Çfarë thotë Bibla për homoseksualizmin?
MARTESAT gei [1] ende ngjallin debat në shumë vende. Megjithatë, më 2015 Gjykata e Lartë e SHBA-së ligjëroi martesat gei në mbarë vendin. Pas kësaj, numri i kërkimeve për këtë temë në Internet, u rrit në mënyrë stratosferike. Ndër pyetjet më të zakonshme ishte: «Ç’thotë Bibla për martesat gei?»
Bibla nuk flet specifikisht për të drejtat ligjore mbi martesën mes njerëzve të të njëjtit seks. Një pyetje më themelore është: ç’thotë Bibla për homoseksualizmin?
Edhe pse nuk e kanë shqyrtuar nga afër Biblën, shumë mendojnë se e dinë përgjigjen, ama përgjigjet e tyre janë kontradiktore. Disa thonë se Bibla del hapur kundër homoseksualizmit. Të tjerë pohojnë se urdhri biblik ‘për të dashur të afërmin’ përkrah çdo lloj orientimi seksual.
ÇFARË THOTË BIBLA?
Cili prej këtyre pohimeve mendon se është i vërtetë?
-
Bibla i dënon aktet homoseksuale.
-
Bibla i toleron aktet homoseksuale.
-
Bibla nxit homofobinë (urrejtjen ose paragjykimin ndaj homoseksualëve).
PËRGJIGJET
-
E VËRTETË. Bibla thotë: ‘Burrat që mbahen për qëllime të panatyrshme seksuale nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.’ (1 Korintasve 6:9, 10) E njëjta gjë vlen edhe për femrat.
—Romakëve 1:26. -
E RREME. Bibla mëson se marrëdhëniet seksuale janë vetëm për një burrë e një grua të martuar me njëri-tjetrin.
—Zanafilla 1:27, 28; Proverbat 5:18, 19. -
E RREME. Ndonëse Bibla i dënon aktet homoseksuale, ajo nuk nxit paragjykimin, krimet për shkak të urrejtjes ose çdo lloj tjetër keqtrajtimi të homoseksualëve.
—Romakëve 12:18. [2]
Çfarë besojnë Dëshmitarët e Jehovait?
Dëshmitarët e Jehovait besojnë se normat morale të Biblës janë standardi më i mirë i jetesës, dhe ata zgjedhin të jetojnë sipas këtyre normave. (Isaia 48:17) [3] Kjo do të thotë se Dëshmitarët e Jehovait janë kundër çdo sjelljeje të gabuar seksuale, ku futet edhe homoseksualizmi. (1 Korintasve 6:18) [4] Kjo është jeta që kanë zgjedhur Dëshmitarët dhe kanë të drejtën e zgjedhjes.
Dëshmitarët e Jehovait përpiqen fort të zbatojnë Rregullën e Artë, duke i trajtuar të tjerët ashtu siç do të kishin qejf t’i trajtonin ata vetë
Njëkohësisht Dëshmitarët e Jehovait përpiqen fort ‘të ndjekin paqen me të gjithë’. (Hebrenjve 12:14) Edhe pse janë kundër akteve homoseksuale, Dëshmitarët e Jehovait nuk ua imponojnë të tjerëve pikëpamjet e tyre. Ata as marrin pjesë në krime të nxitura nga urrejtja e sëmurë ndaj homoseksualëve, as kënaqen kur dëgjojnë për to. Dëshmitarët e Jehovait përpiqen fort të zbatojnë Rregullën e Artë, duke i trajtuar të tjerët ashtu siç do të kishin qejf t’i trajtonin ata vetë.
A nxit Bibla paragjykimin?
Prapëseprapë, disa mund të thonë se Bibla nxit paragjykimin kundër homoseksualëve, dhe se kush vepron sipas normave të saj morale, nuk është tolerant. Ata pohojnë: «Bibla u shkrua në një kohë kur njerëzit ishin mendjengushtë. Sot njerëz nga çdo lloj race, kombësie dhe preference seksuale janë të pranuar në shoqëri.» Për ta, të hedhësh poshtë homoseksualizmin është njësoj si të hedhësh poshtë njerëzit e një race tjetër. A është me vend ky krahasim? Jo. Pse jo?
Sepse, të jesh kundër sjelljes homoseksuale nuk do të thotë të jesh kundër njerëzve homoseksualë. Sipas Biblës, të krishterët duhet të respektojnë çdo lloj njeriu. (1 Pjetrit 2:17) [5] Por, kjo nuk do të thotë se të krishterët duhet të pranojnë çdo lloj sjelljeje.
Le të bëjmë një krahasim: ta zëmë se për ty të pish duhan, është e dëmshme, madje e neveritshme. Po sikur ndonjë nga shokët e tu të punës të jetë duhanpirës? A do të quheshe mendjengushtë vetëm sepse keni pikëpamje të ndryshme për duhanin? A të bën automatikisht paragjykues fakti që ti nuk pi duhan dhe tjetri pi? Nëse shoku i punës insiston që të ndryshosh mendim për duhanin, a nuk do të ishte ai në këtë rast mendjengushtë dhe jotolerant?
Dëshmitarët e Jehovait vendosin të jetojnë sipas normave morale të Biblës. Ata nuk i miratojnë veprimet që ndalon Bibla. Por ama, as i tallin dhe as i keqtrajtojnë njerëzit që veprojnë ndryshe.
A është mizore pikëpamja e Biblës?
Ç’të themi për njerëzit me prirje homoseksuale? A kanë lindur ashtu? Nëse po, a nuk do të ishte mizore ta quajmë gabim që ata veprojnë sipas dëshirave të tyre?
Bibla nuk flet për faktorët biologjikë që ndikojnë te homoseksualizmi, edhe pse pranon se disa cilësi janë të rrënjosura thellë te njeriu. Megjithatë, Bibla pohon se, nëse duam t’i pëlqejmë Perëndisë, nuk duhet të bëjmë disa gjëra, përfshirë aktet homoseksuale.
Disa mund të thonë se pikëpamja e Biblës është mizore. Por, kjo pikëpamje bazohet në supozimin se duhet të veprojmë sipas impulseve tona ose se impulset seksuale në veçanti janë kaq të rëndësishme, sa nuk duhen kontrolluar e as nuk mund të kontrollohen. Gjithsesi, Bibla u jep dinjitet njerëzve kur thotë se mund t’u rezistojnë këtyre prirjeve. Ndryshe nga kafshët, njerëzit mund të vendosin të mos veprojnë sipas impulseve të tyre.
Le të bëjmë një krahasim: disa ekspertë thonë se cilësi të tilla, si agresiviteti, mund të kenë shkaqe biologjike. Bibla Proverbat 22:24; 29:22) Megjithatë, Bibla thotë edhe: «Lëre zemërimin dhe largohu nga tërbimi.»
Të paktë janë ata që nuk do të ishin dakord me këtë këshillë ose do të thoshin se është mizore ndaj atyre që kanë prirje agresive. Në fakt, edhe ekspertët që besojnë se zemërimi është i rrënjosur në gjene, punojnë fort që t’i ndihmojnë njerëzit t’i kontrollojnë këto prirje.
Dëshmitarët e Jehovait kanë të njëjtin qëndrim ndaj çdo sjelljeje që bie në kundërshtim me normat e Biblës, ku përfshihen edhe aktet seksuale mes dy njerëzve të sekseve të kundërta të pamartuar me njëri-tjetrin. Në të gjitha këto raste vlen kjo këshillë e Biblës: «Secili nga ju të dijë ta zotërojë enën e vet në shenjtëri dhe në nder, jo në uri seksuale epshore.»
«Të tillë ishit disa nga ju»
Në shekullin e parë ata që donin të bëheshin të krishterë, kishin formime e mënyra jetese të ndryshme dhe disa bënë ndryshime domethënëse në jetë. Për shembull, Bibla flet për ‘kurvarë, idhujtarë, kurorëshkelës e burra që mbahen për qëllime të panatyrshme seksuale’ e pastaj shton: «Të tillë ishit disa nga ju.»
Me shprehjen «të tillë ishit disa nga ju», a do të thotë Bibla se ata që nuk kryen më akte homoseksuale nuk patën më kurrë dëshira homoseksuale? Me sa duket jo, sepse Bibla nxit: «Vazhdoni të ecni sipas frymës dhe nuk do të përmbushni asnjë dëshirë të mishit.»
Vër re se Bibla nuk thotë se një të krishteri s’do t’i lindë kurrë ndonjë dëshirë e papërshtatshme. Por thotë se ai ose ajo do të zgjedhë të mos veprojë sipas kësaj dëshire. Të krishterët mësojnë t’i kontrollojnë këto dëshira, duke mos i bluar në mendje aq sa t’i kthejnë në veprime.
Pra, Bibla bën dallimin mes prirjeve dhe veprimeve. (Romakëve 7:16-25) Një njeri me prirje homoseksuale mund t’i kontrollojë mendimet siç do të kontrollonte çdo dëshirë tjetër të gabuar, si prirja për t’u zemëruar, për të qenë kurorëshkelës dhe lakmitar.
Ndërkohë që Dëshmitarët e Jehovait u përmbahen normave morale të Biblës, nuk ua imponojnë të tjerëve pikëpamjet e tyre dhe as përpiqen t’u kundërvihen ligjeve që mbrojnë të drejtat e atyre që bëjnë një jetë ndryshe. Mesazhi që japin Dëshmitarët e Jehovait është pozitiv dhe u flasin për të me gjithë zemër atyre që duan ta dëgjojnë.
^ 1. Në këtë artikull do të flasim kryesisht për marrëdhëniet seksuale midis burrave, por parimet vlejnë edhe për gratë.
^ 2. Romakëve 12:18: «Jini paqësorë me të gjithë.»
^ 3. Isaia 48:17: «Unë Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson se si të nxjerrësh dobi për vete.»
^ 4. 1 Korintasve 6:18: «Ikni nga kurvëria!»
^ 5. 1 Pjetrit 2:17: «Nderoni njerëzit e çdo lloji.»
^ 6. Kolosianëve 3:5: «Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj në tokë në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë seksuale.»
^ 7. Jakovi 1:14, 15: «Secili sprovohet, i tërhequr dhe i joshur nga dëshira e vet. Pastaj dëshira, si bëhet pjellore, lind mëkatin.»