Dhurata të denja për një mbret
«Disa astrologë nga vende lindore . . . hapën thesaret e tyre dhe i paraqitën dhurata: ar, temjan të bardhë dhe mirrë.»
Ç’DO t’i dhuroje një njeriu shumë të rëndësishëm? Në kohët biblike disa erëza ishin po aq të vlefshme sa ari, aq të çmuara sa konsideroheshin të denja si dhuratë për një mbret. * Ja pse dy nga dhuratat që i ofruan astrologët ‘mbretit të judenjve’ ishin erëza aromatike.
Gjithashtu, Bibla tregon se, kur mbretëresha e Shebës vizitoi Solomonin, «i dha mbretit njëqind e njëzet talenta ari, një sasi shumë të madhe vaj balsami dhe gurë të çmuar. Nuk ka pasur kurrë aq vaj balsami sa i dha mbretëresha e Shebës mbretit Solomon». * (2 Kronikave 9:9) Edhe mbretër të tjerë i dërguan Solomonit vaj balsami si gjest miqësie.
Pse këto erëza e produktet e tyre ishin kaq të çmueshme e të shtrenjta në kohët biblike? Sepse përdoreshin në fusha të rëndësishme, si trajtime kozmetike, shërbime fetare e për varrosjen e të vdekurve. (Shih kutinë « Përdorimi i erëzave aromatike në kohët biblike».) Ishin të shtrenjta qoftë për shkak të kërkesës së lartë, qoftë për shkak të transportit e të kostos së tregut.
KALOJNË SHKRETËTIRËN E ARABISË
Në kohët biblike disa bimë aromatike rriteshin në luginën e Jordanit, kurse të tjera duheshin importuar. Në Bibël përmenden lloj-lloj erëzash. Ndër më të njohurat janë shafrani, aloe, balsami, kanella, temjani i bardhë dhe mirra. Përveç këtyre, gjeje edhe erëzat e zakonshme të gatimit, si qimnonin, mendrën e koprën.
Nga vinin erëzat ekzotike? Aloe, kasia dhe kanella gjendeshin në vendet që sot janë India, Kina e Sri-Lanka. Ndërsa mirra dhe temjani i bardhë vinin nga pemët dhe shkurret që rriteshin në zonat e shkreta, nga jugu i Arabisë deri në Somali të Afrikës. Nardi ishte një produkt i rrallë që vinte nga Himalajat e Indisë.
Për të arritur në Izrael, shumë erëza duheshin transportuar përmes Arabisë. Libri The Book of Spices shpjegon se pjesërisht për shkak të kësaj, gjatë mijëvjeçarëve të dytë e të parë p.e.s., Arabia «u bë vendi me monopolin më të madh mbi mallrat që këmbeheshin mes Lindjes e Perëndimit». Qytete, fortesa e stacione të karvanëve të lashtë që janë gjetur në Negev të Izraelit Jugor, tregojnë për rrugët e tregtarëve të erëzave. Gjithashtu, Qendra e Trashëgimisë Botërore e UNESCO-s raporton se këto vende «pasqyrojnë
sa shumë fitime nxirrte tregtia . . . nga jugu i Arabisë deri në Mesdhe».«Erëzat nuk zinin edhe aq vend, kushtonin e pëlqeheshin shumë, prandaj ishin tejet të preferuara si mall tregtie.»
Karvanë plot me erëza aromatike udhëtonin rregullisht rreth 1.800 kilometra përmes Arabisë. (Jobi 6:19) Bibla flet për një karvan tregtarësh ismaelitë të ngarkuar me erëza, si «labdan, balsam dhe lëvore rrëshinore» që shkonte nga Galaadi në Egjipt. (Zanafilla 37:25) Bijtë e Jakobit ua shitën si skllav këtyre tregtarëve të vëllanë, Jozefin.
«SEKRETI TREGTAR MË JETËGJATË I TËRË KOHËVE»
Tregtarët arabë e kontrolluan thuajse gjithë tregtinë e erëzave për shekuj me radhë. Ata u bënë furnizuesit kryesorë të erëzave nga Azia, si kasia dhe kanella. Që t’ia pritnin krahët Mesdheut të mos krijonte lidhje të drejtpërdrejta me burimet në Lindje, arabët përhapën histori të trilluara që tregonin se ishte e rrezikshme t’i merrje erëzat. Libri The Book of Spices vëren se burimi i vërtetë i erëzave ‘ndoshta ishte sekreti tregtar më jetëgjatë i tërë kohëve’.
Cilat histori përhapën arabët? Herodoti, historian grek i shekullit të pestë p.e.s., përshkroi përralla me zogj të frikshëm që ndërtonin fole me lëvore kanelle në shkëmbinj të paarritshëm. Ai shkroi se për të marrë këtë erëz të çmuar, njerëzit vinin copa të mëdha mishi rrëzë shkëmbit. Zogjtë e babëzitur çonin kaq shumë mish në fole, sa këto shembeshin përtokë. Pastaj,
burrat mblidhnin nxitimthi lëvoren e kanellës dhe ua shitnin tregtarëve. Këto histori u përhapën jashtëzakonisht. Kështu, për shkak të «rreziqeve të supozuara të mbledhjes së saj, [kanella] shitej shumë shtrenjtë», thotë The Book of Spices.Me kalimin e kohës sekreti i arabëve u zbulua e, si pasojë, humbën monopolin mbi erëzat. Nga shekulli i parë p.e.s. Aleksandria e Egjiptit u bë port i madh dhe qendër tregtare erëzash. Kur marinarët mësuan t’i shfrytëzonin musonet e Oqeanit Indian, në Indi filluan të vinin anije romake nga portet egjiptiane. Si rrjedhojë, erëzat tejet të shtrenjta gjendeshin kollaj në treg dhe çmimet ranë.
Sot vlera e erëzave as që i afrohet vlerës së arit. Dhe, zor se do t’i konsideronim si dhurata për një mbret. Prapëseprapë, miliona veta rreth botës vazhdojnë t’i përdorin në parfume e mjekime dhe, pa dyshim, për shije dhe lezet në ushqim. Vërtet, aromat e këndshme i bëjnë erëzat po aq të pëlqyera sot, sa edhe mijëra vjet më parë.