin e Agarës, një egjiptiane e shekullit të 20-të p.e.s. Agara nuk tregoi respekt për gruan ku punonte, Sarajën, prandaj ajo e poshtëroi Agarën, e cila iku në shkretëtirë. Tani që Agara kishte bërë një gabim, a nuk u interesua më për të Perëndia? Bibla thotë: «Engjëlli i Jehovait e gjeti.» Ai i dha zemër Agarës, me fjalët: «Jehovai e dëgjoi mundimin tënd.» Më pas, Agara i tha Jehovait: «Ti je një Perëndi që sheh.»—Zanafilla 16:4-13.
‘Perëndia që sheh’ i mban sytë edhe mbi ty. Ta ilustrojmë: një nënë e dashur tregohet syçelë veçanërisht ndaj fëmijëve të saj të vegjël, sepse, sa më i vogël të jetë fëmija, aq më shumë ka nevojë për vëmendjen e prindit. Po ashtu, Perëndia i mban sytë mbi ne veçanërisht kur vuajmë dhe kur jemi të dobët. Jehovai thotë: «Unë banoj në lartësi dhe në vend të shenjtë bashkë me të dërrmuarin dhe të përvuajturin në frymë, që të rigjallëroj frymën e të përvuajturve dhe zemrën e të dërrmuarve.»—Isaia 57:15.
Sidoqoftë, mbase pyet: «Si i mban sytë mbi mua Perëndia? A më gjykon ai nga pamja, apo sheh përtej asaj që duket dhe e kupton vërtet se kush jam?»