Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE

Bibla—Thjesht libër i mirë?

Bibla—Thjesht libër i mirë?

Bibla mbaroi së shkruari rreth dy mijë vjet më parë. Që nga ajo kohë, kanë hyrë e kanë dalë nga qarkullimi shumë e shumë libra. Kurse Bibla ka rezistuar. Shqyrtoni faktet më poshtë.

  • Bibla u ka mbijetuar shumë sulmeve të egra nga njerëz me pushtet. Për shembull, në disa vende «të krishtere» gjatë Mesjetës «të kishe një Bibël dhe ta lexoje në gjuhën vendëse [në gjuhën e popullit] konsiderohej herezi dhe disidencë». (An Introduction to the Medieval Bible) Studiuesit që e përkthenin Biblën në gjuhën e popullit ose që i nxitnin njerëzit ta studionin, vinin kokën në rrezik. Madje, disa u vranë.

  • Pavarësisht nga armiqtë e shumtë, Bibla u bë libri më i shpërndarë në histori, siç është edhe sot. Është botuar e gjitha ose pjesërisht në afro 5 miliardë kopje në mbi 2.800 gjuhë. Është krejt ndryshe nga librat e filozofisë, të shkencës dhe të fushave të lidhura me to, të cilët kanë një tirazh të kufizuar dhe u ikën koha shpejt.

  • Bibla ka ndihmuar për ruajtjen dhe për zhvillimin e disa gjuhëve në të cilat është përkthyer. Përkthimi i Martin Luterit në gjermanisht ndikoi shumë te kjo gjuhë. Botimi i parë King James Version është cilësuar si «ndoshta libri me ndikimin më të madh të botuar ndonjëherë» në anglisht.

  • Bibla ka «ndikuar jashtëzakonisht në kulturën perëndimore, jo vetëm në bindjet e praktikat fetare, por edhe në art, në letërsi, në fushën ligjore, në politikë dhe në aq shumë fusha, sa nuk i përmendim dot të gjitha».The Oxford Encyclopedia of the Books of the Bible.

Këto janë vetëm disa fakte që e veçojnë Biblën nga librat e tjerë. Po pse është kaq e përhapur? Pse kanë vënë kokën në rrezik për të? Arsyet janë të shumta, por disa prej tyre janë: Bibla përmban mençuri të pakrahasueshme për mënyrën si të jetojmë e si ta njohim Zotin. Na ndihmon të kuptojmë shkakun kryesor të vuajtjeve dhe të konflikteve. Për më tepër, na premton se këto probleme do të marrin fund, madje na tregon si.

Bibla na jep gjykim të thellë moral e hyjnor

Arsimimi është i rëndësishëm. Por, një artikull në gazetën kanadeze Ottawa Citizen thoshte se «arsimimi . . . që shton inicialet para emrit . . . nuk të bën medoemos njeri me vlera». Po, shumë njerëz me arsimim të lartë, përfshirë kokat e biznesit e të shtetit, mashtrojnë, zhvatin e vjedhin, duke krijuar «mungesë të theksuar besimi tek ata», sipas një studimi mbarëbotëror të botuar nga firma e marrëdhënieve publike Edelman.

Bibla përqendrohet te gjykimi i thellë moral e hyjnor. Na mëson «drejtësinë, gjykimin dhe ndershmërinë, gjithë udhën e asaj që është e mirë». (Proverbat 2:9) Për shembull, një 23-vjeçar, që do ta quajmë Stefan, ishte i burgosur në Poloni. Gjatë burgimit filloi të studionte Biblën dhe të vlerësonte këshillat e saj praktike. Ai shkroi: «Tani e kuptoj ç’do të thotë ‘të nderosh atin dhe nënën tënde’. Kam mësuar edhe të mbaj nën kontroll emocionet, sidomos zemërimin e tepruar.»Efesianëve 4:31; 6:2.

Stefanin e preku parimi te Proverbat 19:11: «Gjykimi i thellë me siguri ia ngadalëson zemërimin njeriut, dhe është gjë e bukur nga ana e tij të kapërcejë shkeljen.» Tani, kur gjendet në një situatë sfiduese, përpiqet ta analizojë me qetësi dhe të zbatojë parimin e duhur biblik. Ai tha: «Kam kuptuar që Bibla është udhërrëfyesja më e mirë.»

Marinë, një Dëshmitare të Jehovait, e ofendoi në sy të të tjerëve një grua paragjykuese, e cila bëri një gjullurdi të madhe. Në vend që t’ia kthente me të njëjtën monedhë, Maria me qetësi vazhdoi rrugën. Më vonë gruaja u ndie keq që u soll ashtu dhe kërkoi Dëshmitarët. Rreth një muaj më pas, kur më në fund takoi Marinë, e përqafoi dhe i kërkoi falje. Madje, kuptoi se butësia dhe vetëpërmbajtja e Marisë ishin rezultat i bindjeve të saj, dhe me të drejtë. Cili ishte përfundimi? Gruaja paragjykuese dhe pesë nga familja e saj vendosën të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait.

Jezu Krishti tha se mençuria del e drejtë me anë të veprave të veta. (Mateu 11:19) Parimet biblike kanë dhënë prova se janë me vlerë. Nxjerrin më të mirën tonë. Kuptueshmëria e qartë morale e hyjnore ‘e bën të mençur njeriun e papërvojë’, ‘gëzon zemrën’ dhe ‘i bën sytë të ndrijnë’.Psalmi 19:7, 8.

Bibla hedh dritë mbi vuajtjet dhe konfliktet

Kur analizojnë një sëmundje epidemike, studiuesit përpiqen të gjejnë shkakun, zanafillën e problemit. E njëjta gjë vlen edhe nëse duam të kuptojmë «epideminë» e vuajtjeve dhe të luftërave njerëzore. Edhe në këtë rast Bibla na vjen shumë në ndihmë, pasi në të është dokumentuar zanafilla e historisë sonë, koha kur filluan problemet.

Libri i Zanafillës tregon se mjerimet e njerëzve filluan kur ata u rebeluan kundër Perëndisë. Ndër të tjera, morën përsipër t’i vendosnin vetë normat morale, një e drejtë që i takonte vetëm Krijuesit tonë. (Zanafilla 3:1-7) Mjerisht, që atëherë njerëzit në përgjithësi kanë përvetësuar të njëjtin qëndrim të pavarur. Cili ka qenë rezultati? Historia njerëzore karakterizohet nga luftëra, shtypje dhe konflikte morale e fetare, jo nga liria e lumturia. (Eklisiastiu 8:9) Bibla pohon me të drejtë: «Njeriut . . . nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.» (Jeremia 10:23) Lajmi i mirë është që eksperimenti shkatërrimtar që njeriu po bën me pavarësinë nga Perëndia, thuajse ka marrë fund.

Bibla jep shpresë

Bibla na siguron se Perëndia, falë dashurisë për ata që respektojnë autoritetin e normat e tij, nuk do t’i tolerojë përgjithnjë të keqen dhe vuajtjet që vijnë prej saj. Njerëzit e këqij «do të hanë frytet e udhës së tyre». (Proverbat 1:30, 31) Nga ana tjetër, «zemërbutët . . . do të kënaqen pa masë me paqen e pafund».Psalmi 37:11.

‘Vullneti i Perëndisë është që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës.’1 Timoteut 2:3, 4

Perëndia do të realizojë qëllimin e tij dhe do të sjellë paqen në tokë me anë të ‘mbretërisë së Perëndisë’. (Luka 4:43) Kjo Mbretëri është një qeveri botërore dhe nëpërmjet saj Zoti do të ushtrojë mbi njerëzimin sovranitetin që i takon me të drejtë. Jezui e lidhi Mbretërinë me tokën, duke thënë në lutjen model: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt . . . në tokë.»Mateu 6:10.

Po, nënshtetasit e Mbretërisë së Perëndisë do të bëjnë vullnetin e tij, duke pranuar si Sundimtar legjitim Krijuesin, jo ndonjë njeri. Korrupsioni, lakmia, pabarazia ekonomike, paragjykimi racial dhe luftërat do të marrin fund. Bota do të jetë një, me një qeveri dhe me një standard normash e mësimesh nga Perëndia.Zbulesa 11:15.

Çelësi për ta parë me sytë tanë botën e re është njohuria. Te 1 Timoteut 2:3, 4 thuhet se ‘vullneti i Perëndisë është që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës’. Kjo e vërtetë përfshin mësimet biblike që mund t’i quajmë kushtetuta e Mbretërisë, ligjet dhe parimet me të cilat do të qeverisë. Disa prej tyre gjenden te Predikimi në Mal i Jezu Krishtit. (Mateu, kapitujt 5-7) Kur t’i lexosh këta tre kapituj, përpiqu të imagjinosh si do të jetë jeta kur të gjithë të zbatojnë mençurinë e Jezuit.

A duhet të habitemi që Bibla është libri më i përhapur në botë? Absolutisht jo! Mësimet e saj kanë vulën e frymëzimit hyjnor. Dhe tirazhi i saj i madh flet për dëshirën e Perëndisë që njerëz të çdo gjuhe e kombi të mësojnë për të dhe të shijojnë bekimet që do të sjellë Mbretëria e tij.Veprat 10:34, 35.