Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Na preku ajo lloj dashurie»

«Na preku ajo lloj dashurie»

TË SHTUNËN më 25 prill 2015, një tërmet 7,8 ballë i shkallës Rihter tronditi Nepalin, një vend kryesisht malor në veri të Indisë. Ai ra rreth 80 km në veriperëndim të kryeqytetit, Katmandusë. Fatkeqësisht vdiqën më shumë se 8.500 veta, dhe kjo e bën katastrofën natyrore më fatale të regjistruar në Nepal. U shkatërruan më tepër se gjysmë milionë shtëpi. Në Nepal ka 2.200 Dëshmitarëve të Jehovait dhe shumica prej tyre jetonin në zonën e prekur. Mjerisht, vdiq një Dëshmitare dhe dy fëmijët e saj.

Një Dëshmitare me emrin Mishel, u shpreh: «Tërmeti ra pikërisht kur kongregacionet në zonën më të prekur po bënin mbledhjet e krishtere. Po të kishte ndodhur në kohën që shumë ishin në shtëpi, pa dyshim që numri i viktimave do të ishte më i madh.» Pse nuk u rrezikuan ata që ishin në mbledhje? Një arsye kryesore ishte struktura e Sallave të Mbretërisë, vendet ku mblidhen Dëshmitarët për të adhuruar Perëndinë.

«TANI IA DIMË VLERËN!»

Sallat e reja të Mbretërisë në Nepal janë projektuar për t’u bërë ballë tërmeteve. Man Bahaduri, që merr pjesë në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë, thotë: «Shpesh na pyesin pse ndërtojmë themele aq të forta për ndërtesa jo shumë të mëdha. Tani ia dimë vlerën!» Pas tërmetit, u dha miratimi që Sallat e Mbretërisë të përdoreshin si vende strehimi. Me gjithë tronditjet e mëpasshme, Dëshmitarët e Jehovait dhe fqinjët e tyre u ndien të sigurt atje.

Dëshmitarët e Jehovait dhe fqinjët e tyre u strehuan në Sallat e Mbretërisë

Pleqtë e krishterë filluan menjëherë kërkimet për pjesëtarët e kongregacioneve që nuk dihej ku ishin. Një Dëshmitare me emrin Babita, tha: «Pleqtë menduan më shumë për mirëqenien e kongregacionit, sesa për veten. Na preku ajo lloj dashurie.» Ditën pas tërmetit, tre pjesëtarët e komitetit që mbikëqyrin veprën e Dëshmitarëve të Jehovait në Nepal, bashkë me shërbëtorët udhëtues, ose mbikëqyrësit qarkorë, filluan të vizitonin kongregacionet, që të përcaktonin për çfarë kishin nevojë dhe si t’i ndihmonin pleqtë vendës.

Geri Bro nga selia botërore e Dëshmitarëve të Jehovait vizitoi të prekurit nga tërmeti

Gjashtë ditë pas tërmetit, Geri Bro, nga selia botërore e Dëshmitarëve në Shtetet e Bashkuara, mbërriti në Nepal me gruan e tij, Rubin. Një anëtar i komitetit të përmendur më lart, Rubeni, tha: «Për shkak të rrëmujës në Katmandu, si edhe të lëkundjeve të mëpasshme, nuk ishim të sigurt nëse vëllai Bro do të arrinte të vinte. Por ishte i vendosur të vinte—dhe erdhi. Dëshmitarët këtu e vlerësuan shumë vizitën e tij.»

«U NDIEM MË AFËR SE KURRË»

Silasi, që punon në zyrën e Dëshmitarëve në Nepal, tha: «Sapo u rilidhën linjat telefonike, telefoni nuk pushoi ditë e natë. Dëshmitarët e tjerë përreth botës ishin në merak për ne. Edhe pse disa flitnin gjuhë që nuk i kuptonim, ndiem dashurinë e tyre dhe gatishmërinë për të ndihmuar.»

Një ekip mjekësor me Dëshmitarë nga Evropa ndihmuan të prekurit nga tërmeti

Ditë me radhë pas tërmetit, Dëshmitarët vendës sollën në Sallat e Mbretërisë ushqim për ata në nevojë. Gjithashtu u ngrit një Komitet Ndihme në Rast Katastrofash dhe menjëherë vërshuan ndihmat, kryesisht nga Bangladeshi, India dhe Japonia. Brenda pak ditësh erdhi një ekip mjekësor me Dëshmitarë nga Evropa të cilët përdorën një nga Sallat e Mbretërisë për të ndihmuar. Iu futën menjëherë punës, duke kontrolluar jo vetëm gjendjen fizike të të prekurve, por duke i ndihmuar edhe të përballonin traumën emocionale.

Duke shprehur edhe ndjenjat e shumë të tjerëve, një grua me emrin Utara, tha: «Tërmeti ishte i tmerrshëm dhe i frikshëm, ama pas tij u ndiem më afër se kurrë me familjen tonë botërore.» Vërtet, tërmeti nuk e dobësoi dashurinë që ka populli i Jehovait për Të dhe për njëri-tjetrin. Përkundrazi, e forcoi edhe më shumë.