TEMA KRYESORE | A E KA ZËVENDËSUAR SHKENCA BIBLËN?
Shkenca ka kufizime
Kohët e fundit po qarkullojnë disa libra që flasin për pikëpamjet e të ashtuquajturve ateistë të rinj. Këto botime kanë tërhequr goxha vëmendje e kanë ngjallur jo pak diskutime e debate. Për këtë, shkencëtari neurolog Dejvid Igëllmen shkroi se disa shkencëtarë të lënë përshtypjen se kanë përgjigjen e çdo pyetjeje. Më pas shtoi: «Mirëpo, një shkencëtar i mirë është gjithmonë mendjehapur, sidomos kur mendojmë se historia e shkencës ka qenë plot surpriza.»
Përgjatë epokave shkencëtarë të zotë kanë bërë zbulime vërtet mbresëlënëse teksa kërkonin përgjigje për pyetje pështjelluese rreth natyrës. Ama, disa kanë bërë edhe gabime të mëdha. Për shembull, Isak Njutoni ishte ndër shkencëtarët më të mëdhenj të të gjitha kohëve. Ai zbuloi se si forca e gravitetit i mban të bashkuara si një trup i vetëm planetët, yjet e galaktikat. Gjithashtu, shpiku logaritmet, një degë e matematikës që përdoret në projektimin e kompjuterëve, në udhëtimet në hapësirë e në fizikën bërthamore. Mirëpo, Njutoni studioi edhe alkiminë, një pseudoshkencë që me anë të astrologjisë e të formulave magjike përpiqej t’i kthente në ar plumbin e materiale të tjera.
Mbi 1.500 vjet para Njutonit, astronomi grek Ptoleme e vrojtonte qiellin me sy të lirë. I gjurmonte planetët në qiellin e natës dhe ishte i zoti të bënte harta. Por besonte se toka ishte qendra e gjithçkaje. Astrofizikani Karl Segan shkroi për Ptolemeun: «Pikëpamja e tij se Toka është në qendër të universit u besua për 1.500 vjet, një përkujtues se inteligjenca njerëzore nuk garanton se nuk bëhen gabime trashanike.»
Sot shkencëtarët përballen me sfida të ngjashme. A do të gjejnë ndonjëherë një shpjegim të plotë për universin? Edhe pse shkenca ka meritat e saj dhe na ka sjellë dobi, është e rëndësishme të pranojmë se ka edhe kufizime. Fizikani Pol Dejvis vërejti: «Përpjekjet për të gjetur një formulë që jep një shpjegim të plotë e logjik për çdo gjë në univers, do të dështojnë se s’bën.» Këto fjalë nxjerrin në pah një të vërtetë të pamohueshme: njerëzit nuk mund ta kuptojnë dot plotësisht botën fizike. Prandaj është e mençur të mos besojmë verbërisht se shkenca është e aftë të gjejë një shpjegim për gjithësinë.
Është e qartë, Bibla na ndihmon në mënyra që shkenca nuk mundet
Bibla thotë për mrekullitë e natyrës: «E pra, këto s’janë veç thekët e udhëve të [Zotit]. Ne dëgjojmë veç pëshpërimën e zërit të tij.» (Jobi 26:14) Ka ende një sasi marramendëse njohurie përtej aftësisë së njerëzve për ta kuptuar. Fjalët që përdori apostulli Pavël para 2.000 vjetësh janë ende të vërteta sot: «O thellësi e pasurisë, e mençurisë dhe e njohurisë së Perëndisë! Sa të pahetueshme janë gjykimet e tij dhe sa të pagjurmueshme janë udhët e tij!»—Romakëve 11:33.