Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | SI TA PËRBALLOSH ANKTHIN?

Ankthi për jetën

Ankthi për jetën

Alona thotë: «Kur dëgjoj sirenat, zemra më rreh fort dhe turrem drejt një vendstrehimi. Por, edhe aty ndihem në ankth. Më e keqja është kur jam jashtë dhe s’kam ku të fshihem. Një ditë, kur isha në rrugë, ia plasa të qarit dhe nuk mbushesha dot me frymë. M’u deshën orë të qetësohesha. Pastaj sirenat filluan përsëri.»

Alona

Lufta është vetëm një nga rreziqet e shumta sot. Për shembull, kur merr vesh që ti ose një i afërm ka sëmundje vdekjeprurëse, të duket sikur të ka rënë një bombë. Kurse të tjerë i kap ankthi për të ardhmen. Ata vrasin mendjen: «A do të jetojnë edhe fëmijët ose nipërit tanë në një botë me luftëra, krime, ndotje, ndryshime klime dhe epidemi?» Si t’i përballojmë këto ankthe?

Duke ditur që ndodhin të këqija, «njeriu mendjehollë e sheh të keqen dhe fshihet». (Proverbat 27:12) Dhe, ashtu si përpiqemi të mbrojmë shëndetin fizik, mund të bëjmë diçka që të mbrojmë edhe shëndetin mendor dhe emocional. Zbavitjet e dhunshme, e madje edhe lajmet plot pamje të tmerrshme, na japin më tepër ankth ne dhe fëmijëve tanë. Po të shmangim ekspozimin e panevojshëm ndaj këtyre gjërave nuk do të thotë se po i bëjmë bisht realitetit. Perëndia nuk na ka krijuar që ta mbajmë mendjen te gjërat e këqija. Përkundrazi duhet ta mbushim mendjen me «çdo gjë të vërtetë, . . . të drejtë, . . . të dëlirë, . . . të dashur». Kështu, «Perëndia i paqes» do të na japë paqe mendore dhe emocionale.Filipianëve 4:8, 9.

RËNDËSIA E LUTJES

Besimi i vërtetë na ndihmon të përballojmë ankthin. Bibla na nxit: «Jini vigjilentë në lidhje me lutjet.» (1 Pjetrit 4:7) Mund t’i lutemi Zotit për ndihmë, mençuri e guxim që të bëjmë më të mirën në çdo situatë, të bindur se «ai na dëgjon për çfarëdo gjëje që i kërkojmë».1 Gjonit 5:15.

Me të shoqin, Avin

Bibla shpjegon se «sundimtari i kësaj bote» është Satanai, jo Perëndia, dhe se «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut». (Gjoni 12:31; 1 Gjonit 5:19) Prandaj, Jezui nuk po fliste në mënyrë të figurshme kur na mësoi të lutemi: «Na çliro nga i ligu.» (Mateu 6:13) Alona thotë: «Sa herë bien sirenat, i lutem Jehovait që të mbledh veten. Burri më merr në telefon dhe lutet me mua. Lutja më ndihmon vërtet.» Është siç thotë Bibla: «Jehovai u rri pranë tërë atyre që e thërrasin, po, tërë atyre që e thërrasin me të vërtetë.»Psalmi 145:18.

SHPRESA PËR TË ARDHMEN

Gjatë Predikimit në Mal Jezui i mësoi dishepujt të luteshin: «Ardhtë mbretëria jote.» (Mateu 6:10) Mbretëria e Perëndisë do të çrrënjosë njëherë e mirë çdo ankth të dëmshëm. Me anë të Jezuit, ‘Princit të Paqes’, Perëndia ‘do të pushojë luftërat deri në skaj të dheut’. (Isaia 9:6; Psalmi 46:9) «Ai [Perëndia] do të gjykojë mes shumë popujve. . . . Kombet nuk do ta ngrenë shpatën kundër njëri-tjetrit, dhe as do të mësojnë më të luftojnë. . . . Askush nuk do t’i trembë.» (Mikea 4:3, 4) Familjet e lumtura «do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta e do të hanë frytin e tyre». (Isaia 65:21) «Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»Isaia 33:24.

Sot, me gjithë masat parandaluese, nuk mund t’i shmangësh gjithmonë ‘ngjarjet e paparashikuara’, e mund të rastisësh në vendin dhe kohën e gabuar. (Eklisiastiu 9:11) Luftërat, dhuna dhe sëmundjet vazhdojnë t’u marrin jetën njerëzve të mirë, ashtu siç ka ndodhur prej shekujsh. Çfarë shprese ka për këto viktima të pafajshme?

Miliona e miliona veta, numrin e saktë të të cilëve e di vetëm Perëndia, do të kthehen në jetë. Tani për tani ata janë në gjumin e vdekjes, të sigurt në kujtesën e përsosur të Perëndisë, deri ditën që «të gjithë ata që janë në varre, . . . do të dalin». (Gjoni 5:28, 29) Duke folur për ringjalljen, Bibla na siguron: «Këtë shpresë e kemi si një spirancë për shpirtin, të sigurt dhe të patundur njëkohësisht.» (Hebrenjve 6:19) Dhe Perëndia «u dha garanci të gjithëve, duke e ringjallur atë [Jezuin] nga të vdekurit».Veprat 17:31.

Tani për tani, edhe ata që përpiqen t’i pëlqejnë Perëndisë do të kenë ankthe. Poli, Zhaneta dhe Alona po e përballojnë ankthin duke bërë hapa praktikë, duke iu afruar Perëndisë nëpërmjet lutjes dhe duke besuar te shpresa e Biblës për të ardhmen. Ashtu siç ka bërë me ta, «Perëndia që jep shpresë, ju mbushtë plot me gëzim e paqe, nëpërmjet besimit tuaj»!Romakëve 15:13.