JETËSHKRIM
Sytë e Kajros—Mënyra e tij që ta adhurojë e t’i shërbejë Zotit
E përfytyron dot të mos kesh nën kontroll asnjë pjesë të trupit, përveç syve? Tim vëllai, Kajros, i ka rënë një hall i tillë. Prapëseprapë bën jetë domethënëse. Para se të shpjegoj pse ka kuptuar se ia vlen ta jetojë jetën, po ju tregoj historinë e tij.
Kajro lindi me një lloj paralize spastike të katër gjymtyrëve. * Si pasojë nuk e kontrollon dot pjesën më të madhe të trupit. Truri i tij nuk u dërgon sinjale të qarta muskujve, ndaj gjymtyrët i shtrembërohen, ose i përdridhen, në mënyrë të pavullnetshme. Ndonjëherë Kajro lëndon veten me lëvizjet përpëlitëse të papritura. Edhe ata që i ndodhen pranë mund të vriten pa dashje po të mos bëjnë kujdes. Shpesh, për të shmangur incidente të tilla, krahët dhe këmbët mjerisht duhet t’ia lidhim në karrocën e invalidit.
RRUGA E DHEMBSHME E RRITJES
Rritja fizike e Kajros ka qenë shumë e dhembshme. Kur ishte tre muajsh, filloi të përpëlitej aq sa mbetej pa ndjenja. Shpesh mamaja e shtrëngonte fort dhe turrej drejt spitalit, e bindur se kishte vdekur.
Avash-avash kockat iu deformuan për shkak të tërheqjeve e kontraktimeve. Kur ishte 16 vjeç, nxori legenin dhe kjo kërkonte një ndërhyrje të rëndë kirurgjike në kofshë, këllk e legen. Kujtoj ende që Kajro ulërinte nga dhembjet çdo natë teksa merrte veten pas operacionit.
Paaftësia e rëndë e Kajros e bënte krejtësisht të varur nga të tjerët për gjërat e përditshme, si ngrënia, veshja dhe çuarja në krevat. Këto gjëra zakonisht i bëjnë mamaja dhe babai. Ndonëse Kajro ka vazhdimisht nevojë për ndihmë, prindërit i kujtojnë gjithnjë se jeta e tij nuk varet vetëm nga njerëzit por edhe nga Zoti.
KRIJOHET NJË MËNYRË KOMUNIKIMI
Prindërit tanë janë Dëshmitarë të Jehovait dhe i kanë lexuar histori biblike Kajros që në foshnjëri. Gjithmonë e kanë ditur se jeta është më domethënëse kur ke një lidhje të ngushtë me Zotin. Edhe pse i kufizuar nga trupi i brishtë që përpëlitej orë e çast, Kajro mund të kishte një shpresë të bukur e të sigurt për të ardhmen. Megjithatë, prindërit shpesh pyesnin veten nëse Kajro e kuptonte Biblën.
Një ditë, kur ishte fëmijë, babai e pyeti: «Kajro, a mund të më thuash ndonjë fjalë, të lutem?» Pastaj shtoi: «Nëse më do vërtet, fol me mua.» Teksa babai i përgjërohej të thoshte qoftë edhe një fjalë,
sytë e Kajros u mbushën me lot. Edhe pse u përpoq t’ia shprehte ndjenjat me fjalë, arriti të murmuriste vetëm ca tinguj grykorë. Babai u ndie keq që e bëri të qante. Ama, ai reagim tregoi se Kajro e kuptoi atë që i tha babai. Puna ishte se nuk fliste dot.S’kaloi shumë dhe prindërit vunë re se Kajro herë-herë i lëvizte shpejt sytë teksa përpiqej të na tërhiqte vëmendjen si një mënyrë për të shprehur mendimet e ndjenjat. Zhgënjehej kur nuk arrinte ta shprehte gjithmonë qartë çka donte të thoshte. Por, kur prindërit mësuan t’ia lexonin sinjalet e syve dhe i jepnin ç’kishte nevojë, buzëqeshte vesh më vesh. Me këtë gjest falënderonte Kajro.
Një terapiste të foluri sugjeroi se, për të komunikuar më mirë, duhej t’i ngrinim lart të dy duart kur donim një përgjigje po ose jo. Dora e djathtë do të thotë po, e majta jo. Kështu mund të shprehë dëshirat duke i fiksuar sytë në dorën përkatëse.
MOMENT I RËNDËSISHËM NË JETËN E KAJROS
Tri herë në vit Dëshmitarët e Jehovait mbajnë asamble e kongrese ku paraqiten fjalime biblike para auditoreve të mëdha. Kajro kënaqej kur vinte radha e fjalimit drejtuar atyre që do të pagëzoheshin. Një ditë, kur ishte 16 vjeç, babai e pyeti: «Kajro, të pëlqen të pagëzohesh?» Në çast i nguli sytë te dora e djathtë e babait duke bërë të qartë dëshirën për t’u pagëzuar. Pastaj, babai e pyeti: «A i ke premtuar Perëndisë në lutje se do t’i shërbesh përgjithmonë?» Edhe këtë herë e nguli shikimin te dora e djathtë e babait. Dukej qartë se Kajro tashmë ia kishte kushtuar jetën Jehovait.
Pas disa bisedave biblike ishte e qartë edhe se Kajro e kishte kuptuar domethënien e pagëzimit të krishterë. Kështu, më 2004 iu përgjigj pyetjes më të rëndësishme që i kishin bërë: «A i je kushtuar Perëndisë që të bësh vullnetin e tij?» Ai iu përgjigj kësaj pyetjeje duke ngritur sytë lart. Ishte mënyra e tij e paramenduar për të thënë po. Më pas, kur ishte 17 vjeç, u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait.
SY TË PËRQENDRUAR NË GJËRAT E ZOTIT
Më 2011 u krijua një mënyrë e re komunikimi për Kajron, një kompjuter që kontrollohet me anë të syve. Kjo pajisje regjistron lëvizjet e iridës së syrit, që ai të aktivizojë ikonat në ekran. Kur ia ngul sytë një ikone ose pulit sytë drejt saj, është sikur të klikojë mausin e kompjuterit. Për ta ndihmuar
të komunikonte, u shpik një tabelë me figura e simbole. Kur ai pulit sytë drejt njërës prej tyre, programi kompjuterik kthen një mesazh të shkruar në zë kompjuterik.Ndërsa Kajro e kuptonte Biblën gjithnjë e më shumë, i shtohej edhe dëshira që të ndihmonte të tjerë të njihnin Zotin. Kur studiojmë Biblën si familje çdo javë, shpesh kthen kokën sa nga unë, sa nga kompjuteri. Kështu më kujton se duhet të mbaj shënim komentet që mund të japë gjatë pjesëve me pyetje-përgjigje në mbledhjet e kongregacionit të krishterë.
Në mbledhje, me durim kërkon në ekran për të klikuar në ikonën e duhur dhe më pas të gjithë dëgjojnë zërin e tij të kompjuterizuar. Ai ndihet tejet i kënaqur sa herë që i inkurajon pjesëtarët e kongregacionit në këtë mënyrë. Aleksi, një nga miqtë e tij të rinj, thotë: «Gjithmonë prekem kur dëgjoj komentet e Kajros për ndonjë temë biblike.»
Kajro i përdor sytë edhe për t’u folur të tjerëve për bindjet e veta. Një mënyrë si e bën këtë është duke klikuar në një figurë që përshkruan një kopsht me kafshë e njerëz të të gjitha racave që jetojnë në paqe. Kur aktivizon këtë ikonë, zëri i tij kompjuterik thotë: «Shpresa biblike është se toka do të bëhet parajsë pa sëmundje e vdekje, Zbulesa 21:4.» Nëse dëgjuesi ka interes, një tjetër klikim me sy bën që kompjuteri i tij të thotë: «Të pëlqen të studiosh Biblën me mua?» Për habi, këtë ftesë e pranoi gjyshi. Sa emocionuese është të shohësh Kajron bashkë me një Dëshmitar tjetër, tek i mëson gjyshit Biblën avash-avash! Sa gëzim pati kur gjyshi u pagëzua në kongresin rajonal në Madrid në gusht 2014!
Përkushtimi i Kajros ndaj Zotit nuk kalon pa u vënë re nga mësuesit në shkollën e tij. Rosario, një nga terapistët e tij të të folurit, një herë u shpreh: «Nëse do të bashkohesha me ndonjë fe, do të bëhesha Dëshmitar i Jehovait. Kam parë se si besimi i ka dhënë qëllim të vërtetë jetës së Kajros.»
Sytë e tij shndritin gjithnjë kur i lexoj premtimin e Biblës: «I çali do t’i ngjitë të përpjetat si një dre dhe gjuha e memecit do të lëshojë britma hareje.» (Isaia 35:6) Edhe pse herë-herë e lëshon zemra, zakonisht është me humor të mirë. Kjo ndodh vetëm sepse boshti i jetës së tij është Perëndia dhe miqtë e krishterë. Pikëpamja e tij e gëzueshme dhe besimi i fortë dëshmojnë se, kur i shërben Jehovait, ia vlen ta jetosh edhe një jetë e vështirë.
^ par. 5 Paralizë cerebrale (CP) është termi i përgjithshëm që përdoret për të përshkruar dëmtimin e trurit që ndikon te lëvizjet. Gjithashtu mund të shkaktojë përpëlitje epileptike, çrregullime në të ngrënë dhe në të folur. Paraliza spastike e katër gjymtyrëve është forma më e rëndë e CP-së; ajo mund të shkaktojë ngurtësimin e të katër gjymtyrëve dhe lëvizje të pakontrolluara të qafës.