Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jeta familjare dhe miqësitë

Jeta familjare dhe miqësitë

Shumë veta e kanë të vështirë të mbajnë marrëdhënie të qëndrueshme. Ja disa parime nga Bibla që mund të të ndihmojnë.

MOS JI EGOIST

PARIMI I BIBLËS: ‘Shihni me interes jo vetëm çështjet tuaja, por edhe ato të të tjerëve.’​—Filipianëve 2:4.

Ç’DO TË THOTË: Gëzojmë marrëdhënie të mira kur mendojmë më shumë çfarë të japim, sesa çfarë të marrim. Por, nëse mendojmë vetëm për veten, ato mund të prishen. Për shembull, një bashkëshort egoist mund të priret ta tradhtojë shokun a shoqen e jetës. Veç kësaj, kush do të zgjidhte si mik dikë që gjithmonë shet mend për gjërat që ka ose që di?! Në lidhje me këtë, një libër thotë: «Përqendrimi te vetja u hap rrugë problemeve të shumta.»​—The Road to Character.

Ç’MUND TË BËSH:

  • Ndihmoji të tjerët. Një miqësi e fortë krijohet kur njerëzit kanë besim reciprok dhe i qëndrojnë gjithnjë pranë njëri-tjetrit. Sipas disa studimeve, njerëzit që ndihmojnë të tjerët, vuajnë më pak nga depresioni dhe ndihen më mirë me veten.

  • Trego empati. Empatia është përshkruar si aftësia për të ndier dhimbjen e tjetrit në zemrën tënde. Po të kesh empati, zor se do të përdorësh sarkazëm të hidhur, pra kunja therëse dhe ironike që të lëndosh të tjerët.

    Kur tregon empati, bëhesh edhe më tolerant me të tjerët. Kështu, empatia mund të të ndihmojë të mposhtësh paragjykimet dhe të zësh miq nga kultura e prejardhje të ndryshme.

  • Kalo kohë me të tjerët. Sa më shumë kohë të kalosh me të tjerët, aq më mirë do t’i njohësh. Që të lidhësh miqësi të vërteta, nevojitet komunikim nga zemra. Ndaj ji dëgjues i vëmendshëm. Merakosu për gjërat që i shqetësojnë miqtë e tu. Një studim i kohëve të fundit tregoi se «bisedat e thella mund të na bëjnë më të lumtur».

ZGJIDHI ME MENÇURI MIQTË

PARIMI I BIBLËS: «Shoqëritë e këqija prishin [parimet e larta morale].»​—1 Korintasve 15:33, shënimi, NWT, botimi 2013.

Ç’DO TË THOTË: Ata me të cilët ke shoqëri të ngushtë, ndikojnë shumë te ti​—për mirë a për keq. Sociologët janë të mendimit se ky ndikim mund të përcaktojë drejtimin që do të marrë jeta jote. Për shembull, ata thonë se, po të rrish gjithnjë me njerëz që pinë duhan ose që po divorcohen, edhe ti mund të jesh më i prirur të fillosh duhanin a të kërkosh divorcin.

Ç’MUND TË BËSH: Zër miqësi me njerëz që kanë cilësi dhe vlera që i admiron ose që dëshiron t’i imitosh. Për shembull, kërko shoqërinë e atyre që flasin me takt, që janë të respektueshëm, bujarë dhe mikpritës.

PARIME TË TJERA NGA BIBLA

Shih video për familjen që bazohen në Bibël, të cilat janë bërë enkas për çiftet e martuara, për adoleshentët dhe për fëmijët

MOS PËRDOR FJALË LËNDUESE.

«Ka nga ata që flasin pa u menduar si me goditje shpate.»​—PROVERBAT 12:18.

JI BUJAR.

«Shpirti bujar do të majmet.»​—PROVERBAT 11:25.

TRAJTOJI TË TJERËT SIÇ DO TË DOJE TË TË TRAJTONIN.

«Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.»​—MATEU 7:12.