Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një kurë duhet të eliminojë shkaqet, jo thjesht simptomat

ÇELËSI PËR TË NDRYSHUAR

Të gjejmë rrënjën e problemeve

Të gjejmë rrënjën e problemeve

A mendon se njerëzimi mund të zgjidhë morinë e problemeve që na grabitin paqen e sigurinë dhe na kërcënojnë të ardhmen? Që një kurë të jetë e efektshme, duhet të eliminojë shkaqet e problemeve, jo thjesht simptomat.

Për ta ilustruar: një burrë me emrin Tom ishte i sëmurë dhe vdiq. Cila ishte arsyeja? Një mjek në spitalin ku u shtrua Tomi pak para se të vdiste, shkroi: «Kur iu shfaqën simptomat e para, askujt s’i vajti mendja të kërkonte shkaqet e vërteta.» Me sa duket, mjekët që e kishin kuruar më parë, i kishin dhënë ilaçe thjesht që të ndihej më mirë.

A po përdorin njerëzit një metodë të ngjashme për të kuruar këtë botë të sëmurë? Për shembull, që të luftojnë krimin, qeveritë nxjerrin ligje, instalojnë kamera sigurie dhe shtojnë forcat e rendit. Ama, këto masa, edhe pse deri diku bëjnë punë, nuk zhdukin shkaqet e vërteta. Tekefundit, mënyra si veprojnë njerëzit, tregon çfarë mendojnë, si ndihen dhe çfarë duan vërtet.

Danieli, i cili jeton në një shtet të Amerikës Jugore në krizë ekonomike, thotë: «Një herë e një kohë bënim jetë normale. Nuk kishim frikë nga grabitjet me armë. Por, tani nuk ka më paqe në asnjë qytet a fshat. Për shkak të krizës ekonomike, mjaft njerëz po tregojnë fytyrën e vërtetë—janë lakmitarë dhe s’kanë fare respekt për jetën ose për pronën e të tjerëve.»

Një burrë me emrin Elias * ia mbathi nga një konflikt në Lindjen e Mesme dhe më vonë studioi Biblën. Ai thotë: «Familjet dhe sistemi politiko-fetar nxitën shumë djem nga qyteti im që të shkonin në luftë e të bëheshin heronj. Edhe palës tjetër u thoshin të njëjtën gjë. E gjithë kjo më ndihmoi të kuptoja sa zhgënjyese është t’u besosh sundimtarëve njerëzorë.»

Një libër i lashtë mençurie thotë me të drejtë:

  • «Zemra e njeriut priret nga e keqja që në rini të tij.»​—Zanafilla 8:21.

  • «Zemra është më e pabesë se çdo gjë tjetër. Ajo është e rrezikshme. E kush mund ta njohë?»​—Jeremia 17:9.

  • «Nga zemra vijnë arsyetime të liga, vrasje, . . . kurvëri, vjedhje, dëshmi të rreme.»​—Mateu 15:19.

Njerëzimi ka qenë i paaftë të gjejë një kurë për prirjet e dëmshme që fshihen brenda nesh. Madje, këto prirje duket se po përkeqësohen, siç e tregojnë problemet që përmendëm në artikullin e mëparshëm. (2 Timoteut 3:1-5) Ky është një fakt, ndonëse sot njerëzit kanë më tepër informacion dhe mënyra komunikimi se kurrë më parë. Pse nuk mund ta bëjmë botën një vend ku ka paqe dhe siguri? Mos po presim tepër nga vetja? A po synojmë të pamundurën?

A PO SYNOJMË TË PAMUNDURËN?

Edhe po të kishte një mënyrë për të ndrequr prirjet e këqija të njerëzve, s’do ta bënim dot botën një vend të sigurt për të gjithë. Pse? Për shkak të kufizimeve si njerëz.

Vër re këtë të vërtetë themelore: «Njeriut . . . nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.» (Jeremia 10:23) Po, ne nuk u krijuam të vetëqeveriseshim. As u krijuam të qeverisim mbi të tjerët, ashtu si nuk u krijuam të jetonim në ujë ose në hapësirë.

Nuk u krijuam të qeverisim mbi të tjerët, ashtu si nuk u krijuam të jetonim në ujë

Mendo pak: në përgjithësi, a u pëlqen njerëzve t’u tregosh si të jetojnë ose t’u diktosh normat morale që duhet të ndjekin? A u pëlqen t’u thuash si t’i shohin gjëra, si aborti, dënimi me vdekje ose disiplinimi i fëmijëve? Këto janë vetëm disa nga çështjet që i përçajnë njerëzit. Ndonëse mund të jetë e vështirë për ta pranuar, ajo që thotë Bibla, ka kuptim. Ne thjesht nuk kemi aftësinë ose të drejtën për të qeverisur mbi njerëzit e tjerë. Atëherë, ku të drejtohemi për ndihmë?

Përgjigjja më e arsyeshme është t’i kthejmë sytë nga Krijuesi. Në fund të fundit, jemi vepër e duarve të Tij. Dhe, ndryshe nga ç’mendojnë disa, nuk na ka harruar. Në të vërtetë, e dallojmë se ai merakoset për ne nga mençuria që gjendet në Bibël. Kur kuptojmë këtë libër unik, njohim më mirë edhe veten. Madje kuptojmë edhe përse historia e njerëzimit është kaq tragjike. Ja pse një filozof gjerman një herë shkroi se «njerëzit dhe qeveritë s’kanë nxjerrë kurrë ndonjë mësim nga historia dhe as kanë vepruar për të ndryshuar sjellje».

MENÇURIA E BIBLËS NA MBRON

Një herë një burrë i mençur tha se «mençuria del e drejtë me anë të të gjithë fëmijëve të saj», ose të rezultateve. (Luka 7:35) Një shembull i kësaj mençurie gjendet te Psalmi 146:3, që thotë: «Mos kini besim te fisnikët, as te ndonjë bir njeriu, që nuk sjell dot shpëtim.» Kjo këshillë e mirë na mbron nga shpresat e rreme dhe nga pritshmëritë jorealiste. Keneti, i cili jeton në një shtet të Amerikës Veriore të pllakosur nga dhuna, thotë: «Politikanët njëri pas tjetrit premtojnë t’i përmirësojnë gjërat, por nuk ia dalin. Dështimet e tyre janë përkujtues i vazhdueshëm i mençurisë së Biblës.»

Danieli, i përmendur më parë, shkruan: «Çdo ditë që kalon më përforcon bindjen se njerëzit nuk janë të aftë të qeverisin. . . . T’i varësh shpresat te llogaria bankare ose te ndonjë plan pensioni, nuk është garanci për një të ardhme të sigurt. Kam parë njerëz që janë zhgënjyer thellë nga kjo.»

Bibla jo vetëm na mbron nga pritshmëritë jorealiste, por, siç do të shohim më pas, na jep edhe një shpresë.

^ Emri është ndryshuar.