Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

BIBLA TË NDRYSHON JETËN

Mësova se Jehovai tregon mëshirë dhe fal

Mësova se Jehovai tregon mëshirë dhe fal
  • LINDUR: 1954

  • VENDI I LINDJES: KANADA

  • TË DHËNA: DIKUR MASHTRUES E BIXHOZÇI

E KALUARA IME: U rrita në një lagje të zymtë të qytetit të Monrealit.

Kur isha gjashtë muajsh, më vdiq babai, ndaj mamasë i ranë mbi supe të gjitha hallet e shtëpisë. Isha më i vogli nga tetë fëmijët.

Ndërsa rritesha, çdo ditë jeta ime vërtitej rreth drogës, bixhozit, dhunës dhe shoqërisë me kriminelët. Kur isha dhjetë vjeç, nisa të kryeja porosi për prostitutat dhe fajdexhinjtë. Gënjeja pareshtur dhe argëtohesha duke ua punuar të tjerëve me lloj-lloj marifetesh. Ishte si drogë për mua.

Në moshën 14-vjeçare u bëra ekspert për t’u sajuar rrengje njerëzve. Për shembull, blija sasi të mëdha orësh dore, byzylykë e unaza dhe u vija stampën e arit 14-karatësh. Më pas i shisja nëpër rrugë e parkime të qendrave tregtare. Mrekullohesha si bëja pará aq kollaj. Një herë nxora 10.000 dollarë vetëm në një ditë!

Pasi më përjashtuan nga shkolla e riedukimit kur isha 15 vjeç, mbeta në mes të katër rrugëve. Flija trotuareve, parqeve ose në shtëpitë e miqve të rastit.

Ngaqë merresha me mashtrime, shpesh policia më merrte në pyetje. Por, kurrë nuk më futën në burg, pasi mallrat që shitja nuk ishin të vjedhura. Gjithsesi, pagova gjoba të majme për mashtrim, falsifikime dhe shitje pa licensë. S’ia kisha frikën njeriu, madje mblidhja paratë që kishin dhënë fajdexhinjtë. Kjo ishte e rrezikshme, ndaj ndonjëherë mbaja armë. Me raste merresha me krimin e organizuar.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:

Për Biblën dëgjova për herë të parë kur isha 17 vjeç. Jetoja me të dashurën kur ajo filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Meqenëse parimet morale të Biblës më dukeshin kufizuese, e lashë të dashurën dhe vajta të jetoja me një tjetër, me të cilën po dilja.

Pika e kthesës ishte kur edhe e dashura e dytë filloi të studionte me Dëshmitarët. Ajo po ndryshonte për mirë dhe çuditesha që po bëhej më e butë e më e duruar. Pranova një ftesë që të ndiqja një mbledhje në Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait. Më mirëpritën njerëz të sjellshëm e të këndshëm që ishin si nata me ditën krahasuar me botën që njihja. Kurrë s’e kam ndier dashurinë e familjarëve; gjatë gjithë fëmijërisë askush s’më kishte falur ngrohtësi e përzemërsi. Ngrohtësia e Dëshmitarëve të Jehovait ishte pikërisht ajo që më kishte munguar aq shumë. Kur u ofruan të studionin Biblën me mua, pranova me kënaqësi.

Ajo që po mësoja nga Bibla besoj se më shpëtoi jetën. Me dy shokë kisha planifikuar një grabitje që të shlyeja borxhet e bixhozit, të cilat i kalonin 50.000 dollarët. Por, sa i kënaqur jam që u tërhoqa! Kurse ata vazhduan me planin; njërin e arrestuan, tjetrin e vranë.

Teksa studioja Biblën, kuptova se duhej të bëja goxha ndryshime në jetë. Për shembull, mësova atë çka thotë Bibla te 1 Korintasve 6:10: «As hajdutë, as lakmitarë, as pijanecë, as sharës, as zhvatës nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.» Kur lexova këtë varg, shpërtheva në lot për shkak të situatës sime të mjerë. Duhej ta ndryshoja jetën kryekëput. (Romakëve 12:2) Isha i dhunshëm e agresiv, dhe tërë jeta ime ishte ngritur mbi gënjeshtra.

Gjithashtu, nga studimi i Biblës mësova se Jehovai tregon mëshirë dhe fal. (Isaia 1:18) I përgjërohesha Jehovait të më ndihmonte të lija pas jetën e mëparshme. Me ndihmën e tij, dora-dorës ia dola mbanë të ndryshoja personalitetin. Një hap vendimtar ishte kur bashkë me të dashurën u martuam ligjërisht.

Sot jam gjallë falë parimeve të Biblës dhe jetesës si i krishterë

Isha 24 vjeç, i martuar dhe me tre fëmijë. Tani më duhej të gjeja një punë të ligjshme. Mirëpo kisha pak arsimim dhe asnjë rekomandim. Edhe për këtë iu luta me zjarr Jehovait. Pastaj fillova të kërkoja punë. U thosha punëdhënësve të mundshëm se doja të ndryshoja jetën e të bëja punë të ndershme. Ndonjëherë u shpjegoja se po studioja Biblën dhe se doja të bëhesha qytetar më i mirë. Shumë s’pranuan të më punësonin. Më në fund, gjatë një interviste tjetër kur hapa zemrën për të kaluarën time të trazuar, punëdhënësi tha: «Nuk e di pse, por diçka më shtyn të të punësoj.» Besoj se ishte përgjigjja e lutjeve të mia. Me kohë bashkë me gruan u pagëzuam si Dëshmitarë të Jehovait.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:

Sot jam gjallë falë parimeve të Biblës dhe jetesës si i krishterë. Kam një familje të shkëlqyer. Jam i bindur se Jehovai më ka falur, prandaj e kam ndërgjegjen të pastër.

Gjatë 14 viteve të kaluara i kam shërbyer Zotit 70 orë në muaj, duke ndihmuar të tjerët të mësojnë për Biblën. Kohët e fundit, edhe gruaja ime po kalon po kaq kohë në shërbim përkrah meje. Për më se 30 vitet e kaluara kam pasur kënaqësinë të ndihmoja 22 nga kolegët e mi që të fillonin të adhuronin Jehovain. Shkoj prapë në qendra tregtare, ama jo për t’i mashtruar njerëzit si dikur. Tani u flas shpesh për besimin tim. Dua t’u jap diçka: shpresën për të jetuar në një botë të re pa mashtrues.—Psalmi 37:10, 11.