NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE
Mësoje fëmijën për seksin
VËSHTIRËSIA
Vetëm disa dekada më parë, prindërit të paktën kishin mundësi të ishin të parët që t’i flisnin djalit ose vajzës për seksin. Dhe mund t’i shpjegonin gjërat gradualisht sipas moshës e nevojës së fëmijës.
Por, sot është krejt ndryshe. Libri The Lolita Effect thotë: «Fëmijët po ekspozohen ndaj informacioneve për seksin në moshë gjithnjë e më të njomë dhe po shtohet përmbajtja seksuale në programet e fëmijëve.» Mirëpo i ndihmon apo i dëmton fëmijët ky realitet i ri?
Ç’DUHET TË DISH
Materialet me përmbajtje të hapur seksuale janë ngado. Në librin e saj Talk to Me First, Debora Rofman shkruan se «bisedat, reklamat, filmat, librat, tekstet e këngëve, shfaqjet televizive, mesazhet, lojërat, posterat dhe telefonat e ekranet e kompjuterëve [janë] plot pamje, gjuhë e nënkuptime seksuale, që shumë [adoleshentë, paraadoleshentë e madje fëmijë të vegjël] të arrijnë në përfundimin, qoftë edhe pa kuptuar, se seksi duhet të jetë . . . patjetër gjëja më e rëndësishme».
Një pjesë të fajit e ka marketingu. Reklamuesit dhe shitësit promovojnë e shesin veshje seksi për fëmijë, duke i mësuar që në moshë të vogël t’i japin rëndësi paraqitjes më tepër se ç‘duhet. «Shitësit i njohin dobësitë e fëmijëve dhe i shfrytëzojnë. . . . Të gjitha këto pamje e materiale seksuale nuk bëhen për qëllime seksuale, por që fëmijët të blejnë gjëra të reja»,—thotë libri So Sexy So Soon.
Vetëm informimi nuk mjafton. Të dish si funksionon një makinë e të jesh një shofer i përgjegjshëm, nuk janë e njëjta gjë. Po kështu, të kesh njohuri për seksin dhe ta përdorësh këtë njohuri për të marrë vendime të mençura, nuk janë e njëjta gjë.
Përfundimi: Sot më shumë se kurrë duhet t’i ndihmosh fëmijët të stërvitin ‘aftësitë e tyre perceptuese që të shquajnë si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën’.—Hebrenjve 5:14.
Ç’MUND TË BËSH
Përfshihu. Sado e sikletshme të jetë, është përgjegjësia jote t’u flasësh fëmijëve për seksin. Pranoje!—Parimi biblik: Proverbat 22:6.
Bëj biseda të shkurtra. Në vend që të bisedosh një herë gjerë e gjatë, shfrytëzo momentet që krijohen gjatë ditës për të folur, mbase kur të dy udhëtoni me makinë ose bëni ndonjë punë. Që ta ndihmosh fëmijën të hapet, bëji pyetje për të ditur mendimin e tij. Për shembull, në vend që ta pyesësh «të pëlqejnë reklama të tilla», mund të thuash «pse mendon se reklamuesit përdorin këto lloj imazhesh për të shitur produktet». Pasi fëmija të përgjigjet, mund ta pyesësh: «Po ti, si mendon për këtë?»—Parimi biblik: Ligji i përtërirë 6:6, 7.
Mbaj parasysh moshën. Fëmijëve parashkollorë mund t’u mësoni emrat e duhur të organeve seksuale, si edhe si të mbrohen nga ngacmuesit seksualë. Teksa rriten, mund t’u mësoni fakte bazë për riprodhimin. Dhe në pubertet duhet t’i kenë kuptuar më plotësisht aspektet fizike dhe morale të seksit.
Ngulit vlera. Fillo t’i mësosh që në moshë të vogël ndershmërinë, integritetin dhe respektin. Pastaj, kur të flitni për seksin, e ke një bazë mbi të cilën mund të ndërtosh. Për më tepër, bëji të qarta vlerat e tua. Për shembull, nëse për ty seksi para martese është i papranueshëm, thuaja fëmijës. Shpjegoji pse është i gabuar e çfarë pasojash sjell. Libri Beyond the Big Talk thotë: «Adoleshentët që e dinë se prindërit e tyre nuk janë dakord që adoleshentët të kryejnë marrëdhënie seksuale, ka më pak të ngjarë të kryejnë seks.»
Lër shembullin. Jeto në lartësinë e vlerave që u mëson fëmijëve. Për shembull, a qesh me shakatë e pista? A vesh rroba provokuese? A flirton? Veprime të tilla mund t’i rrënojnë vlerat morale që po përpiqesh t’u mësosh fëmijëve.—Parimi biblik: Romakëve 2:21.
Ji pozitiv. Seksi është dhuratë nga Zoti dhe në rrethanën e duhur—në martesë—mund të jetë burim i madh kënaqësie. (Proverbat 5:18, 19) Thuaji fëmijës se me kalimin e kohës ai ose ajo do të ketë mundësi ta shijojë këtë dhuratë pa keqardhjen dhe problemet që vijnë nga seksi para martese.—1 Timoteut 1:18, 19.