A ËSHTË PROJEKTUAR?
Forma e guaskave
FALË guaskave, molusqet mund të jetojnë në kushte të vështira, duke i bërë ballë trysnisë së jashtëzakonshme në shtratin e detit. Aftësia e guaskave për të siguruar mbrojtje optimale, i frymëzoi inxhinierët të studionin formën dhe strukturën e tyre me qëllim që të projektonin automjete e ndërtesa që do t’i mbronin njerëzit.
Shqyrto faktet: Inxhinierët analizuan dy forma guaskash: me dy kapakë dhe spirale.
Për guaskën me dy kapakë u zbulua se për shkak të pjesës së jashtme të valëzuar, presioni shkonte drejt pikës lidhëse të kapakëve dhe drejt buzëve të jashtme. Ndryshe nga kjo, për shkak të pjesës së jashtme të lakuar të guaskës spirale, presioni përqendrohej në qendër dhe në skajin më të gjerë. Në të dyja rastet, falë formave të guaskave, presioni përqendrohet në zonat më rezistente, çka do të thotë se në rast dëmtimi, zor se do ta gjente gjë moluskun brenda.
Studiuesit kanë bërë edhe teste krahasuese ku kanë ushtruar forcë mbi guaska natyrore dhe mbi gjysmësfera e kone të thjeshta (të bëra me printer 3D), imitime të formës e të përbërjes së guaskave. Rezultatet treguan se sipërfaqet komplekse të guaskave natyrore ishin thuajse dyfish më rezistente ndaj presionit, krahasuar me format e thjeshta.
Duke folur për zbatimet e këtij studimi, Scientific American thotë: «Nëse një ditë do të ngasim një makinë në formë guaske, ajo do të jetë edhe trendi, edhe e projektuar për të mbrojtur trupat e brishtë njerëzorë brenda saj.»
Si mendon? A erdhi me evolucion forma e guaskave të detit? Apo është projektuar?