Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

BISEDË ME NJË TË INTERESUAR

Kur filloi të qeveriste Mbretëria e Perëndisë? (Pjesa 2)

Kur filloi të qeveriste Mbretëria e Perëndisë? (Pjesa 2)

Më poshtë tregohet një bisedë tipike që një Dëshmitar i Jehovait bën me dikë. Le të përfytyrojmë sikur një Dëshmitar që quhet Kujtim shkon sërish në shtëpinë e një burri me emrin Gjergj.

ËNDRRA E NABUKODONOSORIT​—NJË PËRMBLEDHJE E SHKURTËR

Kujtimi: Ç’kemi Gjergji! Më bëhet qejfi që të takoj prapë. Më pëlqen të flas me ty për Biblën çdo javë. * Si ke qenë?

Gjergji: Mirë, faleminderit!

Kujtimi: Më bëhet qejfi. Herën e kaluar folëm pse Dëshmitarët e Jehovait thonë se Mbretëria e Perëndisë filloi të qeveriste në vitin 1914. * Siç e diskutuam, një arsye thelbësore gjendet te një profeci e kapitullit 4 të librit biblik të Danielit. A e kujton për çfarë flet ajo?

Gjergji: Për ëndrrën që pa mbreti Nabukodonosor me një pemë të madhe.

Kujtimi: Tamam. Në ëndrrën e tij, Nabukodonosori pa një pemë të stërmadhe që arrinte deri në qiell. Ai dëgjoi një engjëll të Perëndisë që urdhëroi të pritej pema, ama kërcuri dhe rrënjët duhej të liheshin në tokë. Pasi të kalonin «shtatë kohë», pema do të rritej prapë. * Gjithashtu diskutuam pse kjo profeci ka dy përmbushje. A të kujtohet cila ishte përmbushja e parë?

Gjergji: Ishte ajo që i ndodhi vetë Nabukodonosorit, apo jo? Ai u çmend për shtatë vjet.

Kujtimi: Pikërisht. Nabukodonosori u çmend përkohësisht, kështu që sundimi i tij u ndërpre. Por, kjo profeci do ta kishte përmbushjen më të madhe kur qeverisja e Perëndisë në tokë të ndërpritej për shtatë kohë. Siç e pamë, shtatë kohët filluan kur Jerusalemi u shkatërrua në vitin 607 p.e.s. Që nga ajo kohë, nuk kishte më mbretër në tokë që të përfaqësonin Perëndinë Jehova në qeverisjen e popullit të tij. Gjithsesi, në fund të shtatë kohëve Perëndia do të caktonte një Sundimtar të ri për popullin e tij, dikë në qiell. Me fjalë të tjera, fundi i shtatë kohëve do të shënonte fillimin e qeverisjes së Mbretërisë qiellore të Perëndisë. Tashmë e kemi diskutuar kur filluan shtatë kohët. Prandaj, nëse mund ta përcaktojmë sa zgjatën ato, do të dimë kur filloi të qeverisë Mbretëria e Perëndisë. A e ke të qartë deri këtu?

Gjergji: Po, kjo përmbledhje më ndihmoi ta freskoj pak kujtesën.

Kujtimi: Shumë mirë. Tani, le të shqyrtojmë sa të gjata ishin shtatë kohët. Sapo lexova për këtë temë që të kujtoja pikat kyçe. Do të përpiqem t’i shpjegoj sa më mirë të mundem.

Gjergji: Në rregull.

MBAROJNË SHTATË KOHËT​—FILLOJNË DITËT E FUNDIT

Kujtimi: Në përmbushjen e parë të profecisë, që është për Nabukodonosorin, me sa duket shtatë kohët ishin shtatë vite të mirëfillta. Por, në përmbushjen më të madhe, që ka lidhje me Mbretërinë e Perëndisë, shtatë kohët duhet të zgjatin më tepër se shtatë vite të mirëfillta.

Gjergji: Pse?

Kujtimi: Pikësëpari, siç e kemi thënë, shtatë kohët filluan kur Jerusalemi u shkatërrua më 607 p.e.s. Nëse numërojmë shtatë vite të mirëfillta që nga ai vit, arrijmë në vitin 600 p.e.s. Mirëpo, atë vit nuk ndodhi asgjë domethënëse për qeverisjen e Perëndisë. Për më tepër, siç e kemi shqyrtuar më parë, shekuj më vonë kur Jezui ishte në tokë, tregoi se shtatë kohët nuk kishin përfunduar ende.

Gjergji: Ah, po, tani më kujtohet.

Kujtimi: Prandaj, në vend të viteve të mirëfillta, shtatë kohët duhet të jenë një periudhë kohore më e gjatë.

Gjergji: Sa e gjatë?

Kujtimi: Libri biblik i Zbulesës, që lidhet ngushtë me librin e Danielit, na ndihmon ta përcaktojmë me saktësi sa zgjatin shtatë kohët. Aty tregohet se tri kohë e gjysmë janë të barabarta me 1.260 ditë. * Kështu, shtatë kohë​—dyfishi i tri kohëve e gjysmë—​janë të barabarta me 2.520 ditë. Arrin të më ndjekësh?

Gjergji: Deri këtu po. Por s’po e kuptoj si tregon kjo se Mbretëria e Perëndisë filloi të qeverisë në vitin 1914.

Kujtimi: Mirë, pra. Le ta shohim. Ndonjëherë në profecitë biblike një ditë përfaqëson një vit. * Nëse zbatojmë rregullin një ditë për një vit, shtatë kohët janë të barabarta me 2.520 vjet. Po të numërojmë 2.520 vjet që nga 607-a p.e.s., arrijmë në vitin 1914, viti kur mbaruan shtatë kohët dhe kur Jezui filloi të qeverisë si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. * Është interesante se, që nga viti 1914, kanë ndodhur ngjarje të mëdha në botë, të cilat Bibla i kishte parathënë se do të ndodhnin në ditët e fundit.

Gjergji: Cilat ngjarje?

Kujtimi: Shiko çfarë tha Jezui këtu te Mateu 24:7. Teksa fliste për kohën kur do të fillonte të qeveriste në qiell, Jezui tha: «Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie e do të ketë mungesë ushqimi dhe tërmete nga njëri vend në tjetrin.» Vër re se Jezui paratha se gjatë kësaj periudhe do të kishte mungesë ushqimi dhe tërmete. Sigurisht, shekullin e kaluar kanë ndodhur shumë nga këto gjëra, apo jo?

Gjergji: Po, është e vërtetë.

Kujtimi: Në këtë varg, Jezui paratha edhe se do të kishte luftëra gjatë pranisë së tij si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. Libri biblik i Zbulesës paratha jo thjesht luftëra lokale, por luftëra që do të ndikonin tek e gjithë bota gjatë kohës së fundit. * E kujton kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore?

Gjergji: Më 1914, po atë vit kur thua se filloi të qeverisë Jezui. Nuk e kisha bërë më parë këtë lidhje.

Kujtimi: Kur i bashkojmë së bashku të gjitha këto copëza​—profecinë për shtatë kohët dhe profecitë e tjera biblike për kohën e fundit—​gjërat marrin kuptim. Dëshmitarët e Jehovait janë të bindur se Jezui filloi të mbretëronte në Mbretërinë e Perëndisë në 1914-n, dhe se ditët e fundit nisën po atë vit. *

Gjergji: Po përpiqem akoma t’i lidh të gjitha.

Kujtimi: Të kuptoj shumë mirë. Siç e përmenda më parë, edhe mua m’u desh ca kohë t’i kuptoja plotësisht. Por, të paktën shpresoj që nga kjo bisedë të kesh kuptuar se, ndonëse viti 1914 nuk përmendet specifikisht në Bibël, Dëshmitarët e Jehovait i bazojnë vërtet në Shkrime bindjet për atë vit.

Gjergji: Po, gjithnjë më ka bërë përshtypje kjo. Pavarësisht se çfarë thua, gjithmonë e mbështet me një shkrim. Nuk flet kurrë nga vetja. Megjithatë pyes veten pse duhet të jetë kaq e komplikuar. Pse Perëndia nuk e shkroi në Bibël se Jezui do të fillonte të mbretëronte në qiell në vitin 1914?

Kujtimi: Kjo është pyetje interesante. Në fakt, në Shkrime shumë gjëra nuk thuhen troç. Por lind pyetja: pse Perëndia e shkroi Biblën në një mënyrë që kërkon përpjekje për ta kuptuar? Kur të vij herën tjetër, mbase mund të flasim për këtë.

Gjergji: Pse jo?

A keni pyetje për ndonjë temë biblike? A jeni kureshtar për ndonjë bindje ose praktikë fetare të Dëshmitarëve të Jehovait? Nëse po, mos ngurroni të flitni për këto herën tjetër që do të takoni një Dëshmitar të Jehovait. Ai ose ajo do të bisedojë me ju me kënaqësi për këto çështje.

^ par. 5 Zakonisht, Dëshmitarët e Jehovait flasin rregullisht për Biblën me të tjerët me anë të një programi të studimit të Biblës.

^ par. 24 Shih tabelën «Ëndrra e Nabukodonosorit me pemën».

^ par. 30 Shih kapitullin 9 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.