Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë na tregon universi?

Çfarë na tregon universi?

Universi vazhdon t’i mahnitë astronomët. Dhe sot, më shumë se kurrë, janë në dispozicion mjetet më të mira për ta studiuar. Çfarë kanë zbuluar?

Universi është i organizuar. Sipas një artikulli në revistën Astronomy, «galaktikat nuk janë të shpërndara kuturu në qiell, por janë të organizuara si një rrjetë». Si është e mundur? Shkencëtarët besojnë se sekreti mund të jetë lënda e padukshme e njohur si materia e errët. Kjo materie e errët konsiderohet si një strukturë e padukshme, që mban dhe radhit galaktikat, grumbujt dhe supergrumbujt e galaktikave.

Si u bë kaq i organizuar universi? A ka të ngjarë që kjo rregullsi të jetë fryt i rastësisë? Vini re komentin e të ndjerit Alan Sendixh. Ai konsiderohet «një nga astronomët më të njohur e më me influencë të shekullit të 20-të», dhe besonte te Perëndia.

Ai tha: «Më duket krejt e pamundur që një rregullsi e tillë të ketë ardhur nga kaosi. Duhet të jetë dikush që e ka organizuar.»

Universi është më se i përshtatshëm për të mbështetur jetën. Analizo atë që shkencëtarët e quajnë forca e dobët. Ajo bën që dielli të digjet me shpejtësi konstante. Nëse do të ishte më e dobët, dielli nuk do të ishte formuar kurrë. Nëse do të ishte më e fuqishme, dielli do të ishte zhdukur me kohë.

Forca e dobët është vetëm një nga veçoritë e shumta më se të përshtatshme që jeta të ekzistojë. Shkrimtari shkencor Anil Ananthasuami thotë se, sikur vetëm njëra nga këto veçori të ishte ndryshe, «yjet, planetët dhe galaktikat nuk do të ishin formuar asnjëherë. Jeta nuk do të ishte kurrsesi e mundur».

Universi ka një shtëpi ideale për njerëzit. Toka ka atmosferën e duhur, sasinë e duhur të ujit dhe një hënë me përmasa të përkryera që i japin stabilitet. National Geographic thotë: «Bashkëveprimi i ndërlikuar i gjeologjisë, ekologjisë dhe biologjisë, e bëjnë këtë shkëmb të pazakontë [tokën], të vetmin vend të përshtatshëm për njerëzit.» *

Sipas një shkrimtari, sistemi ynë diellor ndodhet në një zonë të izoluar të galaktikës sonë. Por është pikërisht ky izolim që bën të mundur jetën në tokë. Po të ishim më afër yjeve të tjera—ose në qendër të galaktikës sonë, ose midis krahëve të spirales—rrezatimi do të na vinte në rrezik jetën. Përkundrazi, ne gjendemi aty ku disa shkencëtarë e kanë quajtur «zona e banueshme e galaktikës».

Në bazë të njohurive të veta shkencore për universin dhe ligjet e tij, fizikani Pol Dejvis arriti në këtë përfundim: «Nuk mund ta besoj se ekzistenca jonë në këtë univers është vetëm një trill i fatit, një aksident në histori, një kthesë e rastësishme në zhvillimin e dramës së madhe të forcave kozmike. . . . Në të vërtetë, jemi këtu për një qëllim.» Dejvis nuk po u mëson të tjerëve se Perëndia krijoi universin dhe jetën njerëzore. Po ti çfarë mendon? Universi dhe toka duket se janë projektuar për të bërë të mundur jetën. Mos vallë ngaqë kanë një Projektues?

^ par. 8 Ky artikull i National Geographic nuk kishte si qëllim të tregonte se Perëndia krijoi tokën dhe njerëzit. Por komentonte se toka është vendi ideal ku të jetojë njerëzimi.