PIKËPAMJA E BIBLËS
Engjëjt
Engjëjt i gjen në libra, piktura dhe filma. Por çfarë janë dhe ç’rol luajnë?
Çfarë janë engjëjt?
ÇFARË THOTË BIBLA:
Para se të krijonte universin dhe njerëzit e parë, Zoti kishte krijuar tashmë krijesa me intelekt të një rangu më të lartë. Ata janë më të fuqishëm se ne dhe banojnë atje ku banon Perëndia—një vend i paarritshëm dhe i padukshëm për njerëzit. (Jobi 38:4, 7) Këto krijesa të larta Bibla i quan «frymë» dhe ‘engjëj’.—Psalmi 104:4, shënimi. *
Sa është numri i engjëjve? Marramendës! Ata që janë pranë fronit të Perëndisë, janë «dhjetë mijë herë dhjetëra mijë dhe mijëra e mijëra». (Zbulesa 5:11) Po ta marrim në kuptimin e mirëfilltë, i bie që të jenë me qindra milionë.
‘Pashë shumë engjëj që ishin përreth fronit. Ata ishin dhjetë mijë herë dhjetëra mijë dhe mijëra e mijëra.’—Zbulesa 5:11.
Çfarë bënin engjëjt në kohët e lashta?
ÇFARË THOTË BIBLA:
Shpesh engjëjt shërbenin si zëdhënës ose lajmëtarë të Zotit. * Bibla tregon edhe se bënin mrekulli në emër të Perëndisë. Ai dërgoi një engjëll të bekonte Abrahamin dhe ta ndalonte që të flijonte të birin, Isakun. (Zanafilla 22:11-18) Edhe Moisiut iu shfaq një engjëll në mes të një kaçube që digjej, me një mesazh që do t’i ndryshonte jetën. (Dalja 3:1, 2) Kur profetin Daniel e hodhën në gropën e luanëve, ‘Perëndia dërgoi engjëllin e tij dhe ua mbylli gojën luanëve’.—Danieli 6:22.
«Atëherë engjëlli i Jehovait iu shfaq [Moisiut] në një flakë zjarri, në mes të një kaçube me gjemba.»—Dalja 3:2.
Çfarë bëjnë tani engjëjt?
ÇFARË THOTË BIBLA:
Nuk mund të dimë gjithçka për aktivitetin e engjëjve sot. Gjithsesi, nga Bibla kuptojmë se po ndihmojnë njerëzit e sinqertë të mësojnë më shumë për Zotin.—Veprat 8:26-35; 10:1-22; Zbulesa 14:6, 7.
Në një ëndërr nga Jehovai, patriarku Jakob pa engjëjt tek ngjiteshin e zbritnin nëpër një «shkallë» mes qiellit e tokës. (Zanafilla 28:10-12) Nga kjo ëndërr Jakobi mund të ketë arritur në përfundimin që mund të arrijmë edhe ne: Perëndia Jehova i dërgon engjëjt me mision në tokë për të ndihmuar njerëzit besnikë që kanë nevojë.—Zanafilla 24:40; Dalja 14:19; Psalmi 34:7.
‘Ai pa një shkallë që ishte vendosur në tokë, maja e së cilës arrinte deri në qiej. Dhe ja, engjëjt e Perëndisë ngjiteshin e zbritnin nëpër të.’—Zanafilla 28:12.
^ par. 6 Bibla i quan «demonë» engjëjt e ligj që u rebeluan kundër autoritetit të Perëndisë.—Luka 10:17-20.
^ par. 11 Në fakt, fjalët origjinale hebreje dhe greke të përdorura në Bibël për «engjëll» do të thonë «lajmëtar».