Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë ka ndodhur me respektin për jetën?

Çfarë ka ndodhur me respektin për jetën?

PSE KA RËNDËSI RESPEKTI PËR JETËN

Veset dhe veprimet që nuk tregojnë respekt për jetën, mund të ndikojnë negativisht te shëndeti dhe te siguria e një komuniteti.

  • Duhani jo vetëm shkakton kancer, por edhe ndikon tek aftësia e trupit për ta luftuar atë. Në përgjithësi, rreth 90 për qind e vdekjeve nga kanceri i mushkërive i atribuohen pirjes së duhanit aktiv ose pasiv.

  • Çdo vit, të shtënat me armë në turma njerëzish lënë me trauma shumë veta. Një raport i Universitetit të Stenfordit thotë: «Studimet tregojnë se vragat emocionale dhe mendore u mbeten për vite me radhë edhe atyre që shpëtojnë pa dëme fizike [nga të shtënat në shkollë].»

  • Kush i jep makinës nën efektin e alkoolit ose të drogës i bën rrugët, madje edhe trotuaret, të pasigurta. Kur dikush shfaq qëndrim moskokëçarës për jetën, shpesh lëndohen njerëz të pafajshëm.

Ç’MUND TË BËSH

Mbroje shëndetin. Nuk është kurrë tepër vonë të heqësh dorë nga vese të dëmshme, siç mund të jenë pirja e duhanit dhe e cigareve elektronike, pirja me tepri e alkoolit ose përdorimi i drogave ilegale. Këto vese ndikojnë për keq në jetën tënde dhe tregojnë se nuk ke respekt për jetën e të tjerëve dhe të familjarëve të tu.

«Le të pastrohemi nga çdo gjë që ndot trupin.»—2 Korintasve 7:1.

Ki merak sigurinë tënde dhe të të tjerëve. Për të parandaluar aksidentet, mirëmbaje shtëpinë. Jepi makinës në mënyrë të sigurt dhe mbaje automjetin në gjendje të mirë. Mos lejo që, nga presioni i të tjerëve, të bësh gjëra që mund të shkaktojnë lëndime serioze ose vdekje.

«Nëse ndërton një shtëpi të re, bëj edhe një parmak për tarracën, që të mos e bësh shtëpinë tënde me faj gjaku nëse dikush bie prej saj.»—Ligji i përtërirë 22:8. a

Ji i mirë me të tjerët. Respekti për jetën ka të bëjë edhe me pikëpamjen që kemi për njerëzit e të gjitha racave, kombësive dhe shtresave shoqërore. Në fund të fundit, paragjykimi dhe urrejtja janë shkaqet kryesore të shumë akteve të dhunshme e të luftërave në botë.

«Hiqni çdo vrer shpirtlig, zemërim, furi, të bërtitur, sharje dhe çdo gjë të dëmshme. Jini zemërmirë me njëri-tjetrin.»—Efesianëve 4:31, 32.

ÇFARË PO BËJMË SI DËSHMITARË TË JEHOVAIT

Nxitim një stil jete të ekuilibruar e të shëndetshëm. Programi ynë i arsimimit nga Bibla ka ndihmuar shumë veta të mposhtin varësi dhe vese shkatërruese.

Në projektet tona të ndërtimit, u përmbahemi standardeve strikte të sigurisë. Vullnetarët që ndihmojnë me ndërtimin e vendeve të adhurimit dhe të godinave që përdoren për arsimimin nga Bibla, stërviten që të shmangin aksidentet. Godinat tona inspektohen rregullisht që të jenë konform ligjeve vendëse për sigurinë.

Ofrojmë ndihma humanitare. Kohët e fundit, gjatë një periudhe 12-mujore, kemi ndihmuar viktimat e rreth 200 katastrofave botërore dhe kemi shpenzuar afro 12 milionë dollarë nga fondet e dhuruara.

Kur Ebola shpërtheu dhe u përhap në mënyrë tragjike në Afrikën Perëndimore (2014) dhe në Republikën Demokratike të Kongos (2018), bëmë fushata sensibilizimi si të ndalej përhapja e kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse. Kemi dërguar përfaqësues që t’u flisnin auditoreve të ndryshme rreth temës «Bindja të shpëton jetën». Ngritëm vende për larjen e duarve në hyrjet e ndërtesave tona të adhurimit. Gjithashtu theksuam rëndësinë e larjes së duarve dhe shpjeguam çfarë tjetër duhej bërë për parandalimin e sëmundjes.

Në Sierra-Leone, një stacion radiofonik lavdëroi Dëshmitarët e Jehovait që kishin ndihmuar Dëshmitarë dhe ata që nuk ishin Dëshmitarë të shmangnin virusin e Ebolës.

Vend për larjen e duarve në një Sallë Mbretërie, gjatë shpërthimit të Ebolës në Liberi (2014)

a Në lashtësi, në Lindjen e Mesme, tarraca përdorej shumë në aktivitet e përditshme. Prandaj, që të tregonin kujdes për sigurinë e pjesëtarëve të familjes dhe të të tjerëve, populli ishte i detyruar ta plotësonte këtë kërkesë.