UDHA E LUMTURISË
Një qëllim në jetë
SI NJERËZ, JEMI UNIKË NË SHUMË ASPEKTE—SHKRUAJMË, PIKTUROJMË, KRIJOJMË DHE MENDOJMË PËR PYETJET MË TË RËNDËSISHME TË JETËS: Pse ekziston universi? Cila është origjina e jetës? Cili është qëllimi i jetës? Si do të jetë e ardhmja?
Disa i shmangin këto pyetje, me mendimin se përgjigjet e tyre janë të pakonceptueshme për ne. Të tjerë mendojnë se pyetje të tilla nuk kanë kuptim, sepse jeta është produkt i një evolucioni të rastësishëm. «Nuk ka as perëndi, as qëllime»,—tha Uilliam Provaini, profesor i historisë dhe i biologjisë. Më tej, shtoi: «Etika nuk ka themel, as jeta nuk ka domethënie.»
Megjithatë, disa e konsiderojnë të papranueshme këtë pikëpamje fataliste. Ata vërejnë një univers që drejtohet nga ligje të sakta, mjeshtërore dhe të llogaritura mirë. Ngelin gojëhapur nga projektet mbresëlënëse në natyrë, disa prej të cilave njerëzit përpiqen t’i imitojnë në produktet që bëjnë. Gjithashtu, nga përvoja e përditshme kuptojnë se projektet komplekse dhe tejet funksionale të çojnë te një projektues inteligjent, jo te forca të padrejtuara nga dikush.
Ky arsyetim i ka shtyrë disa evolucionistë ta rishqyrtojnë qëndrimin e tyre. Kushtoju vëmendje dy shembujve vijues.
DR. ALEKSEI MARNOVI, NEUROKIRURG. «Në shkolla kam mësuar për ateizmin dhe evolucionin,—tha ai.—Çdokush që besonte te Zoti, konsiderohej i painformuar.» Gjithsesi, në vitin 1990 nisi të ndryshonte mendim.
«Gjithnjë jam orvatur të kuptoj arsyen e shëndoshë të gjërave—thotë ai,—edhe të trurit të njeriut. Ky organ i mahnitshëm është quajtur me të drejtë struktura më komplekse në universin e njohur. Por, a u projektua truri që të fitonte njohuri e aftësi dhe pastaj të vdiste? Kjo dukej e pakuptimtë, e paarsyeshme. Prandaj nisa të pyesja veten: ‘Pse jemi këtu? Cili është qëllimi i jetës?’ Pasi e mendova gjerë e gjatë, nxora përfundimin se duhet të ketë një Krijues.»
Ngaqë ishte në kërkim të qëllimit të jetës, Aleksei filloi të shqyrtonte Biblën. Më vonë, edhe e shoqja, një mjeke që ishte ateiste, nisi të studionte Biblën—fillimisht për t’i treguar të shoqit se e kishte gabim. Megjithatë, tani të dy besojnë patundshmërisht te Perëndia dhe e kuptojnë qëllimin që ka për njerëzimin, siç shpjegohet në Shkrime.
DR. HUABI JIN, SHKENCËTARE QË STUDIOI PLAZMËN. Huabi Jin studioi në fushën e fizikës dhe për shumë vjet bëri kërkime për plazmën. Plazma, që konsiderohet gjendja e katërt e materies (siç është në diell), përbëhet kryesisht nga elektrone dhe jone pozitive.
Huabi thotë: «Sa herë që ne shkencëtarët studiojmë fenomene natyrore, gjejmë gjithmonë një rregullsi të një niveli të lartë, që është pasojë e ligjeve të sakta. Pyesja veten: ‘Nga dolën këto ligje? Nëse duhet kujdes për të mbajtur nën kontroll qoftë edhe një zjarr të vogël për gatim, kush është përgjegjës për ligjet që mbajnë nën kontroll diellin?’ Me kalimin e kohës nxora përfundimin se pohimi i parë i Biblës është përgjigjja më logjike: ‘Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.’»—Zanafilla 1:1.
Patjetër që shkenca ka hedhur dritë mbi shumë pyetje që fillojnë me «si». Për shembull: si funksionojnë qelizat e trurit? Ose, si i prodhon dielli nxehtësinë dhe dritën? Por, ashtu siç e zbuluan edhe Aleksei e Huabi, Bibla u përgjigjet pyetjeve më të rëndësishme që fillojnë me «pse»: pse ekziston universi? Pse drejtohet nga ligje? Dhe, pse ekzistojmë?
Për tokën, Bibla thotë: «[Perëndia] nuk e krijoi më kot, por e formoi që të banohej.» (Isaia 45:18) Po, Perëndia ka një qëllim për tokën, dhe, siç do ta shohim në artikullin tjetër, ky qëllim lidhet ngushtësisht me shpresën tonë për të ardhmen.