TEMA KRYESORE | ÇFARË MENDON ZOTI PËR LUFTËN?
Pikëpamja e Zotit për luftën në shekullin e parë
Njerëzit po vuanin nën darën e shtypjes. Ashtu si paraardhësit e tyre, edhe judenjtë e shekullit të parë pa dyshim i luteshin vazhdimisht Zotit për shpëtim, këtë herë nga zgjedha shtypëse e Perandorisë Romake. Më vonë dëgjuan për Jezuin. A do të ishte Mesia i parathënë? S’është për t’u habitur pse shumë ‘shpresonin që ai të ishte njeriu që do të çlironte Izraelin’ nga shtypësit romakë. (Luka 24:21) Por, për ta s’pati shpëtim nga zgjedha. Në vitin 70 të e.s. ushtritë romake erdhën dhe shkatërruan Jerusalemin e tempullin e tij.
Çfarë ndodhi? Pse nuk luftoi Perëndia për judenjtë, siç kishte bërë edhe në të kaluarën? Ose, pse nuk i autorizoi të luftonin për t’u çliruar nga shtypja? Mos kishte ndryshuar pikëpamje për luftën? Jo. Ama diçka kishte ndryshuar rrënjësisht me judenjtë. Kishin hedhur poshtë Birin e Perëndisë, Jezuin, si Mesia. (Veprat 2:36) Ja përse, si komb, e humbën marrëdhënien e veçantë me Perëndinë.—Mateu 23:37, 38.
Kombi jude dhe Toka e tij e Premtuar nuk e gëzonin më mbrojtjen hyjnore, dhe judenjtë s’mund të pretendonin më me të drejtë që të merrnin pjesë në luftëra që kishin miratimin apo përkrahjen e Zotit. Siç kishte parathënë Jezui, bekimet që vinin falë miratimit të Perëndisë i ishin hequr kombit të Izraelit dhe i kishin kaluar një kombi të ri, një kombi frymor, që më pas Bibla e quan ‘Izraeli i Perëndisë’. (Galatasve 6:16; Mateu 21:43) Izraeli frymor i Perëndisë ishte kongregacioni i të krishterëve të mirosur nga fryma. Në shekullin e parë atyre iu tha qartë: «Tani [ju] jeni populli i Perëndisë.»—1 Pjetrit 2:9, 10.
Meqë tani të krishterët e shekullit të parë ishin «populli i Perëndisë», a luftoi Zoti për ta që t’i çlironte nga shtypja romake? Ose, a i autorizoi të luftonin kundër shtypësve? Jo. Përse? Kur bëhet fjalë për luftëra të urdhëruara nga Zoti, vetëm ai e vendos se kur do të bëhet lufta, siç u shpjegua në artikullin e mëparshëm. Perëndia as nuk luftoi në mbrojtje të krishterëve të shekullit të parë, as i autorizoi të merrnin pjesë në luftërat e bëra nga njeriu. Qartë, shekulli i parë nuk ishte koha e caktuar nga Perëndia për të luftuar ligësinë dhe shtypjen.
Prandaj, ashtu si shërbëtorët e Perëndisë në lashtësi, edhe të krishterët e shekullit të parë duhej të pritnin derisa të vinte koha e caktuar nga ai për t’i dhënë fund ligësisë e shtypjes. Ndërkohë, ai nuk i autorizoi të luftonin me nismën e tyre kundër armiqve. Jezu Krishti e shpjegoi qartë këtë në mësimet e tij. Për shembull, në vend që t’i mësonte dishepujt të luftonin, u tha: «Vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju përndjekin.» (Mateu 5:44) Duke parathënë kohën kur Jerusalemin e shekullit të parë do ta sulmonte ushtria romake, Jezui i udhëzoi dishepujt të mos qëndronin atje e të luftonin, por të iknin—siç edhe bënë.—Luka 21:20, 21.
Përveç kësaj, i frymëzuar nga Perëndia, apostulli Pavël shkroi: «Mos u hakmerrni për veten, . . . sepse është shkruar: ‘Hakmarrja më përket mua, unë do të shpaguaj’,—thotë Jehovai.» (Romakëve 12:19) Pavli po citonte atë që Perëndia kishte thënë shekuj më parë dhe që ishte dokumentuar te Levitiku 19:18 dhe te Ligji i përtërirë 32:35. Siç e pamë në artikullin e mëparshëm, një mënyrë si u hakmor Zoti për popullin e tij në lashtësi ishte duke i ndihmuar në luftën kundër armiqve. Pra, fjalët e Pavlit tregojnë se pikëpamja e Zotit për luftën nuk kishte ndryshuar. Në shekullin e parë, Perëndia ende mendonte se ishte me vend lufta për t’u hakmarrë për shërbëtorët e tij dhe për t’u dhënë fund formave të ndryshme të shtypjes e të ligësisë. Megjithatë, siç ishte e vërtetë në të kaluarën, vetëm Zoti vendoste se kur do të bëhej lufta dhe kush do të luftonte.
Duket qartë se Zoti nuk i autorizoi të krishterët e shekullit të parë të luftonin. Ç’të themi për sot? A ka autorizuar ai ndonjë grup njerëzish që të luftojnë? Ose, a ka ardhur koha e caktuar që të ndërhyjë e të luftojë për shërbëtorët e tij? Çfarë mendon sot Zoti për luftën? Këtyre pyetjeve do t’u përgjigjet artikulli i fundit i kësaj serie.