Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ATA NDRYSHUAN

Historia e Rikardos dhe e Andresit

Historia e Rikardos dhe e Andresit

Arsimimi që bazohet në Bibël, ka fuqi të jashtëzakonshme për të përmirësuar jetën e njerëzve. Le të shqyrtojmë dy shembuj: të Rikardos dhe të Andresit.

RIKARDO: Kur u futa në një bandë, isha veçse një 15-vjeçar i papërvojë. Miqtë e rinj ndikuan jashtë mase tek unë. Në fakt vura synim të bëja 10 vite burg. Kjo mund të duket budallallëk. Por, në lagjen time, ata që bënin burg, admiroheshin e respektoheshin. Dhe unë doja të isha si ata.

Si pjesëtar bande, s’lashë gjë pa provuar, si drogat, seksin dhe dhunën. Një natë u përfshiva në një shkëmbim zjarri. Thashë me vete: kaq e pata. Por ia hodha pa u lagur. Pas kësaj, nisa të mendoja më seriozisht për jetën dhe për synimet e mia, ndaj e ndava mendjen të ndryshoja. Por si? Ku të kërkoja ndihmë?

Shumë nga të afërmit e mi ishin të palumtur dhe plot me probleme. Mirëpo nuk ishte aspak kështu me familjen e dajës së vogël. E dija se ishin njerëz të mirë dhe se jetonin në përputhje me parimet e Biblës. Madje, ata më kishin thënë se Zoti quhej Jehova. Kështu, shpejt pas atij shkëmbimi zjarri, iu luta Jehovait me emër dhe i kërkova ndihmë. Për habinë time, pikërisht të nesërmen më trokiti në derë një Dëshmitar i Jehovait. Ai u bë mësuesi im i Biblës.

S’kaloi shumë dhe hasa një problem të madh. Shokët e vjetër të bandës më telefononin shpesh dhe më kërkonin të dilnim bashkë. S’e kisha fare të lehtë, megjithatë u thosha jo. Isha i vendosur të vazhdoja studimin e Biblës dhe jam i kënaqur që ia dola. Jeta ime ndryshoi si nata me ditën dhe tani jam vërtet i lumtur.

Një herë iu luta Zotit dhe i thashë se dikur isha gati të bëja 10 vite burg që të më respektonin si pjesëtar bande. Kështu që i kërkova të më lejonte t’i shërbeja atij në kohë të plotë për të paktën 10 vjet, që të ndihmoja të tjerë njësoj siç më kishin ndihmuar mua. Perëndia iu përgjigj lutjes sime, pasi prej 17 vjetësh po shërbej në kohë të plotë. E për më tepër, nuk u futa kurrë në burg.

Mjaft nga miqtë e dikurshëm janë në burg prej shumë vjetësh. Të tjerë kanë vdekur. Kur shoh pas, u jam tejet mirënjohës të afërmve të mi Dëshmitarë, që ishin gati të shkonin kundër rrymës: të jetonin sipas Biblës. Kurrë s’kam respektuar ndonjë pjesëtar bande sa ata. Mbi të gjitha, i jam mirënjohës Perëndisë që më mësoi mënyrën më të mirë të jetesës.

ANDRESI: Linda dhe u rrita në një lagje të varfër ku droga, grabitjet, vrasjet dhe prostitucioni ishin sheshit. Im atë ishte i varur ndaj alkoolit dhe kokainës. Prindërit ziheshin gjithmonë me njëri-tjetrin, dhe jo vetëm me fjalë.

Që i vogël nisa të pija alkool dhe të drogohesha. Shumicën e kohës e kaloja rrugëve, duke vjedhur dhe duke shitur ato që vidhja. Ndërsa rritesha, im atë donte të më mbante afër, mirëpo zgjodhi një mënyrë të gabuar. Më mësoi të merresha me kontrabandë drogash dhe mallrash të tjerë të jashtëligjshëm, e t’i shisja. Bëra goxha pará, madje, shumë shpejt. Por, një ditë më erdhi policia në shtëpi. Më arrestuan dhe u dënova me 5 vite burg për tentativë vrasjeje.

Një mëngjes dëgjuam një njoftim nga altoparlanti i burgut. Të gjithë ishim të ftuar të dëgjonim një fjalim biblik nga Dëshmitarët e Jehovait. Vendosa të shkoja. Ajo që dëgjova, kishte kuptim, ndaj fillova të studioja Biblën me ta. Ata nuk e zbutnin mesazhin e Shkrimeve, por më tregonin normat e larta morale të Perëndisë.

Shpejt kuptova se nuk ndryshoja dot pa ndihmë, sidomos kur më kërcënonin të burgosurit që s’u pëlqente që po studioja. Prandaj i lutesha Jehovait për forcë e mençuri dhe ai më ndihmonte. Kështu, jo vetëm që nuk rashë pre e kërcënimeve, por mora guxim t’u flisja për Biblën të burgosurve të tjerë.

Kur erdhi dita të lirohesha nga burgu, isha aq në ankth, sa nuk doja të dilja. Ndërsa po ikja, ca të burgosur më përshëndetën me dorë. Madje, disa më thanë ngrohtësisht: «Kthehu në shtëpi, predikues i vogël!»

As e imagjinoj dot si do të isha katandisur po të mos e kisha lejuar Perëndinë të më mësonte. I jam jashtë mase mirënjohës Perëndisë që më do dhe që nuk më konsideroi rast të pashpresë. *

^ Shembuj të tjerë që tregojnë se Bibla ka fuqinë të ndryshojë jetën, gjenden në jw.org. Shih te BIBLIOTEKË dhe, te seri me artikuj, kërko «Bibla të ndryshon jetën».