BIBLA TË NDRYSHON JETËN
E vërteta nga Bibla shoi etjen time për përgjigje
-
LINDUR: 1987
-
VENDI I LINDJES: AZERBAJXHAN
-
TË DHËNA: BABA MYSLIMAN DHE NËNË JUDEJE
E KALUARA IME:
Kam lindur në Baku, Azerbajxhan, dhe jam e dyta nga dy fëmijët. Babai ishte mysliman kurse mamaja judeje. Prindërit e donin njëri-tjetrin dhe i pranonin bindjet e tyre të ndryshme. Mamaja e mbështeste babanë kur agjëronte gjatë ramazanit, ndërsa babai e mbështeste mamanë kur ajo kremtonte Pashkën. Në shtëpi kishim Kuranin, Torën dhe Biblën.
E konsideroja veten myslimane. Edhe pse nuk e kam vënë kurrë në pikëpyetje ekzistencën e Zotit, disa gjëra më futnin dyshime. Pyesja veten: «Pse i krijoi Perëndia njerëzit dhe ç’kuptim ka që dikush të vuajë gjithë jetën vetëm e vetëm që të torturohet përgjithmonë në ferr?» Meqë njerëzit thonë se është vullneti i Zotit për çdo gjë që ndodh, vrisja mendjen: «A ua shkakton Zoti problemet njerëzve dhe a kënaqet kur i sheh të vuajnë?»
Kur isha 12 vjeçe, fillova të falja namazin, pra bëja pesë lutjet ceremoniale të myslimanëve. Në atë kohë babai na dërgoi mua dhe motrën në një shkollë judeje. Ndër lëndët e tjera, mësonim tradita nga Tora dhe gjuhën hebraike. Çdo ditë, para se të fillonte ora e mësimit, duhej të luteshim sipas traditës judeje. Kështu, në mëngjes falja namazin në shtëpi dhe më vonë gjatë ditës merrja pjesë në lutjet judeje në shkollë.
Isha tmerrësisht e etur për përgjigje logjike të pyetjeve të mia. Herë pas here pyesja rabinët në shkollë: «Pse i krijoi Zoti njerëzit? Ç’mendon Ai për babanë tim mysliman? Përderisa është njeri i mirë, pse konsiderohet i papastër? Pse e krijoi Zoti atë?» Edhe ato pak përgjigje që mora, ishin të palogjikshme dhe aspak bindëse.
SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:
Më 2002 m’u shemb besimi te Zoti. Sapo kishim emigruar në Gjermani dhe vetëm pas një jave im atë pësoi iktus e ra në koma. Për vite me radhë
isha lutur për shëndetin dhe mirëqenien e familjes sime. E bindur se vetëm i Plotfuqishmi kishte fuqi mbi jetën e vdekjen, i përgjërohesha çdo ditë për jetën e babait. Mendoja: «Për Zotin është gjë e vogël të përmbushë dëshirën e zemrës së një vogëlusheje.» Isha e sigurt se do t’ua vinte veshin përgjërimeve të mia. Mirëpo, im atë vdiq.E shokuar nga indiferenca në dukje e Perëndisë, më ishte bërë zemra copë. Arsyetoja: «Ose nuk jam lutur unë siç duhet, ose Zoti nuk ekziston.» Isha e tronditur dhe nuk arrija dot ta falja më namazin. Fetë e tjera më dukeshin të pakuptimta, ndaj arrita në përfundimin se nuk ka Zot.
Pas gjashtë muajsh na trokitën në derë Dëshmitarët e Jehovait. Meqë nuk e vlerësonim edhe aq krishterimin, bashkë me motrën donim t’u tregonim me njerëzillëk se e kishin gabim. I pyetëm: «Si mund ta adhurojnë të krishterët Jezuin, kryqin, Marinë dhe idhuj të tjerë kur këto janë kundër Dhjetë Urdhërimeve?» Duke përdorur Shkrimet, Dëshmitarët na treguan prova bindëse se adhurimi i idhujve është i ndaluar për të krishterët e vërtetë dhe se lutjet i duhen drejtuar vetëm Zotit. Kjo më la pa fjalë.
Më pas i pyetëm: «Ç’mendim keni për Trinitetin? Nëse Jezui është Perëndia, si mund të jetonte në tokë e ta vritnin njerëzit?» Sërish ata u përgjigjën me Bibël dhe shpjeguan se Jezui nuk është as Perëndi e as i barabartë me Të. Dëshmitarët na shpjeguan se për këtë arsye nuk besojnë te Triniteti. U habita dhe mendova: «Këta janë vërtet të krishterë të çuditshëm.»
Prapëseprapë doja të dija pse vdesin njerëzit dhe pse Zoti i lejon vuajtjet. Dëshmitarët më treguan librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme, * me kapituj ku trajtohen gjerë e gjatë përgjigjet e pyetjeve të mia. Filluan të studionin Biblën menjëherë me mua.
Çdo herë që studioja me ta, gjeja përgjigje të logjikshme të bazuara në Bibël. Mësova se emri i Zotit është Jehova. (Psalmi 83:18) Cilësia e tij kryesore është dashuria altruiste. (1 Gjonit 4:8) Ai i krijoi njerëzit ngaqë donte ta ndante me të tjerët dhuratën e jetës. Kuptova se, megjithëse Zoti i lejon padrejtësitë, ai i urren dhe së shpejti do t’u japë fund. Mësova se rebelimi i Adamit dhe Evës u ka sjellë dëme njerëzve. (Romakëve 5:12) Ndër këto të këqija është edhe vdekja e njerëzve tanë të dashur, si babai im. Sidoqoftë, Perëndia do t’i zhdukë këto tragjedi në botën e re që po vjen, në të cilën të vdekurit do të kthehen në jetë.—Veprat 24:15.
E vërteta biblike shoi etjen time për përgjigje. Fillova të besoja sërish te Perëndia. Sa më shumë i njihja Dëshmitarët e Jehovait, aq më shumë e dalloja se ishin një vëllazëri mbarëbotërore. Më linin pa fjalë uniteti dhe dashuria mes tyre. (Gjoni 13:34, 35) Ajo që mësoja për Jehovain më nxiti t’i shërbeja, ndaj vendosa të bëhesha Dëshmitare e Jehovait. U pagëzova më 8 janar 2005.
DOBITË:
Logjika bindëse e Biblës ma ndryshoi krejtësisht pikëpamjen për jetën, s’diskutohet që për mirë. Shpjegimet e besueshme në Fjalën e Perëndisë më sollën paqe të brendshme. Më mbushi me gëzim dhe më ngushëlloi shpresa se do ta shoh prapë babanë falë ringjalljes që premtohet në Fjalën e Perëndisë.—Gjoni 5:28, 29.
Prej gjashtë vjetësh gëzoj një martesë të lumtur me një burrë që e do shumë Zotin, me Jonatanin. Kemi mësuar se e vërteta për Zotin është logjike, e thjeshtë e në të njëjtën kohë një thesar i vyer. Ja pse e çmojmë shumë privilegjin për t’u folur të tjerëve për besimin dhe shpresën tonë të mrekullueshme. Tani e di se Dëshmitarët e Jehovait nuk janë «të çuditshëm», por të krishterë të vërtetë.
^ par. 15 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.