Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | A KA JETË PAS VDEKJES?

Shpresë për të vdekurit—Pse të jesh i sigurt?

Shpresë për të vdekurit—Pse të jesh i sigurt?

A është naivitet të mendosh se të vdekurit do të jetojnë prapë? Jo, sipas apostullit Pavël. Perëndia e frymëzoi të shkruante: «Nëse kemi shpresuar te Krishti vetëm në këtë jetë, ndër të gjithë njerëzit, ne jemi më të mjerët. Megjithatë, fakti është se Krishti është ngritur nga të vdekurit, si fryti i parë i atyre që kanë rënë në gjumin e vdekjes.» (1 Korintasve 15:19, 20) Për Pavlin ringjallja ishte diçka e sigurt. Në fakt, garanci për këtë ishte ringjallja e vetë Jezuit. * (Veprat 17:31) Ja pse Pavli e quajti Jezuin «fryti i parë», sepse ishte i pari që u ringjall për të jetuar përgjithmonë. Nëse Jezui ishte i pari, atëherë duhej të kishte edhe të tjerë pas tij.

Jobi i tha Zotit: «Do të kishe mall për veprën e duarve të tua.»​—Jobi 14:14, 15

Ka edhe një arsye tjetër pse mund të jesh i sigurt për shpresën e ringjalljes. Jehovai është Perëndia i së vërtetës. «Perëndia . . . nuk mund të gënjejë.» (Titit 1:2) Ai nuk ka gënjyer asnjëherë dhe nuk do të gënjejë kurrën e kurrës. A do të na e premtonte ringjalljen, e për më tepër të na jepte prova se mund ta bëjë, e pastaj të mos e mbante fjalën? Kjo do të ishte shumë absurde.

Pse Jehovai ka marrë masa që njerëzit të ringjallen në të ardhmen? Sepse na do. Jobi pyeti: «Po të vdesë njeriu, a kthehet prapë në jetë?» Pastaj tha: «Ti do të më thërrisje, e unë do të të përgjigjesha. Do të kishe mall për veprën e duarve të tua.» (Jobi 14:14, 15) Jobi ishte i sigurt se Ati i tij i dashur qiellor mezi priste ta ringjallte. A ka ndryshuar Zoti? Bibla thotë: «Unë jam Jehovai, dhe s’kam ndryshuar.» (Malakia 3:6) Ai ende dëshiron me zjarr t’i shohë të vdekurit sërish në jetë, shëndoshë e mirë dhe të lumtur, ashtu si çdo prind i dashur që i ka vdekur fëmija. Natyrisht, ndryshimi është se Zoti ka edhe fuqinë për ta bërë atë që dëshiron.​—Psalmi 135:6.

Vdekja është një problem i tmerrshëm, por Zoti ka zgjidhjen e përsosur

Jehovai do t’i japë fuqi të Birit që t’u sjellë gëzim të papërshkrueshëm atyre që kanë vajtuar për vdekjen e njerëzve të dashur. Po Jezui, si ndihet për ringjalljen? Para se të ringjallte Lazarin, Jezui e pa sa të pikëlluar ishin motrat e miqtë e tij, ndaj as vetë «nuk i mbajti dot lotët». (Gjoni 11:35) Në një rast tjetër ai takoi vejushën nga Naini, që i kishte vdekur djali i vetëm. «U shty nga keqardhja për të dhe i tha: ‘Mos qaj më!’» Dhe ia ringjalli të birin aty për aty. (Luka 7:13) Pra Jezuit i dhemb në shpirt kur sheh hidhërim e vdekje. Sa i kënaqur do të jetë kur në mbarë botën ta kthejë dhimbjen në gëzim të madh!

A e ke provuar edhe ti një hidhërim të tillë? Mbase mendon se për vdekjen nuk ka zgjidhje. Por në të vërtetë ka: është ringjallja që do të kryejë Zoti me anë të të Birit. Mos harro se Perëndia do që ta shohësh me sytë e tu ringjalljen dhe të përqafosh sërish njerëzit e dashur. Imagjino si do të jetë kur të planifikoni bashkë të ardhmen e përhershme, pa u dashur të thoni prapë lamtumirë.

Lajoneli i përmendur më sipër, shprehet: «Një ditë më folën për ringjalljen. Në fillim më dukej një sajesë dhe nuk e besova. Por kërkova vetë në Bibël dhe pashë se ishte e vërtetë. Pres me padurim ta takoj sërish gjyshin.»

A dëshiron të dish më shumë? Dëshmitarët e Jehovait do të të tregojnë me kënaqësi në Biblën tënde pse janë të sigurt se ringjallja do të ndodhë. *

^ par. 3 Për dëshmi se Jezui u ringjall, shih librin Bibla​—Fjala e Perëndisë apo e njerëzve?, faqet 78-86, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 9 Të lutemi, shih kapitullin 7 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.