PËR PRINDËRIT
5—Komunikimi
ÇFARË DO TË THOTË
Komunikimi i vërtetë me fëmijët nënkupton të bashkëbisedosh për mendime dhe ndjenja.
PSE KA RËNDËSI
Komunikimi mund të bëhet veçanërisht sfidues me adoleshentët. Ndoshta jo shumë kohë më parë, fëmija ta hapte kollaj derën e zemrës. Por tani duhet të presësh jashtë, me sytë nga dera. Pavarësisht sa herë troket, me raste kjo derë nuk të hapet. Edhe kur duket sikur fëmija nuk dëshiron të flasë, pikërisht tani ka më shumë nevojë për të biseduar.
Ç’MUND TË BËSH
Ji i gatshëm të flasësh kur do fëmija. Bëje këtë edhe nëse duhet të bisedoni natën vonë.
«Mbase të vjen t’i thuash: ‘Tani e gjete të flasësh?! A s’ishim bashkë gjithë ditën e ditës?’ Por, si mund të ankohemi kur fëmija do që të na hapë zemrën? A nuk shpreson këtë çdo prind?»—Liza.
«Preferoj të mos fle tepër vonë, por disa nga bisedat më të bukura me fëmijët e mi adoleshentë kanë qenë pas mesnate.»—Herberti.
PARIMI BIBLIK: «Secili le të vazhdojë të kërkojë jo përfitimin e vet, por atë të tjetrit.»—1 Korintasve 10:24.
Mos u shpërqendro. Një baba pranon: «Ndonjëherë mendja më rri te gjëra të tjera, ndërkohë që fëmijët po më flasin. Dhe atyre nuk ua hedh dot.»
Nëse të ndodh e njëjta gjë, fike televizorin dhe lëri mënjanë të gjitha pajisjet elektronike. Përqendrohu tek ajo që po thotë fëmija dhe kushtoji vëmendje të plotë shqetësimit të tij, pavarësisht sa i parëndësishëm mund të të duket.
«Duhet t’i sigurojmë fëmijët se ndjenjat e tyre janë të çmuara për ne. Nëse ata mendojnë ndryshe, do të mbyllen në vetvete ose do të kërkojnë ndihmë diku tjetër.»—Miranda.
«Mos e dramatizo situatën, edhe nëse mendimi i fëmijës është i gabuar.»—Antoni.
PARIMI BIBLIK: «Kushtojini vëmendje mënyrës se si dëgjoni.»—Luka 8:18.
Shfrytëzo rrethanat e përditshme. Ndonjëherë fëmijët e kanë më të lehtë të shprehen kur nuk ulen ballë për ballë me prindërit.
«Shfrytëzojmë rastet kur udhëtojmë me makinë. Duke mos qenë përballë njëri-tjetrit, kemi bërë biseda të kënaqshme.»—Nikola.
Vaktet janë një tjetër mundësi për biseda spontane.
«Në darkë secili prej nesh tregon gjënë më të keqe e më të mirë që i ka ndodhur gjatë ditës. Ky zakon na lidh me njëri-tjetrin e na ndihmon të kuptojmë se nuk jemi vetëm para vështirësive.»—Robini.
PARIMI BIBLIK: ‘Ji i shpejtë në të dëgjuar dhe mos u nxito në të folur.’—Jakovi 1:19.